1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë bashkëpunim mes komuniteteve në Maqedoni

Fatos Musliu16 Korrik 2014

Diplomatja e lartë amerikane, Viktoria Nuland ka inkurajuar në Shkup palën maqedonase e shqiptare për më shumë bashkëpunim për të realizuar vizionin e një Maqedonie të integruar.

https://p.dw.com/p/1CdwX
Viktoria Nuland gjatë takimit në Shkup
Viktoria Nuland gjatë takimit në ShkupFotografi: DW/F. Musliu

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin vizionin për një Maqedoni, e cila do të ecë përpara drejt prosperitetit dhe zhvillimit të demokracisë. Në këtë kuadër përmbushja e Marrëveshjes së Ohrit paraqet kusht të domosdoshëm për të ardhmen e shtetit të Maqedonisë. Është ky mesazhi kryesor që ndihmës sekretarja e shtetit amerikan për Evropë dhe Azi, Viktoria Nuland u drejtoi autoriteteve më të larta të Maqedonisë.

Duke komentuar gjendjen politike në vend pas mbajtjes së protestave në Shkup për dënimet në rastin “Monstra”, diplomatja e lartë amerikane Nuland ka inkurajuar palët për më shumë bashkëpunim ndërmjet komuniteteve. “Ne tanimë një kohë të gjatë mbështesim vizionin për një Maqedoni të integruar. Ju keni përgjegjësi të veçantë në rajon që të bëheni vend i cili paraqet shembull se si maqedonasit dhe shqiptarët jetojnë bashkë, qetë dhe prosperojnë së bashku”, ka deklaruar ndihmës sekretarja e shtetit amerikan, Viktoria Nuland.

Diplomatja amerikane Viktoria Nuland dhe kryeministri maqedonas Nikola Gruevski
Diplomatja amerikane Viktoria Nuland dhe kryeministri maqedonas Nikola GruevskiFotografi: DW/F. Musliu

Investimet amerikane në zonat shqiptare

Që të arrihet një bashkëpunim mes komuniteteve është një punë e vështirë, por njëherësh edhe mundësi për të dyja palët, shprehet diplomatja amerikane. Harmonia politike dhe ajo ndëretnike mundëson përparimin e vendit dhe në këtë drejtim SHBA do të investojë fuqishëm për këtë vizion të integruar, si në aspektin politik po ashtu edhe në atë ekonomik dhe të sigurisë. “Biseduam rreth asaj se si mund të bëjmë diçka më tëpër sidomos për rajonet shqiptare të Maqedonisë. Ne duam të investojmë në këtë pjesë me kompanitë tona me qëllim të sigurimit të prosperitetit për të dy komunitetet”, ka theksuar Nuland gjatë qëndrimit në Shkup.

Ajo ka ripërsëritur vlerësimin se Maqedonia aspiratat euroatlantike mund t'i përmbushë pasi të zgjidhë çështjen e emrit. “SHBA-të mbështesin përpjekjet në drejtim të zgjidhjes së çështjes së emrit përmes procesit të drejtuar nga OKB. SHBA ka dëshirë për të qenë e përfshirë për aq kohë sa angazhoheni për të zgjidhur çështjen, në mënyrë që Maqedonia t'i realizojë aspiratat euroatlantike”, është shprehur Viktoria Nuland.

Analisti dhe ish-ambasadori maqedonas në NATO, Nano Ruzin
Analisti dhe ish-ambasadori maqedonas në NATO, Nano RuzinFotografi: DW/F. Musliu

Ndërtimi i urave të bashkëjetesës

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka shprehur gadishmëri për përforcimin e marrëdhënieve mes komuniteteve dhe promovimin e bashkëjetesës. “Do të punojmë me përkushtim për një shoqëri të integruar dhe kohezionin e forcuar ndëretnik, do të vazhdojmë me vëmendje dhe me përkushtim të ndërtojmë bashkëjetesën dhe t'i forcojmë urat mes bashkësive”, i ka premtuar Gruevski ndihmës sekretares amerikane Nuland.

Në takimin e diplomates amerikane me krerët e politikës në vend ka mbajtur fjalë edhe lideri i partisë shqiptare në koalicionin qeveritar Ali Ahmeti. Ai ka ritheksuar idenë për domosdoshmërinë e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. “Është shumë e rëndësishme që Maqedonia të anëtarësohet në NATO. Është një proces shumë i rëndësishëm, i cili do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, por edhe në raportet me vendet fqinje”, ka theksuar Ahmeti.

Analistët: Të huajt janë mërzitur nga premtimet boshe

Analistët politikë vlerësojnë se diplomatja e lartë e shtetit amerikan, Viktoria Nuland, ka dhënjë një mesazh të qartë për politikanët vendas se SHBA përkrah vetëm një Maqedoni, e cila zhvillon dhe ndërton institucione dhe shoqëri multietnike. “Vlerësoj se Nuland në takimet me gazetarë dhe në deklarata publike ka qenë tejet e matur, por mendoj se në takimet me politikanët e ka kaluar tonin pozitiv diplomatik. Në një të ardhme të afërt do ta shohim "feedback"-un e kësaj vizite”, thotë ish-ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin.

Sipas analistit Ismet Ramadani, përveç mesazheve politike Nuland dha edhe porosi ekonomike. Ajo haptazi ka kërkuar që shqiptarët të kenë pozicionin e tyre në zhvillimin eknomik. “Investimet e drejtpërdrejta nga SHBA për zonat shqiptare, do të mundësojnë prosperitet për tërë vendin. Me investime në zonat shqiptare njëkohësisht i bëhet me dije edhe kryeministrit Gruevski, se deri tani ai i ka përqëndruar investimet në pjesën lindore dhe qendrore të Maqedonisë dhe se është momenti i fundit që të orientohet me investime edhe në pjesën, ku jetojnë shqiptarët, që në një mënyrë të ndjehen mirë edhe ekonomikisht”, vlerëson Ramadani.

Analisti Ismet Ramdani
Analisti Ismet RamdaniFotografi: DW/F. Musliu

Ndërkombëtarët janë të lodhur nga premtimet boshe të politikanëve vendas. Ata dëshirojnë rezultate dhe hapa konkretë , thotë analisti politik Edmond Ademi. Sipas tij, integrimi, harmonia ndëretnike, zgjidhja e çështjes së emrit, janë porosi që në çdo takim me ndërkombëtarët përsëriten, Maqedonia gjithnjë e më shumë po më ngjan në nxënësin që përsërit klasën, thotë Ademi.

Merkel: Çështja e emrit “barrë” për Europën

Kontesti ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë rreth emrit është bërë barrë për Europën. Kështu është shprehur në samitin e Dubrovnikut kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo ka bërë thirrje që të gjendet zgjidhje madje edhe nëse të dyja palët do të zhgënjeheshin nga zgjidhja. “Unë personalisht jam kyçur në këtë process dhe kam menduar për të gjitha kombinimet e mundshme për emrin, por ndonjëherë mendoj se nuk ekziston asgjë më shumë për t'u shpikur. Në Gjermani themi: "Kompromis është kur të gjitha palët janë njësoj të pakënaqur”. Por kur të gjithë janë njësoj të pakënaqur, kësaj i thuhet “kompromis i drejtë”. Në një farë mënyre duhet të arrihet që Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së”, ka porositur nga Dubrovniku kancelarja Merkel.

Deklarata e Merkelit për zgjidhjen e emrit, është angazhimi i dytë i madh i saj në kontestin mes Greqisë dhe Maqedonisë pas takimit në Berlin në nëntorin e vitit të kaluar me ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara për çështjen e emrit Metju Nimic.