1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Apati jo antipati - Zgjedhjet evropiane në Evropën Lindore

Kerry Skyring / Christoph Hasselbach28 Maj 2014

Në pjesën lindore të Evropës ishte parashikuar fitorja e partive anti-evropiane. Por ndryshe nga pjesa perëndimore suksesi i tyre është i kufizuar. Këtu mbizotëron më shumë mungesa e interesit për Evropën.

https://p.dw.com/p/1C811
EU Parlamentswahl 25.05.2014 Polen
Fotografi: JANEK SKARZYNSKI/AFP/Getty Images

Pjesëmarrja më e ulët e votuesve në zgjedhjet për Parlamentin Evropian ishte në Sllovaki. 13 morën pjesë në votim. Një arsye për këtë rekord negativ mund të jetë, se vendi ka pasur dy raunde zgjedhjesh presidenciale dhe njerëzit mund të jenë të lodhur nga votimet. Por pjesëmarrja në zgjedhjet evropiane në Sllovaki edhe më parë ka qenë e ulët. Mungesa e interesit "mund të quhet katastrofale", i tha politologu Martin Klus agjencisë sllovake të lajmeve ASR. Sllovakia nuk është rasti i vetëm në gjysmën lindore të BE-së. Nga Polonia deri në Bullgari pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë nën mesataren e BE-së prej 43,1 përqind.

Jo fitore e dukshme e populistëve të djathtë

Në pjesën lindore të BE-së nuk pati vetëm abstenim dhe as forcim të partive me orientim të djathtë. Por rezultaltet e tyre në zgjedhje nuk arrijnë sukseset e Frontit National në Francë, apo të UKIP në Britaninë e Madhe, ndonëse partitë me synime të ngjashme në Hungari dhe në Austri kanë arritur rezultate të mjaftueshme. Në Hungari partia Jobbik, që konsiderohet si antisemite dhe ksnenofobe, arriti të marrë 14 përqind të votave, duke dalë në vend të dytë pas partisë së gjithëpushtetshme nacionalkonservatore Fidesz të kryeministrit Orbán.

Kryeministri i Viktor Orban nga Hungaria. Partia e tij mori më shumë se 50%
Kryeministri i Viktor Orban nga Hungaria. Partia e tij mori më shumë se 50%Fotografi: Reuters

Dhe në Austri Partia e Lirisë fitoi rreth 20 përqind të votave, rreth shtatë pikë më shumë se në zgjedhjet e fundit evropiane në 2009. Por për shumë votues, sipas një sondazhi, ka pasur më shumë rëndësi politika e brendshme austriake se sa Evropa dhe partia mbeti nën parashikimet. Partia e Lirisë bëri në rradhë të parë një fushatë kundër emigracionit "për Austrinë dhe pastaj për BE". Por ndryshe nga UKIP britanike ajo nuk kërkon shpërbërjen e BE-së.

Shuplaka për qeveritë

Nëse në vendet lindore të BE-së ka një model në sjelljen e tyre në zgjedhje, atëherë është ky: Votuesit kanë ndëshkuar qeveritë e tyre, por partitë skeptike ndaj BE kanë arritur më pak rezultate se në perëndim të Evropës. Kështu në Bullgari opozita konservatore e la pas dukshëm qeverinë socialiste. Në Kroaci, shtetin më të ri të BE-së, votuesit i kanë dhënë "një shuplakë në fytyrë" qeverisë së majtë të kryeministrit Zoran Milanoviç, siç u shprehën media të ndryshme të vendit.

Fituese e qartë ishte HDZ konservatore. Aleanca e Djathtë për Kroacinë nga ana tjetër arriti vetëm rreth shtatë për qind, megjithatë kjo i shërbeu për të marrë një vend në Parlamentin Evropian. Gjithashtu një vend mori deputeti polak anti-BE, Janusz Korwin-Mikke. Ai do të luftojë kundër korrupsionit të dyshuar në BE. Por pjesa më e madhe e polakëve votoi ose për Platformën Qytetare në pushtet, ose për partinë nacionalkonservatore Ligj dhe Drejtësi.

Dhuratat e vogla mbajnë gjallë miqësinë me Evropën

Përveç disa përjashtimeve partitë antievropiane në pjesën lindore të Bashkimit Evropian shënuan më pak suksese sesa në pjesën perëndimore.

Me humbje e majtë e Kroacisë e kryeministrit Zoran Milanovic
Me humbje e majtë e Kroacisë e kryeministrit Zoran MilanovicFotografi: picture-alliance/dpa

Arsyet janë të shumta. Por një studim i këtij muaji, me porosi të kryeministrit polak Donald Tusk me rastin e dhjetëvjetorit të zgjerimit të BE-së drejt lindjes, mund të japë një shpjegim. Në të thuhet se hyrja në Bashkimin Evropian i ka sjellë Polonisë rritje të eksporteve. Me financimin e BE-së janë rregulluar që atëherë rrugët, urat dhe linjat hekurudhore dhe polakët kanë tani më shumë akses në shkollat dhe në vendet e punës të paguara më mirë në shtetet e tjera të BE-së.