1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë ankth se shpresë në Ukrainë

Bernd Johann16 Shkurt 2015

Njerëzit në Ukrainën Lindore presin me padurim paqen. Armëpushimi është një hap i parë. Por prova e vërtetë për marrëveshjen e Minskut ende pritet, komenton Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1EcUY
Ukraine Unruhe in Debaltseve
Fotografi: Reuters/G. Garanich

Për njerëzit në Lindje të Ukrainës ishte një rreze shprese: të dielën hyri në fuqi armëpushimi, për të cilin u ra dakord në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk. Në shumicën e segmenteve të frontit të gjatë prej qindra kilometrash, ky armëpushim u respektua. Pas muajve të tërë të goditjeve të pandërprera, familjet me fëmijë guxuan të dilnin për shëtitje në rrugë. Madje edhe moti dha mbështetjen e tij: nën rrezet e diellit dhe temperaturat e moderuara, në fundjavë u duk se në pjesë të rajonit të përfshirë nga luftimet në fundjavë fryu një fllad paqeje.

Krejt e ndryshme është gjendja pak kilometra më tej në Debalceve. Ky vend në linjën hekurudhore midis Donjeckut dhe Luhanskut po kthehet në test për Marrëveshjen e Paqes të Minskut. Për këtë nyje qarkullimi kyçe, të rëndësishme nga ana strategjike, javët e fundit janë zhvilluar luftimet më të ashpra. Deri 8000 ushtarë ukrainas janë rrethuar aty sipas të dhënave të separatistëve nga Moska. Qeveria e Kievit e kundërshton këtë.

Ajo që është e sigurtë: asnjëra nga palët e konfliktit në Debalceve nuk mendon aktualisht për t'u tërhequr. Ushtria ukrainase do ta mbajë këtë qytet. Separatistët duan ta pushtojnë. Madje krerët e separatistëve thonë se armëpushimi nuk vlen fare për Debalceven. Në këtë vend të vogël, kështu duket, mund të vendoset së shpejti për luftë apo paqe në Ukrainën Lindore.

Armët e rënda duhet të largohen

Armëpushimi mbetet i brishtë, nëse tani nuk do të vihen në jetë pika të tjera të rëndësishme të Marrëveshjeve të Minskut, sa më shpejt që të jetë e mundur: të gjitha armët e rënda duhet të tërhiqen nga fronti - edhe në Debalceve. 48 orë pas fillimit të armëpushimit, pra që prej së martës duhet të fillojë ky proces. Vëzhguesit e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, që duhet të vëzhgojnë vënien në jetë të marrëveshjes, duhet të kenë qasje të papenguar në të gjitha zonat e luftimit. Dhe kjo nuk po ndodh. Aq më pak në Debalceve.

Ankthi dhe frika në Debalceve janë pranë njëra-tjetrës. Të gjithë pjesëmarrësit e dinë se armëpushimi mund të bëhet më i qendrueshëm, po të tërhiqen me të vërtetë të gjitha tanket, topat dhe raketëhedhësit. Megjithatë përvoja tregon: separatistët e kanë shfrytëzuar deri tani çdo armëpushim vetëm për ta avancuar marshimin e tyre me teknikë ushtarake ruse.

Jo armëpushim në Debalceve

Pikërisht çështja e armëve të separatistëve është njëra nga pikat më të dobëta në Marrëveshjen e Minskut. Rruga përmes kufirit rus vazhdon të jetë e hapur për furnizime ushtarake për separatistët. Sepse kontrolli në këtë kufi, Kievit i mohohet deri në fund të vitit. Dhe kështu ekziston droja që në rajon të mbërrijnë edhe më shumë armë, me të cilat të kërkohet vendimi në fushat e betejës si në Debalceve.

Në Minsk u fol shumë për këtë. Edhe gjendja në Debalceve qe temë e rëndësishme. Në bazë të marrëveshjeve, edhe atje separatistët si dhe ushtria ukrainase do të tërheqin armët e tyre të rënda. Por aktualisht asgjë nuk flet për këtë. Në Debalceve sinjalet flasin për luftë. Për armëpushim atje gjithsesi nuk bëhet fjalë.