1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbështetja gjermane për arsimin shqiptar

Arben Muka14 Prill 2014

Projekti mësimor në Departamentin dy-gjuhësh, shqip dhe gjermanisht, në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë shikohet si nxitje e shkëmbimit të hapur të ideve dhe bashkëpunimit mes mësuesve e nxënësve.

https://p.dw.com/p/1BeS9
Fotografi: DW/A. Muka

Arsimi është një prej fushave ku Shqipëria merr mbështetje nga Gjermania, kryesisht në fuqizimin e arsimimit profesional dhe mësimit të gjuhës gjjermane. Në njërin prej gjimnazeve më të mira të Tiranës, “Sami Frashëri”, prej afër 5 viteve është duke u aplikuar projekti i mësimit dy-gjuhësh, shqip dhe gjermanisht, si pjesë e iniciativës së ministrit të Jashtëm gjerman, Frank -Walter Steinmeier, që nga koha e mandatit të tij të parë në këtë post. “Iniciativa Steinmeier” ka si kredo ndërtimin dhe fuqizimin e “Shkollave - partnere të së ardhmes”, duke synuar krijimin e një rrjeti mbarëbotëror prej të paktën 1 mijë shkollash partnere me objektivin e konsolidimit të gjuhës gjermane si gjuhë e huaj, ndërtimin e lidhjeve vitale me Gjermaninë dhe shkollat, nxitjen e shkëmbimit të hapur të ideve dhe bashkëpunimit mes mësuesve e nxënësve.

Rreth 150 nxënës që studiojnë në tre vitet e gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, i kanë mundësitë që jo vetëm të mësojnë cilësisht gjermanishten, por dhe të ndjekin bursa në afate të ndryshme në Gjermani, apo të zhvillojnë vizita duke pasur kontakte me moshatarët gjermanë.

Beziehungen Deutschland-Albanien Erziehung
Gjimnazi "Sami Frashëri" në TiranëFotografi: DW/A. Muka

“Pas tre javësh, këto dimensione të partneritetit do të plotësohen edhe nga një i katërt: nxënëse dhe nxënës gjermanë, të cilët ne do t'i presim si miq të shkëmbimit të nxënësve që kemi me gjimnazin Albeck në Baden-Württemberg, do të bashkëpunojnë në kuadër të këtij partneriteti në një projekt në sektorin e turizmit agrar. Sot ekziston një sektor dygjuhësh, tashmë i ngritur dhe që funksionon mirë, në të cilin nxënësit mund të përvetësojnë jo vetëm diplomën e gjuhës gjermane në nivelin C I, por edhe akses direkt në universitetet dhe shkollat e larta gjermane, nëse përfundojnë me sukses maturën shtetërore“, shprehet shefi i Departmanetit dygjuhësh pranë gjimnazit “Sami Frashëri”, Herbert Mühlfeit.

Vijnë nxënës të familjarizuar me programimin mësimor

Etleva Hysenaj është mësuese e gjuhës angleze, por djalin e saj vendosi që para tre viteve që ta regjistrojë në Departamentin dy-gjuhësh tek “Sami Frashëri”. Ajo kujton se ky ka qenë një vendim i vështirë në famljen e saj, por tani që djali është maturant është shumë e kënaqur për zgjedhjen e bërë. “Pritmëria si prindër është maksimale, sepse falë mësuesve shqiptarë dhe gjermanë ecuria e djalit është shumë cilësore. Mbi të gjitha jam kënaqur nga atmosfera e disiplinës për studimin dhe punën, që do ti shërbejnë në ecurinë e mëtejshme”.

Për nivelin cilësor të klasave në Departament investimi fillon që nga rekrutimi i nxënësve në klasën e 10. Treguesit kryesorë për nxënësit që vijnë nga sistemi 9 vjeçar janë njohuritë në matematikë dhe kalimi me note të lartë të testit të gjermanishtes. Për këtë është ndërtuar dhe një lloj network-u për burimin e nxënësve që pranohen, pasi ata në rreth 90 përqind janë nga tre shkolla 9 vjeçare të kryeqytetit, nga “Fan Noli”, “De Rada” dhe “Avni Rustemi”, ku aplikohet mësimi i bazave të gjermanishtes dhe kurikula është e sinkronizuar me atë të Departamentit dy-gjuhësh. Kjo është garancia se kontigjenti i nxënësve është i familjarizuar me programin që do të ndjekë në tre vitet e shkollës së mesme.

Gjuha e huaj si avantazh në kuadër të lëvizjes së lirë

Beziehungen Deutschland-Albanien Erziehung
Ambasadori Hellmut Hoffmann mes mesuesve dhe nxënësve tek gjimnazi "Sami Frashëri"Fotografi: DW/A. Muka

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffmann, duke vizituar mjediset e Departamentit dy-gjuhësh së bashku me ministren e Arsimit Lindita Nikolla, shprehet për vijimin e mbështetjes së Gjermanisë për projekte të tilla. Sipas ambasadorit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë “mësimi i gjuhëve të huaja është me shume rëndësi. Sot rreth 100 milionë njerëz në Gjermani, Zvicër dhe Austri e kanë gjermanishten si gjuhën e parë, ndërkohë që dhe shumë të tjerë në Europë dhe pjesë të tjera të globit e njohin si gjuhë të dytë, ose kanë njohuri në nivele të ndryshme. Zotërimi i gjuhëve të huaja përbën një avantazh ekonomik dhe kulturor në kuadër të lëvizjes së lirë të qytetarëve. Këtu në Shqipëri ka një sërë institucionesh e organizatash gjermane, por dhe kompani e firma, që janë një ofertë për punësim dhe ku njohja e gjermanishtes është favorizuese”

'Ambasadori Hoffmann, që siç pranon vetë është “i rrethuar” nga mësuesit në familjen e tij, me prindërit dhe bashkëshorten në këtë profesion, shpreh emocion për atmosferën e diskutimit në Departmentin dy–gjyhësh, ku janë sëbashku nxenës, mësues dhe prindër. Ai e vlerëson mjaft pozitivisht ecurinë e projektit me besimin se nxënësit do të vijojnë me rezultate të mira dhe në studimet e larta e kualifikimet e ndryshme akademike.

Beziehungen Deutschland-Albanien Erziehung
Ambasadori Hoffmann dhe ministrja e Arsimit NikollaFotografi: DW/A. Muka

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ka nxjerrë në pah rolin e Departmanetit dy-gjuhësh, si një pikë referimi për modernizmin e shkollës shqiptare. “Projekte të tilla ne do të synojmë që ti përhapim dhe në shkolla të tjera, jo vetëm në Tiranë por dhe në rrethe të tjera, për të shtrirë sa më shumë filozofinë e të nxënit me metoda bashkëkohore. Modeli gjerman i arsimit është shumë i vlefshëm në këtë drejtim.”