1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kultura e mirëserardhjes - një çështje e gjeografisë

Volker Wagener6 Mars 2015

Gjermanët po mësohen më shumë me të huajt. Një studim i ri e konfirmon këtë, por me disa ndryshime gjeografike. Në Lindje ka më shumë rezerva ndaj emigrantëve.

https://p.dw.com/p/1EmTk

Për një kohë të gjatë emigrimi në Gjermani ishte një temë që tingëllonte e huaj, një temë që i shkon për shtat Amerikës, po jo edhe aq Gjermanisë. Por pas realitetit demografik, të krijuar ndërkohë, dhe nevojës për forca të kualifikuara pune, ky diskurs ka ndryshuar. Prej vitesh numri i imigrantëve rritet vazhdimisht, tani është rritur edhe mirëkuptimi tek gjermanët, këtë e konfirmon një studim i fondacionit Bertelsmann me 2000 gjermanë të anketuar nga mosha 14 vjeç.

Dhe më shumë se kaq: Emigrantët nuk shihen më si forca të nevojshme pune, por si qytetarë të rinj dhe bashkëqytetarë gjermanë. Sipas motos kanadeze: "Imigrimi ka të bëjë me të qenurit qytetar i një vendi- dhe jo thjesht me punën." Kjo që duket si një dëftesë pjekurie ka të bëjë me ndryshimin e dukshëm të kulturës së mirëseardhjes në Gjermani.

Symbolbild ausländische Fachkräfte in Deutschland
Ndryshimi demografik hap zemrën e gjermanëve për të huajtFotografi: picture-alliance/dpa/H. Schmidt

Mbiplakja dhe mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore ndryshojnë debatin për të huajt

Qëkur është në modë ardhja e të huajve në Gjermani, imigrimi si nocion po përjeton kohën më të mirë koniunkturore. Problemi me një nocion imigrimi -në dukje korrekt- ka të bëjë me një efekt mbulimi. Imigrimi u pa për një kohë të gjatë në Gjermani si një problem. Frika nga huajëzimi i Gjermanisë, shqetësimi për rëndimin e shtetit social dhe ndjesi konfuze frike në diskutimin se me të huajt po vjen më shumë kriminaliteti kanë qenë tipare kryesore të debatit në Gjermani si vend imigrimi. Por tani gjendja ka ndryshuar.

"Rreth 10% e gjermanëve- si tek popullsia ashtu edhe në entet shtetërore i shohin më të mirëseardhur të huajt se para vitit 2012", thotë Franco Zotta, njëri nga drejtuesit e projektit të iniciuar nga Fondacioni Bertelsmann. Kjo lidhet më shumë me faktin që në vend ndjehet dhe perceptohen si probleme të shoqërisë mungesa e fuqisë punëtore, dhe ndryshimi demografik. Në bisedë me Deutsche Welle-n, Franco Zotta thotë se "në këtë pikë imigrimi është një mënyrë e reagimit të shpejtë."

Deutschland Franko Zotta Bertelsmann Stiftung
Franco ZottaFotografi: Bertelsmann Stiftung

Mirëseardhje në pPrëndim, paragjykim në lLndje

Në vitin 2013 në Gjermani kanë ardhur rreth një gjysmë milioni emigrantë, të cilët kanë qëndruar. Më shumë emigrantë ka vetëm SHBA-ja. Në Europë Gjermania është një destinacion mjaft i kërkuar. Çdo i treti emigrant që vjen në BE shkon drejt Bavarisë, Hesenit apo Turingjisë. Por efekti magnetik i Gjermanisë shihet me sy kritik në Lindje të vendit. Gati çdo i dyti i anketuar nga Rostocku deri në Drezden thotë se emigrantët nuk janë të mirëpritur. Në pPrëndim është vetëm një e treta e të anketuarve.

Franco Zotta është i mendimit se paragjykimet në Lindje lidhen më shumë me mungesën e kontakteve me të huajt. "96% e njerëzve me sfond migrimi banojnë në Perëndim, dhe vetëm 4% në Lindje. Pra duket se njohjet janë të pakta dhe ka pak përvoja pozitive në drejtim të bashkëjetesës."

Një problem serioz ky, sepse në plan afatgjatë do të jetë Lindja gjermane ajo që do të ketë më shumë nevojë për të huajt se Perëndimi. Sipas autorëve të studimit efektet e ndryshimit demografik nënvleftësohen.

"Shteti- baba" duhet të reagojë

Që integrimi i të huajve të arrijë rezultate duhet që të mos shtrohen kërkesa vetëm për të porsaardhurit. Gati 80% e të anketuarve shprehen se është e rëndësishme njohja e diplomave universitare dhe e dëftesave të kualifikimit për gjermanët e rinj. Edhe në bashkimin familjar shteti-baba duhet të ndihmojë dhe jo të jetë bllokues. Ndërkohë edhe tema shtetësi e dyfishtë, mjaft e debatuar, bën pjesë tek stimujt për ta bërë imigrimin më atraktiv në plan afatgjatë.