1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mirupafshim - Emigrantët gjermanë dhe të kthyerit

Monika Dietrich30 Korrik 2008

Dentistë gjermanë punojnë në Britaninë e Madhe, inxhinierë largohen të punojnë në Kanada dhe agronomët shkojnë në Zelandë të Re: nga asnjë shtet industrial i botës nuk largohen kaq shumë ekspertë si nga Gjermania.

https://p.dw.com/p/EmUf
Martina Merklinger është kthyer nga Brazili
Martina Merklinger është kthyer nga BraziliFotografi: DW / Monika Dittrich

Enti Federal për Statistikat ka numëruar vitin e kaluar, për herë të parë që prej viti 1954, më shumë se 160 mijë emigrantë, gjermanë që largohen nga Gjermania . Shumica e tyre janë të rinj dhe me shkollim të lartë. Njëkohësisht ekonomia gjermane ankohet për mungesën e fuqisë punëtore.

Monika Dietrich ka biseduar me një gjerman që planifikon të emigrojë dhe që është kthyer. Reportazhi i saj fillon në Qendrën Këshilluese të Organizatës Humanitare Rapfaels-Werk.

"A keni qenë ndonjëherë në Australi? - Fatkeqësisht ende jo. Me kualifikimin që keni në të vërtetë kërkoni gjithandej në botë...".

Konsultorja për emigrantë e organizatës humanitare katolike Raphaels-Werk në Köln. Për këshilla para Manuel Wagnerit qëndron sot ulur Kristian Vogt: 37 vjeçar, arkitekt, prej gjashtë vjetësh me vend të përhershëm pune. Ai ka shfrytëzuar kohën e pushimit për këtë takim, mobili i tij i kantierit vazhdon të bjerë herë pas here.

Ai ka një pozitë të mirë në një firmë ndërtimi, aktualisht mbikqyr punimet në një kantier të madh ndërtimi. Dhe ai e do punën që bën. Megjithatë ai dëshiron të largohet nga këtu - kushtet e punës në Gjermani ka kohë që nuk i pëlqejnë më. "Nëse ndërton një shtëpi për një shumë të hollash X dhe sheh se me çfarë duhet të ballfaqohesh atëherë mund të numërosh në të dhjetë gishtërinjtë se nuk del asgjë nga kjo. Ose vuan kualiteti ose njerëzit që duhet ta arrijnë atë. Dhe fatkeqësisht këtë e shoh shumë shpesh".

Ai flet për shfrytëzim, për pak para përkundër shumë orëve shtesë të punës dhe mosmirënjohje për punën që bëhet. Andaj ai planifikon që në fund të këtij viti të shpërngulet për në Australi. Atje ai nuk ka qenë kurrë por e di se do të jetë më mirë se në Gjermani. Qeveria australiane ka vendosur profesionin e arkitektit në listën e ekspertëve më të kërkuar.

Megjithatë Vogt nuk dëshiron t'i mbyll të gjitha dyert për në Gjermani. Për këtë ai ka ardhur në konsultoren e organizatës humanitare, që të marrë më shumë informacione në mënyrë që një kthim i mundshëm të kryhet pa problem. Këtë përvojë e ka patur përshembull Martina Merklinger. Katër vjet rresht si historiane e artit ajo ka punuar në një institut hulumtimi në Sao Paolo të Brazilit. Tani është në banesën e saj të re në Shtutgart duke hapur valixhet e kthimit.

Martina Merklinger ishte e suksesshme në Brazil. "Shkova në Brazil me shpresën për të banuar atje për një kohë të gjatë. Atje më pëlqeu shumë dhe me siguri që do të qëndroja ende sikur mos të isha e detyruar që për shkaqe private të kthehem sërish këtu".

Me shkaqe private ajo mendon dashurinë për shokun e saj dhe burrin e saj të ardhshëm. Megjithatë një rifillim i jetës profesionale në atdhe duket të jetë i vështirë. Deri tani ajo ka shkruar mbi 30 kërkesa pa punë - të gjitha kanë përfunduar pa sukses.

"Si e rikthyer kam shpresuar se do të kem më shumë mbështetje. Për këtë jam me të vërtetë e zhgënjyer. Agjensia për punësim nuk më ka ndihmuar aspak", sqaron zonja Merklinger.