1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkencë për ushtrinë

Nils Naumann / Lindita Arapi27 Nëntor 2013

Lëndët shpërthyese, xhama tankesh, sisteme navigimi për avionët pa pilotë - Universitetet gjermane hulumtojnë për ushtrinë amerikane. Zbulimi vjen nga media, politika reagon me habi

https://p.dw.com/p/1AP2u
Fotografi: picture-alliance/dpa

I vockël, por gjeni i nagivimit. Karkaleci i shkretëtirës, (Schistocerca gregaria)ka një organ të jashtëzakonshëm të të parit. Në terrin e natës apo në dritën verbuese të ditës - ky lloj karkaleci e gjen menjëherë udhën e vet. Orientimi i tij bazohet tek yjet ose reflekset e dritës së hënës. Ndoshta ai mund të jetë një model për navigimin në hapësirën kozmike, menduan shkencëtarët e Universitetit Philipps të Marburgut.

"Ky projekt studimor në dukje i parëndësishëm më ka lënë pa fjalë", shprehet gazetari i medias publike gjermane, Nord Deutscher Rundfunk, NDR, Benedikt Strunz. Ai së bashku me një grup reporterësh të gazetës "Süddeutscher Zeitung" kanë zbuluar se shumë universitete gjermane punojnë me porosi të Ministrisë së Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara. Puna në këtë projekt është mbështetur me rreth 70.000 dollarë nga U.S Air Force. "Kërkesës sonë universiteti iu përgjigj se bëhet fjalë për studime parimore shkencore", thotë gazetari Strunz.

Një vështrim më nga afër bën të qartë se studiuesit donin të zbulonin nëse aftësitë e të parit të karkalecit të shkretëtirës mund të ishin të zbatueshme edhe në projektin e avionëve pa pilot me objektiv të telekomanduar. "Ky është pa asnjë dyshim studim për qëllime ushtarake", vlerëson Strunz. Në rastin më të keq zbulimet shkencore mund të përdoren për objektivë ekzekutimi të avionëve pa pilot.

Universitetet konfirmojnë bashkëpunimin

Marburgu nuk është një rast i vetëm: Sipas hulumtimeve të bëra nga media publike Nord Deutscher Rundfunk, NDR, rreth 22 universitete gjermane dhe institute shkencore kanë marrë fonde për projekte studimore nga Ministria amerikane e Mbrojtjes. Rreth 10 milionë dollarë kanë rrjedhur nga SHBA në Gjermani për këtë çështje. Fonde për studime ushtarake.

Universiteti i Mynihut, Ludwig-Maximilian ka marrë më shumë 470.000 dollarë nga pala amerikane për të përmirësuar lëndët eksplozive ushtarake. Për llogari të ushtrisë amerikane ka hulumtuar edhe Shoqata studimore Fraunhofer duke kryer studime mbi xhamat e posaçëm të tankeve, ndërsa studiuesit e Universitetit të Saarlandit kanë marrë 120.000 dollarë në janar 2012 për të studiuar përpunimin matematikor të strukturave gjuhësore. Universitetet e kanë konfirmuar ndërkohë marrjen e fondeve të tilla.

Deutschland Architektur Ludwig Maximilians Universität in München
Universiteti "Ludwig Maximilian" në MynihFotografi: picture-alliance/dpa

Ndër institutet që kanë marrë fonde nga ushtria amerikane gjenden edhe ato që në statut i përjashtojnë studimet për qëllime ushtarake. Zëdhënësja e të Majtës në Bundestag, Nicole Gohlke kritikon institute të tilla, të cilat i kthejnë në farsë rregulloret e tyre. Por këto institute nuk shohin asnjë shkelje të rregulloreve të tyre. Kështu Universiteti i Bremenit sqaron se një projekt për studimet satelitore, i financuar nga pala amerikane, shërben si studim parimor shkencor dhe me këtë nuk bie ndesh me rregulloren civile. Shumë projekte bëjnë pjesë në studimet e ashtuquajtura Dual-Use, rezultatet mund të përdoren pra si për qëllimë civile ashtu edhe uhstarake.

Opozita kërkon transparencë

Presidenti i Konferencës së Rektorëve të Shkollave të larta gjermane, Horst Hippler i hodhi poshtë kritikat. "Parimisht nuk gjej ndonjë arsye pse duhet përjashtuar si projektfinancues Ministria e Mbrojtjes së një shteti të lidhur ngushtë me Gjermaninë."

Fizikanti dhe studiuesi i paqes, Jürgen Altmann nga Universiteti Teknik i Dortmundit është mjaft skeptik. "Duhet parë si një gjë problematike, kur shkenca i përkushtohet përgatitjeve luftarake. Por është tejet problematike, kur kryhen studime për interes të ushtrisë amerikane. Në fund të fundit Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar sulme luftarake madje pa mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara."

Reporteri i NDR-s, Benedikt Strunz shprehet se shumica e universiteteve nuk kanë bërë zë për bashkëpunime të tilla. Gazetarët i gjetën informacionet në një databazë amerikane.

Opozita ka reaguar me kritika ndaj këtyre publikimeve. "Është e pabesueshme, se kjo nuk ka qenë publike deri më tani", deklaron politikanja e Majtë, Gohlke.

Transparencë fondesh

Ndërsa zëdhënësi për çështjet universitare i Të Gjelbërve, Kai Gehring kërkoi nga universitetet që të bëjnë transparencën e fondeve të marra nga burime të tjera. "Vetëm bërja publike e të gjitha të dhënave të nënshkruara në kontrata mundëson diskursin e nevojshëm shoqëror për vlerësimin etik të këtyre projekteve shkencore."

Edhe qeveria gjermane porosit studime për qëllime ushtarake tek institutet shkencore. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se në tre vitet e fundit janë ofruar rreth 10 milionë euro në vit. Spektri i këtyre studimeve arrin nga teknikat mbrojtëse deri tek ato studimet sociale. Më shumë hollësi nuk jepen nga kjo ministri, për shkak të "arsyeve të sigurisë dhe atyre ushtarake." Gazetari Benedikt Strunz dëshiron po ashtu më shumë transparencë.