1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mijëra protestues kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Fatos Musliu17 Maj 2015

Mijëra qytetarë të të gjitha bashkësive etnike në Shkup protestuan kundër qeverisë së kryeministrit Gruevski. Për kreun e opozitës Zaev 17 maji i këtij viti do të hyjë në historinë e vendit.

https://p.dw.com/p/1FR4x
Massendemonstration der Opposition zum Sturz der Regierung in Mazedonien (Zoran Zaev)
Kreu i opozitës, Zoran ZaevFotografi: Reuters/O. Teofilovski

Protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë e cila akuzohet për veprimtari kriminale që sipas tyre janë dëshmuar me atë që njihet si afera e përgjimeve nga ana e opozitës. “Gruevski Ik”,”Lamtumirë Nikolla” “Poshtë qeveria kriminale”, “Protestoj”, janë vetëm disa nga parullat që po mbanin protestuesit në duar.

Masës së tubuar iu drejtuan përfaqësues të shoqërisë civile, intelektualë, studentë, profesorë të universitetit e eurodeputetë. Ata thonë se protesta e sotme është shans për një fillim të ri në Maqedoni, për kthimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Studentët -pjesë e demonstratës

Studentët nuk janë sot këtu për të mbështetur një parti politike, por duam një shtet demokratik dhe ardhmëri, u shprehën studentët maqedonas dhe shqiptarë nga Plenumi Studentor. “Ne nuk jemi përkrahës të asnjë partie, ne nuk jemi përkrahës as të qeverisë as të opozitës, ne duam demokraci, liri. Të nderuar politikanë ju na ndalët të drejtën për liri, për t'u shprehur, prandaj jemi këtu që t'ju tregojmë se kaq e jo më tej”, deklaruan përfaqësues nga Plenumi Studentor.

Mazedonien Demonstration in Skopje
Fotografi: Reuters/M. Djurica

“Gjenerata ime tashmë i ka vendosur themelet e një shoqërie multi-etnike dhe jam e bindur se gjenerata ime asnjëherë nuk do të jetojë një luftë të re, sepse gjenerata ime beson në fuqinë e bashkësisë, beson në lirinë dhe demokracinë, prandaj jemi më rezistent dhe konsistent në betejën për realizimin e ideve tona”, iu drejtua masës së tubuar një studente shqiptare. “Erdhi koha e lirisë, drejtësisë dhe bashkësisë. 9 vite na gënjejnë, na shkelin çdo dit. Morën në qafë shumë policë me skenarët e tyre, shumë fëmijë sot janë të traumatizuar, shumë shtëpi të djegura, edhe sa do të durojmë. ”,tha para protestuesve Xhabir Deralla, kryetar i CIVIL.

“Ne premtuam dhe erdhëm këtu. Erdhëm edhe përkundër të gjitha pengesave, kërcënimeve, dhe të gjitha marifeteve të tjera, nga bllokimi i ashensorëve, bllokimi i rrugëve me autobusë. Erdhëm të lodhur nga frika dhe nga dëshira e madhe për liri. Erdhëm që ta fitojmë lirin ose ta lirojmë lirinë”, deklaroi kryetari i Fondacionit Shoqëria e Hapur Maqedoni, Vlladimir Millçin.

"Harrove Maqedoninë"

Nikolla Dimitrov, ish funksionar i lart i VMRO-DPMNE-s kritikoi Gruevskin për dështim. “Ne tani do t'i vendosim themelet e Republikës së Maqedonisë, të gjithë së bashku do të sjellim demokracinë, Gruevski nëse më dëgjon a e di se ke dëshirë të dëgjosh, të gjitha ndërtesat i rregullove me fasada baroke, por e harrove Maqedoninë. Ka vetëm një opcion ose kjo Qeveri ose Republika e Maqedonisë. Faleminderit Nikolla, faleminderit që na bashkove dhe ne kërkojmë përgjegjësi.”

Profesoresha Najçevska u është drejtuar protestuesve duke deklaruar se qytetarët protestojnë për lirinë, të lirë nga frika dhe nga skamja, mjaft më me frikë. “Shumë vështirë të flitet për të drejtat që i takojnë çdo krijese. Ne po revoltohemi, sepse po shkelen të drejtat tona. Kemi të drejtë të jemi të lirë”, ka deklaruar ajo.

Mazedonien Demonstration in Skopje
Fotografi: Reuters/M. Djurica

Në  protestë mbarëpopullore ishin të pranishëm edhe ish-raportuesi për Maqedoninë Riçard Hoëit, ish-kryeministri i Bullgarisë, Sergej Stanishev dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein. “Ne me shokët, nuk jemi këtu për t'iu mësuar, por jemi këtu për ta dëgjuar zërin tuaj, mesazhi juaj është e qartë, ju dëshironi paqe, këtu shoh njerëz nga etni të ndryshme që janë së bashku këtu, e shoh shumë qartë se ju doni demokracinë”, deklaroi Kryetari i Socialdemokratëve dhe ish-kryeministër i Bullgarisë  Sergej Stanishev. Ndërsa eurodeputeti gjerman socialdemokrate, Kntu Fleckenstein u shpreh: “ Unë jam këtu me shokë të mi nga Bullgaria, Suedia, Hamburgu dhe Britania e Madhe. Kam ardhur nga Brukseli në Shkup për t'i treguar Maqedonisë se si të përballojë krizën ku gjendet, por vetëm ju mund të zgjidhni të ardhmen tuaj. Ju përgëzoj për sinjalin që jepni, se ju qytetarët e Maqedonisë dëshironi të jetoni në një shtet demokratik me sundim të drejtë të ligjit .”

Protesta u përmbyll me fjalimin e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaev për të cilin 17 maji i këtij viti do të hyjë në historinë e vendit si ditë kur filloi të çlirohet Maqedonia. Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha se në situatën e krijuar mundësia e vetme për dalje nga kriza është dorëheqja e Gruevskit. “Dëshiron, apo nuk dëshiron Gruevski duhet patjetër ta japë dorëheqjen. Bashkë me të edhe prokurori Marko Zvrlevski dhe udhëheqësia e TVM-së. Duhet të formohet qeveri kalimtare, e cila do të krijojë kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare”, ka thënë  Zaev. 

Ai kërkoi mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare që drejtpërdrejt të ndihmojë në zgjidhjen e krizës, e jo vetëm të monitorojë. “Inati i Gruevskit me vullnetin e popullit që sot po shihet qartë, mund të sjellë pasoja të padëshirueshme”, tha Zaev. Ai tha se, Maqedonia është e gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet të jenë të barabartë. “24 vjet Maqedonia është një shtet -dy shoqëri. Prej tash do të jetë një shoqëri krenare për shtetin e saj. Dallimet janë thesari ynë. Ka mbaruar koha e patriotëve", tha Zaev para protestuesve.