1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Efekti negativ: Migrimi ndryshon gjuhën

Ronny Arnold / Elert Ajazaj29 Korrik 2012

Prej 50 vjetësh vijnë migrantë në Gjermani. Kjo nuk ndryshon vetëm jetën e tyre, po edhe atë të gjermanëve. Dhe kjo ndryshon gjuhën gjermane.

https://p.dw.com/p/15fxy
Fotografi: picture-alliance/ZB

Lajpcigu është një vend i mirë takimi me profesorin Uwe Hinrichs, në fund të fundit ai hulumton në Universitetin e Lajpcigut gjuhën gjermane. Ose thënë më saktë, ndikimin e gjuhëve nga më të ndryshmet mbi gjermanishten. Në të njëjtën kohë Lajpcigu është më tepër vend i papërshtatshëm për t'u takuar (së paku nga këndvështrimi i shkencës gjuhësore), pasi mini-metropolit sakson thjesht i mungon më e rëndësishmja për kërkimet e Hinrichs-it: migrantët. Në Lajpcig pjesa e tyre në popullsinë e përgjithshme është ndjeshëm nën dhjetë për qind, nuk ka krahasim me qytetet e mëdha gjermane të imigrimit si Berlini, Frankfurti, Hamburgu, Mynihu apo Dyseldorfi. Në Berlin një në katër banorë ka sfond migrimi. Kjo është arsye e mjaftueshme për Hinrichsin që të bëjë kërkime edhe atje.

Dhanorja paraqet vështirësi serioze

Teoria e gjuhëtarit është kjo: Gjatë mësimit dhe të folurës së gjermanishtes migrantët bëjnë gati doemos gabime, sepse gjermanishtja është gjuhë e vështirë. Me kalimin e kohës folësit e gjuhës amtare i integrojnë këto gabime në të folurën e tyre, gjuha gjermane ndryshon. Më e prekur është gjuha e folur, thjeshtligjërimi, thotë Hinrichs, më pak gjermanishtja letrare. Vështirësia e parë ku mund të pengohesh lehtë, madje edhe për shumë gjermanë vetë: rasat tona. Në gjermanishte ka katër rasa: emërore, gjinore, dhanore dhe kallzore. "Ajo që mund të dëgjohet vazhdimisht janë gjëra si dhanorja e gabuar: Ia premtoj ATË. Ne merremi këtë problem." E saktë do të ishte: Ia premtoj ATIJ dhe ne merremi ME këtë problem. "Rasat ose i ngatërrojnë, këmbehen njëra me tjetrën ose mbaresat e tyre lihen jashtë fare." Kësisoj rasat kthehen në rudiment, përdoren sa vjen e më pak (dhanorja shtyn mënjanë gjinoren).

Uwe Hinrichs, linguist në Universitetin e Lajpcigut
Uwe Hinrichs, linguist në Universitetin e LajpcigutFotografi: Uwe Hinrichs

Fare lesheli bëhen gjërat edhe gjatë të ashtuquajturit code switching. Këtu migrantët thjesht përziejnë dy gjuhë, madje edhe brenda një fjalie të vetme. Nga "Doktor bugün Röntgenbilder'lere bakmamış" del pastaj fjalia e përzierë me turqishte dhe gjermanishte: "me gjasa doktori as nuk i ka parë sot radiografitë". "Ky ndërrim ka zënë vend në qytete të mëdha si Manhajmi, Frankfurti apo Dyseldorfi. Kjo është shenjë e grupeve të të rinjve, të cilët kalojnë nga gjermanishtja në turqishte apo edhe nga rusishtja. Sa më i theksuar të jetë alternimi i gjuhës, aq më shumë gabime gramatikore ka."

Kritikë nga të gjitha drejtimet

Kur Uwe Hinrichs i paraqiti teoritë e tij në pranverë, ai menjëherë u sulmua për këtë. Ai u quajt "tradhëtar atdheu, që ia dorëzon gjermanishten shkatërrimit të ngadalshëm". Të tjerë e bënë linguist me orientim të majtë, që "vizaton një tabllo të zbukuruar të Gjermanisë fantastike me multikulturalitet". Të dyja gjepura, dua thjesht të pasqyroj realitetin, thotë profesori. "Me sa duket gjermanët duhet të merren ndryshe dhe më hollësisht me pasojat e migrimit sesa a kanë bërë deri tani. Edhe fakti që kjo ka edhe një anë gjuhësore, ka nisur të kuptohet ngadalë." Në historinë botërore nuk ka pasur asnjëherë gjuhë, të cilat të jenë rrethuar nga gjuhë të tjera dhe të mos kenë rezultuar ndryshime gjuhësore masive, thotë gjuhëtari Hinrichs. "Kështu ka qenë në parendorinë romake, në Angli dhe në Ballkan. Përse të jetë me gjermanishten ndryshe?"

Migrimi ka edhe një komponente gjuhësore
Migrimi ka edhe një komponente gjuhësoreFotografi: picture-alliance/dpa

Edhe shkencëtarë të tjerë gjermanë e vrojtojnë këtë tendencë. Harald Haarmann, i cili jeton dhe punon në Finlandë, ka hartuar mbi 40 libra për zhvillimin gjuhësor, për historinë e gjuhës së shkruar dhe për ndikimet kulturore mbi evolucionin gjuhësor. Ai i konfirmon tezat e kolegut të tij nga Lajpcigu. "Është logjike që ta kërkosh burimin për ndryshimin e përdorimit të gjuhës te folësit me prejardhje migracioni. Shprehitë në të folur mbërrijnë në thjeshtligjërim nëpërmjet një kanali të caktuar."