1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkeli përsërit kritikat ndaj Moskës

aud/haz/gmf (dpa, afp, rtr)8 Dhjetor 2014

Kancelarja Angela Merkel e akuzoi Rusinë se u sjell "vështirësi" Ukrainës e disa shteteve evropianolindore. Rusia përpiqet "të krijojë varësi ekonomike e politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor", tha Merkel.

https://p.dw.com/p/1E0bX
Angela Merkel 11.11.2014
Fotografi: Sean Gallup/Getty Images

"Me Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ukrainën janë tri vende fqinje tona në Lindje që kanë nënshkruar me vendimin e tyre sovran një marrëveshje asociimi me BE", i tha Angela Merkel gazetës "Welt am Sonntag". "Këtyre tri vendeve", u shpreh kancelarja, "Rusia u shkakton vështirësi".

Përpjekjet e deritashme fatkeqësisht rezultuan të kota

Si shembull, Merkeli përmendi konfliktin rreth Transnistrisë, prej së cilës Republika e Moldavisë vuan prej vitesh. "Ne ndërmorëm përpjekje të mëdha politike për të ndihmuar në këtë drejtim, deri tani për fat të keq më kot", tha kancelarja. Gjeorgjia vuan gjithashtu prej vitesh nga "konflikti i ngrirë" në rajonet separatiste të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë. Veç kësaj, Rusia përpiqet "të krijojë varësi ekonomike dhe politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor".

Merkeli përforcoi synimin e saj, për të mbështetur në rast nevoje edhe ushtarakisht vendet që ndihen të kërcënuara nga Rusia, Estoni, Letoni dhe Lituani. "Çështja e një lufte në shtetet baltike nuk shtrohet. Pavarësisht nga kjo, vlen neni 5 i Traktatit të NATO-s, pra detyrimi për të dhënë mbështetje, për të gjithë anëtarët e Aleancës", tha Merkeli dhe shtoi: "Prandaj ne kontribuojmë për shembull për të siguruar hapësirën ajrore të shteteve baltike, po ngremë forca të reja të reagimit të shpejtë dhe bashkëpunojmë që prej një qendre të përbashkët drejtimi në Szczecin të Polonisë, ushtarakisht me Poloninë dhe Danimarkën".

Merkeli e hedh poshtë kritikën e paraardhësit në post

Merkeli u mbrojt në intervistën me "Welt am Sonntag" kundër kritikës së tri paraardhësve të saj në post, Helmut Schmidt (SPD), Helmut Kohl (CDU), dhe Gerhard Schröder (SPD), të cilët janë shprehur për një qendrim më mirëkuptues përballë Rusisë. Merkeli tha: "Unë jam e bindur, që përgjigjia e përbashkët evropiane ndaj veprimeve të Rusisë është e drejtë. Që Rusia ka shkelur integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, të garantuar prej saj në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, kjo nuk duhet të mbetet pa pasoja."

Kancelarja ka ushtruar në javët e fundit disa herë kritika ndaj strategjisë së Rusisë. Kështu për shembull në nëntor, në kuadër të një debati të përgjithshëm të Bundestagut ajo e akuzoi Presidentin Vladimir Putin se me ndërhyrjet e tij ai shkel të drejtën ndërkombëtare. Asgjë nuk e justifikon "pjesëmarrjen direkte ose indirekte" të Rusisë në luftimet në Donjeck dhe në Luhansk, në Lindje të Ukrainës. Veç kësaj, aneksimi i Krimesë "nuk justifikohet me asgjë", tha kancelarja Merkel.