1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel lavdëron kursin e reformave të Montit

dpa/A Verbica29 Gusht 2012

Merkel shpreson se ekonomia e tretë e madhe në eurozonë do të mbijetojë pa ndihmë nga jashtë.

https://p.dw.com/p/15zV5
Merkel dhe Monti në Berlin
Merkel dhe Monti në BerlinFotografi: Odd Andersen/AFP/GettyImages

Kancelarja Angela Merkel i ka dhënë mbështetje rrugës së reformave të kryeministrit italian Mario Monti. Pas një takimi në Berlin, Merkel lavdëroi konsolidimin mbresëlënës dhe të gjërë të axhendës së reformave të qeverisë italiane. Merkel ështe e bindur, se përpjekjet për reforma do të sjellin fryte dhe aftësia konkurruese e Evropës do të përmirësohet. Italia lufton, ashtu si edhe Spanja, kundër normave të larta të interesit për bonot e saj qeveritare dhe shpreson, se për të ulur presionin, Banka Qendrore Evropiane (BQE) do të vendosë tö blejë këto letra me vlerë. Banka Qendrore dëshiron të diskutojë lidhur me këtë më 6 shtator.

Draghi kundërshton kritikat ndaj BQE

Ndërkohë shefi i BQE, Mario Draghi, kundërshtoi kritikat e Bankës Federale Gjermane lidhur me politikën financiare të BQE, duke mbrojtur rolin shpëtimtar të Bankës Qendrore në krizën e euros. Banka Qendrore Evropiane duhet të reagojë ndaj trazirave në tregjet financiare, tha Draghi në një artikull për gazetën javore "Die Zeit". Ai kishte prezantuar një program për blerjen e bonove me kushte të caktuara. Shefi i Bankës Federale gjermane, Jens Weidmann, e ka kritikuar këtë rrugë. Weidmann paralajmëroi se një ndihmë e tillë mund të jetë "si një droge", që çon në varësinë e vendeve debitore. Takimi në Berlin i takon një vargu takimesh në lidhje me krizën. Të enjten e kaluar kancelarja bashkërendoi qëndrimet në Berlin me presidentin e Francës, Hollande. Të premten ajo priti kryeministrin grek Samaras. Hollande nga ana tjetër pritet më 4 shtator në Romë.

Shefi i BQE, Mario Draghi
Shefi i BQE, Mario DraghiFotografi: Reuters