1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Merkel - kryesim në Forbes e luftë me aferën e BND në vend

Kay - Alexander Scholz28 Maj 2015

Afera e BND-së është sërish temë qendrore në politikën e Berlinit. Për herë të parë Angela Merkel ka probleme serioze në politikën e brendshme. Por sa e rrezikon kjo aferë kancelaren gjermane?

https://p.dw.com/p/1FXOX
Deutschland Merkel bei der Eröffnung des Europäischen Hansemuseums in Lübeck
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Rehder

"Forbes" - revista ekonomike me influencë në Nju Jork e ka zgjedhur kancelaren gjermane Angela Merkel për herë të pestë radhazi si numrin 1 të listës së grave më të fuqishme në botë. Në argumentimin e saj thuhet se Merkel e ka mbrojtur Gjermaninë nga recesioni në kohën e krizës financiare. Ajo e ka përdorur pushtetin e saj kundër "Shtetit Islamik" dhe u dërgoi kurdëve armë. Me këtë kancelarja gjermane theu një tabu të mospërzierjes ushtarake pas Luftës së II Botërore. Përveç kësaj me diplomacinë e ecejakeve ajo u përpoq ta bindë Vladimir Putinin për një zgjidhje paqësore në krizën e Ukrainës. Edhe ndihma e saj në krizën e Greqisë nxirret në pah - Angela Merkel shihet si menaxherja e krizave.

Pikërisht për këtë Merkel është politikanji më popullore në Gjermani dhe gëzon besueshmëri të lartë. Ajo drejton një parti, CDU-në (partia kristiandemokrate), e cila grumbullon pas vetes më shumë votues se asnjë parti tjetër në këtë vend.

Por tani Merkel për shkak të kërkesave në opinionin publik po vihet në një situatë kritike. Arsyeja - aktivitetet e BND-së, Shërbimit Informativ Gjerman - e njohur si afera e BND-së.

Mesazhe politike

Në këtë çështje bëhet fjalë sidomos për mënyrën e veprimit të Merkelit pas zbulimeve që u bënë nga Edward Snowden në verën e vitit 2013. Ajo që ekspertët e spiunazhit e kishin thënë me kohë, papritur u bë e qartë për opinionin publik. Rasti Snowden e gjeti Merkelin në pikun e fushatës zgjedhore të CDU-së. Kancelarja reagoi atëherë me deklaratën se interneti paraqet "një tokë të panjohur" duke kërkuar mirëkuptim se shumë gjëra ende nuk janë rregulluar ligjërisht. Por pas kësaj u bë e ditur se vetë BND-ja kishte bashkëpunuar me NSA- agjencinë amerikane të sigurisë. Pra, kaq e panjohur nuk ishte toka e panjohur - sepse mbikqyrjen në anën ligjore dhe atë profesionale të BND-së e kanë në dorë zyra e kancelares.

USA Fahne Brandenburger Tor Berlin
No Spy? Amerikanët nuk ua premtuan këtë gjermanëveFotografi: Adam Berry/Getty Images

Marrëveshja No-Spy - një përrallë?

Kur afera vazhdonte të ziente, ministri i kabinetit të kancelares, Ronald Pofalla e deklaroi atë të përfunduar. Por as kjo nuk funksionoi. Pas kësaj erdhi fjalia e njohur e Merkelit. "Të spiunosh mes miqve- kjo nuk shkon aspak." Publikisht u bë fjalë për një marrëveshje "No Spy" - mospërgjimi mes dy vendeve. SHBA do të ishte e gatshme të negocionte me Gjermaninë për një marrëveshje të tillë, u tha.

Parlamentit gjerman nuk i pëlqeu aspak kjo taktikë e qeverisë - ai reagoi me një komision hetimor për NSA-në, i cili që atëherë përpiqet për transparencë. Christian Flisek, anëtar i komisionit dhe deputet socialdemokrat, partner në koalicionin qeverisës të Merkelit, e kritikoi debatin për marrëveshjen No Spy si një "qiri sa për tym në kohë fushate".

Zbulime më të fundit kanë bërë të ditur se Merkeli e dinte atëherë se nuk kishte premtime konkrete nga qeveria amerikane për një marrëveshje të tillë. Ajo që ishte premtuar ishte vetëm verifikimi i një rregulli të tillë. Sipas Flisek, si zyra e kancelares ashtu edhe komisioni hetimor "duhet të sqarojnë dukshëm kompleksitetin dhe të'i rivendosin gjërat ku duhet". Ndryshe në opinionin publik krijohet mendimi se "në kohë fushate zgjedhësit orientohen sipas interesit apo madje edhe gënjehen." Sipas Flisek Merkel ka dashur të jetë një heroinë, që "u merr me zor amerikanëve një marrëveshje, që nuk ekziston në këtë formë në botë."

Pyetje pa përgjigje

Qeveria gjermane bën të ditur përmes zëdhënësit të saj se në çështjen e BND-së është vepruar sipas motos - bëra më të mirën me atë çfarë dija, pajtuar me ndërgjegjen time. Deklarata me mospërgjimin mes miqve ka qenë një "deklaratë politike". Por nëse BND-ja ka vepruar konform ligjit, kur ka spiunuar partnerë europianë apo ata që janë "miq"- për këtë qeveria gjermane jep përgjigje të vakëta, me udhëzimin e një verifikimi ligjor. Tema të tilla po diskutohen në instancat përkatëse parlamentare, thotë qeveria.

Deutschland BND Abhörskandal Symbolbild
Selia e BND-së - me ndihmën e Shërbimit gjerman, NSA ka marrë informacione për politikanë dhe Firma në EuropëFotografi: picture-alliance/dpa/Paul Zinken

Sa mund ta rrezikojë afera e BND-së kancelaren Merkel? Si zakonisht partitë e tjera nuk duan t'u ikë nga dora kjo çështje, sepse shpresojnë të nxjerrin përfitime politike për vete. Dy partitë, e Majta dhe të Gjelbrit shprehen të zemëruar, po ashtu edhe partneri i koalicionit SPD. Socialdemokratët që ndodhen prej vitesh në nivele të ulta sondazhesh elektorale, që rrallë kalojnë 25%, shpresojnë të profilizohen me këtë temë. Në zgjedhjet e fundit parlamentare, kancelarja Merkel - figura qendrore e CDU/CSU-së ishte shpëtimi i kristiandemokratëve. Nëse imazhi i saj tani dëmtohet rëndë kjo do të kishte pasoja për zgjedhjet e Bundestagut në vitin 2017. Në një sondazh unioni konservator ka rënë ndërkohë nën 40%. Ka gjasa që afera e BND-së të zhduket nga lista e temave të rëndësishme- së shpejti duhet vendosur se si do të vazhdohet me Greqinë. Ndoshta një shans për Angela Merkelin të profilizohet sërish si kancelarja e krizave.