1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mbrojtja e Kushtetutës paralajmëron për rrezik nga shërbimi sekret rus

aud (spie dpa, rtr, afp,WamS)21 Prill 2014

Shërbimet e fshehta ruse duan të rekrutojnë në Gjermani informatorë nga politika dhe ekonomia. Këtë e bën të ditur Mbrojtja e Kushtetutës në Gjermani. Naiviteti i personave objekt i agjentëve rusë shpesh është i madh.

https://p.dw.com/p/1BlKt
Spiun para Portes se Brandenburgut, foto simbol

Këtë e bën të ditur gazeta "Welt am Sonntag" duke iu referuar Mbrojtjes së Kushtetutës gjermane dhe Kundërspiunazhit. Synimi i agjentëve rusë është që përmes punonjësve të Bundestagut dhe të ministrive të sigurojnë informacione delikate për politikën e jashtme dhe atë ekonomike si dhe për projektet e armatimit.

"Thuajse për asnjë shërbim tjetër të fshehtë nuk ka rëndësinë që ka për shërbimin e fshehtë rus zbulimi përmes shërbimit informativ në Gjermani", i tha Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Hans-Georg Maaßen gazetës "Welt am Sonntag". Sipas të dhënave të zyrës së tij, shërbimi i fshehtë rus për botën e jashtme, SWR përpiqet në mënyrë të përqendruar të rekrutojë funksionarë dhe bashkëpunëtorë shkencorë të politikanëve gjermanë, të fondacioneve dhe të ministrive, për të siguruar informacione delikate. Rreth një e treta e personelit të ambasadës ruse në Berlin besohet se ka lidhje me shërbimin e fshehtë rus, vlerëson Mbrojtja e Kushtetutës.

Vendi i ngjarjes - restoranti

Drejtuesi i Departamentit të Kundërspiunazhit, Burkhard Even tha se agjentët "analizojnë me shumë vëmendje se kush mund të ishte me interes për ta" dhe i hyjnë pastaj me qëllim lidhjes së miqësive me ta. "Prokurim gjysëm i hapur" quhet kjo formë e spiunazhit. Moska ka një "ritëm shumë të shpejtë" në këtë punë, bën të ditur gazeta gjermane. Vetëm në Berlin, sipas agjentëve gjermanë ka pasur më shumë se 100 përpjekje për të rekrutuar agjentë gjermanë.

Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës druhet se agjentët rusë ia kanë përforcuar përpjekjet e tyre për të rekrutuar agjentë që prej ardhjes së deputetëve të rinj në Bundestag. Shumicën e herëve gjithçka fillon me një ftesë të thjeshtë për një pritje në Ambasadën Ruse në Berlin.

Pamje simbol spiunazh
Fotografi: picture-alliance/dpa

Maskimi i agjentëve

Të maskuar si punonjës të zakonshëm të ambasadës, punonjësit e shërbimit të fshehtë rus u drejtohen në aktivitete të tilla personave të synuar. Këtyre punonjësve u shtohen të ashtuquajturit ilegalë, pra agjentë që bëjnë në dukje një jetë normale në Gjermani. Revista "Der Spiegel" ka të dhëna se ka një numër dyshifror personash që bëjnë një jetë të tillë në Gjermani. Punonjësit e ambasadave i kërcënon në rastin më të keq dëbimi - të gjithë të tjerët dënimi shumëvjeçar, siç ndodhi para pak vjetësh me një çift agjentësh që u zbuluan në jug të Gjermanisë.

Mënyra e veprimit e agjentëve rusë është gjithnjë e njëjta. Testohet nëse personi i vënë në shënjestër ka informacione për shembull për politikën energjetike apo nëse ka njohuri për sipërmarrje të mëdha ekonomike, për NATO-n ose për BE. Pastaj kryhen takime të agjentëve me personat e tyre të kontaktit në restorante, bare dhe kafene. Para jepen vetëm tërthorazi. Pala ruse paguan ushqimet dhe pijet.

Të habitur janë punonjësit e shërbimit informativ gjerman për naivitetin e personave të vënë në shenjëstër të agjentëve rusë. Shumicën e herëve këta kanë qenë shumë të habitur, kur kanë mësuar se me kë kanë mbajtur kontakt. Takimet konspirative me shërbimet e fshehta të huaja janë të ndëshkueshme penalisht në Gjermani.