1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mazhoranca dhe opozita në Shqipëri të ndara edhe në festimin e statusit

Ani Ruci30 Qershor 2014

Mazhoranca dhe opozita në Shqipëri e festojnë veҫmas në fundjavë zyrtarizimin e statusit të vendit kandidat për në BE.

https://p.dw.com/p/1CSS9
Albanische und EU-Flagge
Fotografi: DW/ Cama

“Hapja e negociatave varet vetëm nga progresi i Shqipërisë në reforma” u shpreh së fundi kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë një interviste me TV ABC News, me seli në Tiranë. Pasi ministrat e jashtëm të BE-së më 24 qershor miratuan statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit të Parlamentit Europan për Europën Jug- Lindore, deklaroi se “progresi i arritur, është i mundur vetëm nga përpjekjet e përbashkëta të të gjithë aktorëve politikë. Inkurajoj politikanët të fokusohen tek reformat kryesore dhe të ҫojnë përpara progresin e arritur”. Bashkëpunimi mes forcave politike për të kryer pikërisht këto reforma është thelbi i mesazheve të BE-së dhe personaliteteve politike me peshë drejtuar politikanëve të Shqipërisë për atë që vjen pas statusit: hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Marrja e statusit dhe përgjegjësia politike që ai sjell për të vazhduar procesin e integrimit dhe për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE ka krijuar pritshmëri për një fillim të ri në marrdhëniet mes palëve.

Por as vendimi historik për Shqipërinë, marrja e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE nuk i ka bashkuar mazhorancën dhe opozitën për të festuar në ceremonitë festive në fundjavë.

Opozita nuk i është përgjigjur ftesës së kryeministrit socialist Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë festive gjithëpërfshirëse, të zhvilluar të shtunën (28.06.2014) në Pallatin e Brigadave, me rastin e marrjes së statusit, ceremoni ku morën pjesë ish- kryeminstra dhe presidentë të Shqipërisë, përfaqësues nga gjithë shoqëria dhe politikanë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Opozita zhvilloi një ceremoni më vete për statusin, në të njëjtën mbrëmje, në Amfiteatrin e Liqenit Artificial të Tiranës, disa qindra metra larg nga pallati i Brigadave. Festimi i marrjes së statusit veҫ e veҫ risjell të shkuarën konfliktuale që ka karakterizuar në më shumëse 20 vjet marrrëdhëniet mes maxhorancave dhe opozitave në Shqipërinë e para – statusit.

Që pas zgjedhjeve të 23 qershorit që kreu kalimin e pushtetit nga PD tek PS, bashkëpunimi dhe dialogu maxhorancë - opozitë ka ecur përmes vështirësishë, ulje- mgritjesh, debatesh të nxehta dhe konfliktualiteti ekstrem. Që reformat e mëdha, si ajo e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, komsolidimit të shtetit ligjor etj. të kryhen me sukses, parakusht i domosdoshëm mbetet bashkëpunimi opozitë- qeveri. Në një intervsitë për DW, Eduard Kukan i qartëson këto pritshmëri kur thekson që “Qeveria dhe opozita duhet të tregojnë që integrimi i Shqipërisë në BE është në interesin e tyre të përbashkët, se është një proçes i gjatë në kohë, përtej mandatit të një qeverie dhe duhet të kenë vazhdimisht në mendjen e tyre, se integrimin po e bëjnë për shqiptarët.”

.