1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Masa tё forta sigurie pёr garantimin e vizitёs sё Papёs nё Shqipёri

Ani Ruci20 Shtator 2014

2500 policë dhe shërbimet sekrete pёr garantimin e sigurisë sё Papa Franҫeskut gjatë vizitës apostolike në Tiranë. Rreth 500 mijë pelegrinë nga e gjithë bota qendrojnë në Tiranë për të marrë pjesë në Meshën e Shenjtë.

https://p.dw.com/p/1DGKO
Dekoration vor Papstbesuch in Tirana
Fotografi: DW/A. Ruci

Burime zyrtare nga Qendra e Shtypit, e ngritur enkas nga Kisha Katolike e Shqipërisë me rastin e vizitës të dielwn (21 shtator 2014) në Tiranë, të Papa Franceskut, bëjnë me dije se në kryeqytet kanë mbritur rreth 500 mijë pelegrinë nga gjithë bota për të marrë pjesë në Meshën, që Ati i Shenjtë do të mbajë në orën 11.00 në Sheshin "Nënë Tereza".

Një ditë para vizitës apostolike të Papës ky shesh është vizituar nga mijwra qytetarë të Tiranës, qyteteve të tjera dhe vizitorë nga vendet fqinjë. Të njëjtat burime pohojnë se vizita e Papës po pritet me një interes të jashtëzakonshëm nga të gjithë shqiptarët: besimtarë katolikë, ortodoksë, myslimanë, njerëz nga politika, bota akademike dhe shoqëria civile. Ndërkohë që 1200 gazetarë të huaj janë akredituar në Qendrën e Shtypit të Kishës Katolike për ta pasqyruar këtë vizitë.

Në programin zyrtar përfundimtar të publikuar (20.09)nga Kisha Katolike, bëhet me dije që Papa Francesku mbërrin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza" të dielën në mëngjes, në orën 9.00 dhe pas mirëseardhjes nga Kryeministri Edi Rama ai do të drejtohet për në sheshin para presidencës.

Itinerari i Atit të Shenjtë kalon nga Bulevardi i Dëshmorëve, ku atë do ta "përshëndesin2 portretet e 40 martirëve të fesë, katolikë dhe ortodoksë, të pushkatuar në kohën e Shqipërisë komuniste- ateiste, me të cilët është dekoruar ky bulevard. Flamuj të Vatikanit dhe ata kombëtarë janë vendosur në të gjithë itinerarin nga aeroporti në sheshin para presidencës. Në këtë shesh do të zhvillohet një tjetër ceremoni mirëseardhjeje dhe pas saj Ati i Shenjtë do t'i bëjë një vizitë kortezie presidentit Bujar Nishani, në Pallatin Presidencial, ku do të takohet edhe me autoritetet civile të Shqipërisë. Në orën 11.00 Papa do të mbajë Meshën e Shenjtë - Angelus Domini - në sheshin "Nënë Tereza".

Pas mbarimit të Meshës dhe drekës me klerin e lartë katolik të Shqipërisë, Ati i Shenjtë do të takohet në Universitetin Katolik "Zoja e Këshillit të Mirë" me krerët e komuniteteve të tjera fetare në Shqipëri- atij ortodoks, mysliman dhe bektashi.

Vizita e Atit të Shenjtë do të vijojë pasdite me meshën në Katedralen Katolike të Tiranës me besimtarët katolikë, seminaristë, të ftuar etj. Në përfundim të vizitës 12 orëshe në Tiranë, Papa Franҫesku, do të vizitojë fëmijët jetimë të "Qendrës Betany" dhe përfaqësues nga qëedrat e tjera bamirëse të Shqipërisë.

Masa të forta sigurie

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit, në një njoftim zyrtar bëjnë me dije se kanë marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktiviteteve të programuara në kuadër të vizitës së Papa Françeskut në Tiranë. 2500 forca policore do të jenë të angazhuara me detyra konkrete për të siguruar mbarëvajtjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Për të garantuar sigurinë e Papës janë angazhuar përveҫ Poicisë së Shtetit edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes,Garda e Republikës dhe Drejtoria Përgjithshme e Emergjencave Civile.

Policia e Shtetit bën me dije publikun se do të ketë kontrolle të shtuara policore në të gjitha akset rrugore, si dhe në të gjitha pikat hyrëse në kryeqytet. Në zonën ku do të zhvillohen aktivitetet e parashikuara në axhendën e vizitës, masat e sigurisë dhe prezenca e punonjësve të Policisë së Shtetit me uniformë dhe civilë, do të jetë maksimale.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë vënë në dispozicion të qytetarëve një numër telefoni dhe i kanë ftuar ata të bëhen pjesë e përpjekjes së përbashkët për të garantuar siguri maksimale për vizitën e Papës dhe të telefonojnë për të gjitha rastet kur ata do të konstatojnë diçka të dyshimtë.