1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Maqedonia në pritje të të dërguarit të posaçëm evropian

Fatos Musliu28 Maj 2015

Komisari i BE-së, Johannes Hahn, dhe eurodeputetët Iwo Weigel, Richard Howitt dhe Eduard Kukan, priten të hënën (01.06) në Shkup. Ata vazhdojnë të ndërmjetësojnë mes VMRO­-DPMNE dhe LSDM për zgjidhjen e krizës politike.

https://p.dw.com/p/1FXuo
Mazedonien Proteste gegen Ministerpräsident Nikola Gruevski
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/B. Grdanoski

Bisedimet do t'i kryesojë si ndërmjetësues i Bashkimit Evropian komisari Johannes Hahn. Pas takimit javën e kaluar në Strasburg kjo është hera e dytë e bisedimeve mes kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe liderit të LSDM­-së opozitare, Zoran Zaev. Nga kabineti i komisarit Hahn u konfirmua informacioni, se njeriu i parë për zgjerimin e BE­së planifikon së shpejti një vizitë në Maqedoni.

Zëdhënësja e Komisionit E­vropian, Maja Kocijançiç, deklaroi për agjencinë shtetërore MIA, se: “BE edhe më tej duhet të angazhohet në mënyrë aktive me të gjithë liderët politik në Maqedonisë për zgjidhjen e krizës aktuale politike. Ne i shfrytëzojmë mjetet ekzistuese për zgjerim, si dhe procesin e lehtësimit të udhëhequr nga eurodeputetët dhe komisari Hahn. Ky është fokusi i angazhimit dhe mbështetjes së BE-­së”, thekson Kocijançiç.

Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Iwo Weigel, deklaron se ndërmjetësuesit evropianë nuk kanë për detyrë të japin propozime për zgjidhje, rreth saj duhet të merren vesh aktorët politik në Shkup. Sipas tij një marrëveshje do të duhej të arrihet para fillimit të verës, me qëllim që Maqedonia të mos rrezikojë edhe më tej ftesën për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

BE duhet me vendosmëri të veprojë që të ndihmojë në stabilizimin e gjendje në Maqedoni, e cila ka perspektivë të qartë evropiane, konsideron euro- deputeti slloven dhe kryetari i delegacionit parlamentar për Maqedoninë, Alojz Peterle.“Natyra ndëretnike, ndërfetare, post- totalitare dhe ajo e pasluftës në Ballkan nuk duhet të nënvlerësohen. Nisma që të përfshihen dy liderët kryesorë politik në biseda është shenjë e mirë, se bëjmë çdo gjë që kriza të mos përshkallëzohet. Angazhimi ynë duhet të jetë më i gjerë dhe i vazhdueshëm, me angazhimin e nivelit më të lartë politik derisa të arrihet zgjidhje”, thotë Peterle.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski thotë se procesi i emërimit të përfaqësuesit special të BE-së në Maqedoni nuk është i lehtë dhe i shpejtë. Ky person duhet të identifikohet, të përzgjidhet dhe për të duhet të egzistojë pëlqim i gjerë si dhe të precizohet mandati i tij. E gjithë kjo procedurë kërkon kohë , thotë Fërçkovski. Sipas tijë pasi të shteren bisedimet e këtij lloji që po zhvillohen në këtë format do të jetë e domosdoshme që gjatë muajit qershor Uashingtoni dhe Berlini të inkuadrohen si ndërmjetësues në bisedime për krijimin e qeverisë kalimtare.

“Nuk besoj se kryeministri Gruevski do të japë dorheqjen, sepse kjo do të thotë të pranojë fajin. Vlerësoj se përmes bisedimeve ku do të jenë edhe ndërkombëtarët do të arrihet marveshje për formimin e qeverisë kalimtare, e cila do t'i mundësojë Gruevskit të tërhiqet me dinjitet”, thekson Fërçkovski.

Përfaqësues i fundit i BE-s në rolin e ndërmjetësuesit në Maqedoni ka qenë Alen Le Roa në periudhën pas kofliktit të armatosur në 2001.

Analistët: Qeveria kalimtare është shpëtimi nga kriza

Ardhja e komisarit Hahn dhe tre eurodeputetëve në Maqedoni do të vendosë një dinamikë të re në bisedimet, që po zhvillohen midis katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni, vlersojnë ekspertët. Profesori Mersel Bilalli, thotë se ka ardhur fundi i Gruevskit dhe se takimet e liderëve janë për dikë teatër, për dikë blerje kohe, kurse për ndokënd demonstrim i konstruktivitetit: “Pa dilemë se janë këto ditë të fundit të regjimit të Gruevskit, i cili do të mbetet i shënuar në histori për lidhjet me krimin e organizuar, që me mjeshtëri e mbulonte përmes një patriotizmi të rremë dhe nacionalizmi në kontinuitet. Me kyçjen e ndërkomëtarëve në bisedime, politika destruktive e Gruevskit do të marrë fund”, vlerson Bilalli.

Prof. Mirjana Maleska thekson se të gjitha masat demokratike për rëzimin e një qeverie janë konsumuar dhe nuk mund të bëhet më asgjë më shumë, veçse të pritet dorëheqja e qeverisë. “Si duket nuk mund të bëhet asgjë më shumë nga ajo që është bërë që qeveria të dorëhiqet. Duhet t'i ruajmë nervat dhe të shpresojmë që procesi negociues nuk do të stërgjatet, që të mos suprizohemi me ndonjë dhunë të re ndaj qytetarëve”, thotë Maleska.

Nëse BE dërgon ndërmjetësues në bisedime atëherë mund të pritet ndonjë zgjidhje e shpejtë e krizës politike në vend thotë analisti Ismet Ramadani. Sipas tijë ndërmjetësuesi eventual i BE-së nuk do të ketë vetëm rolin e vëzhguesit, por edhe të personit i cili në tavolinë do të paraqesë propozime konkrete për gjetjen e një zgjidhjeje për të tejkaluar krizën që ka përfshirë vendin.

“Me vet faktin që tani paralajmërohet ardhja e përfaqësuesi të BE-së, besoj se ai do të ketë autorizime që të fortë t‘u japë drejtim këtyre bisedimeve. Nëse në tryezën e bisedimeve është përfaqësuesi ndërkombëtar atëherë mund të pritet që zgjdhja të jetë e afërt”, nënvizon Ramadani.

​​Kryetari i partisë opozitare LSDM, Zoran Zaev, pret që kriza politike në Maqedoni të tejkalohet deri në fund të muajit qershor. Ai ftoi SHBA-në dhe BE-në të ndihmojnë që sa më parë të gjendet një zgjidhje për krizën e thellë në të cilën është zhytur vendi.“Ende po bisedohet për kornizën, për formatin, për shumë detaje. Në tavolinë po paraqesim edhe temat, por ende nuk kemi hyrë në detaje dhe nuk mund të themi se ka filluar procesi i negociatave”, thotë Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.