1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lëndohet rëndë një shtetas gjerman në Beograd

bc/Agenturen15 Shtator 2014

Një aktivist gjerman për të drejtat e homoseksualëve është rrahur brutalisht në Beograd. Ai ka përfunduar në spital me lëndime të rrezikshme për jetë.

https://p.dw.com/p/1DCHK
Fotografi: Getty Images/A. Isakovic

"Personi i lënduar është sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë dhe me gjakderdhje të brendshme", bëri të ditur mjeku kujdestar në spitalin e emergjencës në Beograd, Dushan Jovanoviq. Gjermani i rrahur në qendër të Beogradit është operuar, pasi që janë konstatuar lëndime të rënda në kokë. Gjendja e tij është stabile, por e rëndë, kumtuan autoritetet e spitalit. Të lënduarin e ka vizituar menjëherë edhe ambasadori gjerman në Beograd, Heinz Wilchelm, i cili ka kërkuar zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin tha se "ata janë në kontakt me ambasadën në Beograd, e cila ka kontakte të përhershme me të sulmuarin dhe autoritetet lokale, me të cilat po përpiqemi të zbardhim sa më parë ngjarjen".

Gjendje e rëndë por stabile

Ministri i Shëndetësisë Zlatibor Lonçar tha se "gjendja e të lënduarit ende është e rrezikshme për jetën, ndonëse stabile". Në fundjavë ai ka pasur vetëdije dhe ka qenë në gjendje të komunikojë me të tjerët. Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviq e ka dënuar këtë sulm brutal dhe ka urdhëruar hetime të shpejta për zbardhjen e ngjarjes. Policia e Serbisë ka arrestuar ndërkohë tre persona të dyshuar për sulm ndaj shtetasit gjerman. Detajet për shkaqet e sulmit nuk dihen ende.

26-vjeçari D. H. ishte pjesëmarrës në një konferencë të mbajtur në Beograd për të drejtat e homoseksualëve (LGBT). Organizatorët e konferencës kanë organizuar edhe një marsh proteste në qendër të Beogradit, për shkak të këtij sulmi. Brenda dy javësh në Beograd duhet të mbahet edhe një paradë e komunitetit LGBT. Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq tha se vendi i tij do të respektojë të drejtat e të gjitha minoriteteve. Vuçiq tha se në Serbi nuk do të ketë diskriminime dhe se kjo është e ndaluar edhe me kushtetutë.

Sulmi në prag të paradës

Zëdhënësi për çështje të brendshme i Partisë Ekologjiste në Gjermani, Volker Beck, tha se qeveria e Serbisë duhet të prononcohet qartë në mbojtje të "Belgrad Pride", e cila do të mbahet me 28 shtator. Beck ishte pjesëmarrës në këtë konferencë në Beograd me titull: "Ardhmëria na përket neve: të drejtat e LGBT në rrugën drejt anëtarësimit në BE".

Në paradën e fundit të LGBT në Beograd, në vitin 2010, janë lënduar rreth 150 persona, pasi që pjesëmarrësit e paradës për të drejtat e homoseksualëve janë sulmuar nga e djathta ekstreme në Serbi. Prej atëherë janë refuzuar të gjitha kërkesat për parada të tilla, për shkaqe sigurie.