1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër urrejtjes ndaj romëve në Rumani

Keno Verseck / Bahri Cani8 Mars 2013

Para katër vitesh në fshatin rumun Sâncrăieni ka pasur sulme ndaj romëve mbi baza racore. Ngadalë situata është qetësuar, por nuk është përmirësuar shumë.

https://p.dw.com/p/17tlY
Pamje nga fshati Sancraieni i Rumänisë ku jetojnë romë
Pamje nga fshati Sancraieni i Rumänisë ku jetojnë romëFotografi: Andreea Tanase

Ditët e marsit janë të ftohta në këto rajone, me rreth minus 12 grad në mëngjes. Bora do të shkrijë pas disa javësh kur të vijë pranvera. Romët e fshatit presin kohë më të mira. Muajt e dimrit i mbijetojnë nga ndihmat e vogla sociale - një familje tre anëtarëshe merr nga 100 eurë në muaj, së bashku me shtesat për fëmijë. Askush prej tyre nuk mund të blejë lëndë djegëse për ngrohje. Ata shkojnë në mal dhe mbledhin dru. Fëmijët shkojnë në shkollë paradite ndërsa gratë bëjnë drekën, me ato pak gjëra që kanë. Burrat shkojnë kohë pas kohe në një kafene të fshatit për t'u ngrohur dhe për të pirë kafe.

"Ju lutem, mund të kujdeseni që këta njerëz të furnizohen të paktën me dru për ngrohje", thotë János Gráncsa, perfaqësues i romëve në këtë fshat. Më pas interesohet për vende të lira pune në Gjermani. "Ne i bëjmë të gjitha punët, në ndërtimtari, bujqësi, të gjitha!"

Romë në Sancraieni të Rumanisë
Romë në Sancraieni të RumanisëFotografi: DW

Dhuna ndaj romëve

Sâncrăieni është një fshat në Shkerland të Rumanisë, me rreth 2500 banorë. Shumica e tyre janë të minoritetit hungarez, por rreth 10 % janë romë. Ky vend nuk është i pasur, por i ka punët më mirë se shumë fshatra të tjera, sepse këtu është edhe prodhuesi i ujit mineral "Perla Harghitei", me rreth 250 punëtorë. Ka dhe disa firma të tjera të vogla.

Por romët jetojnë në kushte shumë të rënda. Ata jetojnë në mjerimin më të thellë, si në vendet e treta të Afrikës, ndonëse Rumania është anëtare e Bashkimit Evropian. Një pjesë e romëve jeton buzë rrugës, në kasolla prej druri të cilat gati janë rrëzuar. Jetojnë së bashku me kafshë: dele, dhi, pula, qenë...Objektet sanitare janë në gjendje katastrofale. Dhomat, shtretërit dhe guzhinat, poashtu.

Krahas varfërisë dramatike, në vitin 2009 ata ishin në shënjestër të sulmeve mbi baza racore. Pas një rrahjeje mes një romi dhe një hungarezi, romëve u janë djegur shumë kasolle. Vetëm prezenca e madhe e policisë ka mundur të evitojë linçin e romëve.

Romi i goditur me thikë më pas është dënuar me nëntë vjet heqje lirie. Ndërkohë që kundër atyre që u kanë vënë flakën dhe kanë djegur kasollet rome nuk janë ndërmarrë masa. Kryetari i bashkisë Ernö Székely ka detyruar madje përfaqësuesit e romëve në fshat që të nënshkruajnë një lloj "Pakti për bashkëjetesë paqësore". Romët janë detyruar të pranojnë edhe kushte, si heqja dorë nga mbajtja e kafshëve apo detyrimi për "sjellje të civilizuar".

Fëmijë romë në kurse mësimi pë kompjuter në Rumani.
Fëmijë romë në kurse mësimi pë kompjuter në Rumani.Fotografi: Daniel Mihailescu/AFP/Getty Images

Pedagogia dhe punëtorja sociale, Emese Jóni ka ardhur kaherë në këtë fshat. Ajo ëshë rome dhe e njeh prej kohësh këtë fshat. Prej vitit 2006 punon vullnetarisht në sektorin social dhe ka kontakte të rregullta me romët e fshatit. Pas trazirave të vitit 2009 ajo vjen këtu çdo ditë dhe i këshillon romët lidhur me çështjet e përditshme.

Kushtet e rënda për punë

Rezultatet e para të punës së saj u panë shumë shpejt: Emese Jóni është kujdesur që të gjithë fëmijët romë, për herë të parë në jetën e tyre, të vaksinohen kundër sëmundjeve të ndryshme. Disa më të moshuar kanë mësuar shkrim-leximin. Në vjeshtë për herë të parë kanë nisur shkollën të gjithë fëmijët romë (përveç në dy raste). Por në janar u ndërpre puna e Emese Jóni. Këshilli i fshatit nuk ia ka zgjatur kontratën e punës. Zyrtarisht është thënë për shkak se ajo ka një vend tjetër pune. Por Emese Jóni thotë se me dëshirë do të vazhdonte këtë punë. Duket se disa përgjegjës të fshatit kanë dashur ta largojnë atë. Kryetari i bashkisë, Ernö Székely pohon: "Nuk mund të them se zonja Jóni po na mungon këtu". Ndërsa për romët thotë se "çdogjë është në rregullin më të mirë". Ndërkohë që ata edhe më tej quhen "ciganë" dhe jetojnë në kushte tepër të rënda.

Bazat për tolerancë

Emese Jóni nuk do të komentojë deklaratat e kryetarit të bashkisë, por duket shumë mirë që ajo vuan. Ajo është krenare me punën që ka bërë, me përparimet e arritura: "Ajo që kam bërë unë është vetëm fillimi në rrugën e përmirësimit të kushteve për romët. Ne kemi nevojë për shumë vite të tjera pune, për të arritur rezultatet e duhura."

Familje romë që jetojnë në gjendje katatstrofale në Sancraienitë Rumanisë.
Familje romë që jetojnë në gjendje katatstrofale në Sancraienitë Rumanisë.Fotografi: Andreea Tanase

Emese Jóni është e interesuar që të vazhdojë projektet për përmirësimin e kushteve të nxënësve dhe për afrimin e nxnësve hungarezë me ata romë. "Në shtigje të gjata, qëllimi im është që fëmijët romë dhe hungarezë të jetojnë në miqësi dhe pa konflikte", thotë Emese Jóni. "Nëse kjo gjeneratë e re arrinë nivelin e lojës dhe mësimeve të përbashkëta, atëherë një ditë ndoshta nuk do të ketë dallime mes romëve dhe të tjerëve", shpreson ajo.