1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji i Obamës për imigracionin duhej të ishte bërë prej kohësh

Michael Knigge15 Nëntor 2014

Me reformën për imigracionin presidendi amerikan Obama përmbush një premtin elektoral dhe i kthen kundër vetes republikanët. Por reforma është e mirë për vendin, mendon Michael Knigge.

https://p.dw.com/p/1Do9w
Fotografi: John Moore/Getty Images

Plani i Obamës për zbatimin e reformës së imigracionit pa miratimin e Kongresit nuk është suprizë. Që në qershor Obama kishte deklaruar se do të merrej vetë me këtë temë, pasi negociatat dyvjeçare në Kongres për reformën e legjislacionit dështuan për shkak të republikanëve. Paaftësia vepruese e parlamentarëve i bëri të qartë presidentit deri në atë moment ngurrues, se reforma e premtuar prej tij në fushatën elektorale mund të bëhej vetëm nëse ai e zbaton vetë me dekret dhe pa miratimin e Kongresit.

Që në verë ekspertët ligjorë të Shtëpisë së Bardhë punojnë me specialistë të tjerë për të zbatuar masat në mënyrë të tillë që të jenë të qendrueshme edhe pas valës së pritur të padive nga republikanët. Në ditën pas zgjedhjeve në mes të mandatit të presidentit, Obama deklaroi se dekreti do të shpallet brenda këtij viti. Tani duket se ka ardhur momenti. Sipas njoftimeve të medieve në SHBA, ai mund të zbatohet që javën e ardhshme.

Perspektivë për miliona vetë

Sipas detajeve të bëra deri tani të njohura të dekretit, Obama do të bëjë një hap të madh. Kështu thelbi i reformës do të mbrojë nga dëbimi deri në pesë milionë vetë pa leje qendrimi. Prindër të fëmijëve që janë shtetas të SHBA apo që qëndrojnë legalisht në SHBA do të marrin leje për të punuar dhe qendruar në vend.

Dekreti i Obamas parashikon mesa duket edhe zgjerimin e një programi të nisur dy vjet më parë për mbrojtjen e imigrantëve të rinj nga dëbimi. Veç kësaj janë planifikuar masa për përmirësimin e shanseve për punë të imigrantëve me njohuri nga informatika si dhe investime shtesë për mbrojtjen e kufirit me Meksikën. Masa e parë duhet të sigurojë mbështjen e planit nga ekonomia, e dyta duhet të zhvlerësojë që në fillim akuzën e mundshme të republikanëve se Obama e lë pas dore mbrojtjen e kufirit.

Por në të vërtetë është krejt e parëndësishme se çfarë do të përmbajë dekreti presidencial. Pasi republikanët ashtu si pritej po bëjnë gati qëndresën kundër Obamës. Zëdhënësi i Dhomës së Përfqësuesve John Boehner ka njoftuar ndërkohë se republikanët do të mbrohen "me këmbë dhe duar" nëse Obama do të zbatojë reformën. Gazetari konservator Charles Krauthammer madje shkruante se sjellja e Obamës përmbush kushtet për një procedurë për heqjen e mandatit.

Refuzuesit republikanë të reformës

Presidenti Obama duhet të bëhet gati mirë për mbrojtje. Vërtet do të jetë e vështirë juridikisht të ndalohet dekreti, por republikanët në Kongres planifikojnë ndërkohë të bllokojnë miratimin e radhës të buxhetit, nëse dekreti për imigracionin nuk kthehet mbrapsht. Rezultati mund të ishte një "government shutdown" i ri, pra mbyllja e autoriteteve shtetërore.

Por megjithë kërcënimet Obama duhet të bëjë gjithçka për të penguar që republikanët të shkatërrojnë reformën e imigracionit. Pasi ajo duhej të ishte bërë prej kohësh. Që në vitin 2007 ish presidentit George W. Bush iu desh të pranonte një disfatë të hidhur kur reforma mbipartiake e iniciuar prej tij u rrëzua në fund nga pjesëtarë të Partisë së tij Republikane. Shtatë vjet më vonë republikanët në Kongres, me refuzimin e një propozimi mbipartiak për reformë, bënë përfundimisht të qartë, se nuk kanë asnjë interes për një reformë serioze të legjislacionit për imigracionin.

Kritika e republikanëve se veprimi i njëanshëm i Obamës minon çdo mundësi për një përpjekje të re të Kongresit në legjislacionin për imigracionin, është e pandershme. Bilanci i viteve të fundit flet një gjuhë të qartë dhe tregon se republikanët kanë torpeduar çdo përpjekje për reformë. Nuk ka asnjë arsye të besohet se një Kongres, i cili në të ardhmen kontrollohet plotësisht nga republikanët do të bëjë patjetër një kthesë në qendrim.

Deutsche Welle Michael Knigge
Redaktori i DW Michael KniggeFotografi: DW/P. Henriksen

SHBA si vend imigracioni

Miliona njerëzit pa leje qendrimi - shumë prej tyre janë ndërkohë prej vitesh në vend dhe përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë së SHBA - nuk mund të presin edhe shtatë vite të tjerë derisa republikanët të janë më në fund gati për një reformë. Ata që tani janë pezull dhe meritojnë një perspektivë për t'u bërë më një fund pjesëtarë me të drejta të plota të shoqërisë amerikane.

Dekreti i Obamës për imigracionin nuk do të jetë i gjithanshëm dhe nuk do t'u japë përgjigje të gjitha pyetjeve në trajtimin e imigracionit. Por ai është një hap i rëndësishëm dhe i guximshëm në drejtimin e duhur, i cili i shkon shumë mirë vendit të imigracionit SHBA.