1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ligji me efektin 10 minutësh për azilkërkuesit?

av/taz24 Shtator 2014

Klasifikimi i shteteve të Ballkanit si "të sigurta" s'do të çojë në dëbimin më të shpejtë të azilkërkuesve nga këto vende, shkruan gazeta gjermane Tageszeitung. Procedura nuk shkurtohet gati aspak.

https://p.dw.com/p/1DJFY
Fotografi: picture-alliance/dpa/Bernd von Jutrczenka

Kërkesat për azil nga Ballkani Perëndimor nuk të refuzohen pra automatikisht në të ardhmen. Përkundrazi azilkërkuesi mund ta hedhë poshtë prezumimin ligjor, që ai nuk është i persekutuar në vendlindjen e tij. Prandaj edhe për azilkërkuesit nga Serbia, Bosnja dhe Maqedonia vazhdojnë të zhvillohen procedurat e pandryshuara të azilit në Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF). Kjo do të thotë se aplikantët intervisohen me gojë dhe mund të tregojnë gjithçka, që është relevante për azilin dhe mekanizma të ngjashme mbrojtjese. BAMF duhet të shqyrtojë çdo gjë si deri tani.

Kuota mbrojtëse 0,6%

Azil marrin njerëzit, që kërcënohen personalisht nga persekutimi, tortura, dhuna jo-shtetërore apo kërcënime të ngjashme. Sipas ligjit mund të merren në konsideratë edhe diskriminimet e shumëfishta, të cilat në efekt të fundit janë të barasvlershme me persekutimin. Problemi i aplikuesve nga Ballkani Perëndimor është se ata nuk mund të sjellin, apo dëshmojnë fakte relevante. Deri tani gati të gjitha kërkesat për azil nga Ballkani Perëndimor janë refuzuar, , shkruan artikullshkruesi. Shkalla e mbrojtjes për refugjatët nga Serbia është aktualisht 0.6 për qind, ndërsa për refugjatët sirianë shkalla e mbrojtjes arrin në 99,9 për qind. Kjo nuk është vetëm linja e BAMF, që varet nga ministri i Punëve të Brendshme. Edhe gjykatat administrative gjermane i kanë korrigjuar në raste jashtëzakonisht të rralla kërkesat për azil nga Ballkani Perëndimor. Nëse ka raste që miratohen pengesat për kthim në vendin e origjinës, kjo zakonisht nuk ka të bëjë me kushtet në vendin e origjinës, por me ndonjë sëmundje të rëndë të refugjatit.

Refugjatët, kërkesa e të cilëve është refuzuar si „dukshëm të pabazuara“, kanë vetëm mbrojtje minimale ligjore, vazhdon gazeta. Ky është edhe qëllimi i vërtetë i kualifikimit si “shtet i sigurtë i origjinës“. Azilkërkuesi duhet të bëjë ankesë brenda një jave pas refuzimit të kërkesës së tij dhe të kërkojë mbrojtje urgjente ligjore. Gjykata administrative duhet të vendosë pastaj brenda një jave për kërkesën e tij urgjente. Nëse ajo refuzohet, atëherë aplikanti i refuzuar mund të dëbohet menjëherë...

Çështje e organizimit

Se sa zgjat procedura e azilit është në rradhë të parë çështje e organizimit dhe jo ligjore. Prej disa kohësh kërkesat për azil të aplikantëve serbë, boshnjakë dhe maqedonas kanë prioritet në BAMF.

Prandaj këto procedura azili zgjasin vetëm tre deri katër muaj, ndërsa aplikantët nga vendet e tjera duhet të presin mesatarisht tetë muaj për vendimin për të ardhmen e tyre...