1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Liderët s’po arrijnë të gjejnë rrugëdalje nga kriza

Fatos Musliu18 Maj 2015

Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni VMRO-DPMNE, BDI. LSDM dhe PDSH edhe në takimin e dytë (18.05) nuk arritën të gjejnë ndonjë rrugëdalje kriza e brendshme politike.

https://p.dw.com/p/1FRcO
Fotografi: picture-alliance/dpa/V. Xhemaj

Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni VMRO-DPMNE, BDI. LSDM dhe PDSH edhe në takimin e së hënës (18.05) nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për daljen e Maqedonisë nga kriza politike. Lideri i opozitës maqedonase, Zoran Zaev, tha se edhe në takimin e dytë të liderëve nuk është arritur asnjë përparim.

“Nuk ka pasur asnjë përparim, por jemi marrë vesh për takimin e radhës më 26 maj. Në tryezë ka pasur disa propozime për negociata, por ne nuk i kemi pranuar për t‘u diskutuar, për shkak se qëndrojmë pas kërkesave tona”, ka thënë Zaev. Sipas tij është e nevojshme formimi i një qeverie kalimtare dhe të rivendoset sistemi normal i shtetit. Ajo qeverisje do të organizonte zgjedhje korrekte dhe demokratike. Zaev nënvizoi se formimi i kësaj qeverie mund të jetë qeveri teknokratësh, ekspertësh, apo qeveri politike. Zoran aev ka nënvizuar faktin se për të pasur përparim në bisedimet e liderëve duhet të vërtetohen principet e bisedimeve, të sigurohet barabarësi në palët biseduese dhe të ofrohet garanci se ajo, që do të arrihet si marrëveshje, do të respektohet.

Massendemonstration der Opposition zum Sturz der Regierung in Mazedonien
Fotografi: DW/K. Blazevska

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, ka thënë se qëndrimet e tij do t`i shpalosë në mitingun e sontëm në Shkup. BDI nuk është deklaruar për mediat, ndërsa Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) përmes zëdhënësit të saj Luan Tresit ka bërë me dije se partia e tyre ka dalur me disa propozime për tejkalimin e krizës politike.

"Kemi pasur një propozim në tryezë dhe një pjesë e tij është pranuar, por edhe ne kemi propozimet tona, që do t‘i shpalosim dhe shqyrtojmë. Këto çështje janë pjesë e debatit dhe pikave partiake të dala nga organet partiake", ka deklaruar Tresi.

Bisedimet barten në Strasburg

Lideri i VMRO-DPMNE-s Nikolla Gruevski dhe ai i opozitës maqedonase Zoran Zaev nesër (19.05) do të ulen në tryez të përbashkët të bisedimeve në Strasburg, ku janë të ftuar nga përfaqësues të Komisionit Evropian. Zaev tha se pritet që të ketë propozime të reja në takimin në Strasburg, edhe atë nga ana e përfaqësuesve të Komisionit Evropian. Këto propozimeve sipas Zaevit do të shqyrtohen më 26 maj, kur do të mbahet takimi i rradhës së liderëve.

Analistët : Maqedonia ka nevojë për trysni ndërkombëtare

Takimi i liderëve në Strasburg duhet të japë një epilog të qartë për dalje nga kriza politike, vlerësojnë analistët vendas.
“Në këto moment pozicioni i Zaevit është shumë më i volitshëm në krahasim me pozicionin e Gruevskit. Bëhet fjalë që më tepër t‘i bëhet presion Gruevskit, në mënyrë që ai do të tërhiqet. Por edhe opozita duhet të garantojë, se si do të veprojë në të ardhmen në veçanti me menaxhimin e krizës”, vlersëon ish diplomati Nano Ruzhin.
Për analistin Albert Musliu epilogu i krizës politike do të jetë rezultat i përfshirjes së ndërkombëtarëve dhe ai parashikon se marrëveshja për zgjidhje të krizës është në dukje e sipër.
“Me takimin e nesërm në Strasburg mund të presim presion më të theksuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe në ditët në vijim dhe javë do të ketë pasqyrë më të qartë se në çfarë drejtimi lëvizim”, thotë analisti politik Albert Musliu.

Mazedonien Proteste gegen Ministerpräsident Nikola Gruevski
Fotografi: DW/K. Blazevska

Përndryshe përfaqësues të opozitës maqedonase kanë vazhduar edhe në ditën e dytë të qëndrojnë në tenda para Qeverisë, ndërsa partia në pushtet VMRO-DPMNE për sonte (18.05) ka paralajmëruar mbajtjen e mitingut gjithpopullor para Parlamentit të Maqedoniosë në përkrahje të pushtetit aktual.