1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Leximi" i rezultatit të zgjedhjeve dhe prognozat e së ardhmes

Një javë pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri kanë nisur analizat për treguesit që arritën subjektet konkurruese. Në fokus janë dhe sfidat ekonomike dhe procesi i integrimit europian i Shqipërisë.

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në Shqipëri kishin dy befasi: rezultati i thellë i së majtës, dhe shpejtësia me të cilën u krye numërimi i rreth 5500 kutive të votimit. Tradita e zgjedhjeve të mëparshme në Shqipëri, me vonesa dhe zvarritje në nxjerrjen e rezultateve nuk u përsërit këtë herë, kështu që fituesi dhe humbësi janë përcaktuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në mbyllje të shqyrtimit të numrit më të pakët të ankesave, që janë regjistruar në një proces zgjedhor në Shqipëri në dy dekadat e tranzicionit, për t'i hapur rrugë përpilimit më pas të listës finale të 140 deputetëve, që do të ulen në Kuvendin e ri në ditët e para të shtatorit.

Emocionet me gëzime dhe zhgënjime për rezultatet po kalojnë gradualisht dhe më shumë hapësirë ka marrë tani analiza e ftohtë për atë që ndodhi para, gjatë dhe pas ditës së votimeve. Për atë që "mbollën" dhe atë që "korrën" subjektet politike konkurruese dhe kandidatët. "Lexim" për atë që kaloi, por dhe për atë që duket në horizont, pas këtij rotacioni të bujshëm të pushtetit politik.

Në qeverisjen e deritanishme humbi sensi i përgjegjësisë publike

Ilir Alia

Ilir Alia

Drejtori i Qendrës për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve, Ilir Aliaj, mendon se fitorja e së majtës në zgjedhje erdhi pas 8 vitesh të së djathtës në pushtet, pas një sërë skandalesh korrupsioni që ndodhën gjatë qeverisjes së PD-së. Shumica e qytetarëve shqiptarë ishin të lodhur nga arroganca e pushtetit, shprehet Aliaj për DW: "Aq e madhe ishte arroganca e pushtetit sa që shumë nga përfaqesuesit e rëndësishëm të PD-së ishin të bindur që fitoren e kishin të sigurtë vetëm me atë çfarë bënte Sali Berisha. Platformat këtë fushatë m'u dukën më të detajuara dhe të dy palët u përpoqën të ishin sa më bindëse".

Për dr. Afrim Krasniqin, eskpert në shkencat politike, nuk është fitues i zgjedhjeve koalicioni i majtë, por ka humbur thellë e djathta. Ne vijojmë të jemi vend ku fituesit nuk vijnë për shkak të aftësisë së një pale për të frymëzuar, por për shkak të zhgënjimit të thellë tek pala tjetër, thotë dr. Afrim Krasniqi për DW: "PD e humbi luftën antikorrupsion, humbi sensin e përgjegjësisë publike, humbi kontaktin dhe ndjesinë ndaj problemeve qytetare, tregoi arrogancë dhe paaftësi në administrimin e shtetit dhe e monopolizoi ndjeshëm jetën poilitike, ekonomike e sociale. Qytetarët reaguan me votë massive kundër arrogancës, korrupsionit dhe kultit të ri të individit, të kryeministrit Sali Berisha".

Afrim Krasniqi

Afrim Krasniqi

Ai shton se platformat që propozuan subjektet konkurruese ishin të ngjashme me dallime minimale. Defekti sipas tij ishte se dy kundërshtarët nuk prezantuan faturë financiare, burimet mbështetëse dhe si të tilla, kanë pak shanse realizimi: "Partitë e dinin këtë por zgjodhën t'u ofrojnë qytetarëve atë që këta të fundit donin të dëgjonin, jo atë çfarë de facto partitë besonin. Premtimet janë tej mundësive reale, por risi pozitive ishte fakti se për herë të parë u fol në zgjedhje për taksa, tatime, kredi, vende pune dhe politika sociale".

Arion Sulo, kryeredaktor i të përditshmes MAPO, në bisedë me DW-në shpjegon votën masive kundër. Së pari, sipas tij, kjo ndodhi sepse Sali Berisha po drejtonte qeverinë dhe PD-në me të njëjtat simptoma si para viteve 2000, me të njëjtin autoritarizëm, duke marrë individualisht çdo vendim: "Në PD ka vite që nuk ka një debat të vërtetë për vlerat dhe personalitetet e së djathtës. Qeveria dhe PD dhanë shenja të zbehta hapjeje për të përndjekurit, pronarët, liberalët dhe shoqërinë civile vetëm 2 muaj para zgjedhjeve. Së dyti, ngarkesa e një partie të vetme me të gjitha pushtetet. Së treti, gjendja ekonomike ka ndikuar shumë në mosvotimin e qeverisë dhe hedhjen e zgjedhësve në krahët e ofertës së opozitës, e cila për hir të së vërtetës ishte shumë më utopike. Për mua, shqiptarët kanë votuar 'për xhepin dhe me xhepin e tyre'. Nuk duhet të harrojmë se në vitin e fundit, niveli i përfaqësimit të disa ministrave apo krerëve të institucioneve të pavarura u ul shumë, aq sa disa nga këta u kthyen në personazhe humoristikë".

Sfidat ekonomike dhe hapat e integrimit europian

Arion Sulo

Arion Sulo

Megjithëse kabinetit të ri qeveritar, që do drejtohet nga socialisti Edi Rama, i duhet dhe më shumë se 2 muaj që të nisë nga puna, një nga temat më të diskutuara është sfida ekonomike e vendit. Padyshim që ka për të qënë sfida më e vështirë e qeverisjes së re, thotë Arion Sulo nga gazeta MAPO: "Me krizën që pritet të vijojë edhe për disa vjet dhe me premtimet e mëdha të Edi Ramës, shpresa e vetme për oksigjen mbeten kreditë e buta nga BE, FMN e Banka Botërore dhe reformat e shpejta të pronësisë e legjislacionit për të thithur sa më shumë biznese të huaja, që po kërkojnë hapësira pas krizës së Greqisë dhe Italisë. Në këtë dritë, taksa progresive mbi fitimin e kompanive mund të ketë nevojë për korrektim. Integrimi në BE do të varet pikërisht nga ajo që ka thënë Edi Rama për kundështarët e vet kur ishte në opozitë; jo nga miratimi i ligjeve në letër, por nga zbatimi i tyre"

Dr. Afrim Krasniqi parashikon se procesi i integrimit do njohë progres në komponentët politikë dhe pas dy refuzimeve pritet të ketë përgjigje të menjëhershme pozitive nga Brukseli: "Kur ka rotacione politike ka optimizëm në treguesit ekonomik, por në rastin tonë gjendja do mbetet e vështirë, financat e shtetit janë në pikë kritike, kapacitet prodhuese janë të pakta dhe vetëm një plan emergjent masash mbështetur nga një vullnet politik i fortë, konsensus politik dhe shtet funksional do të krijonte shanse për rritje ekonomike pas vitit të parë të mandatit qeverisës".

Edhe Ilir Aliaj nga Qendra për Zhvillimin dhe Demokratizimin e Institucioneve shikon si të nevojshme nga qeveria e re marrjen e masave shumë të rëndësishme në fushën ekonomike. Për ristrukturimin e borxhit të brendshëm ai thotë se i duhet kërkuar ndihmë FMN-së: "Ndërsa,procesi i integrimit europian besoj se tashmë ka gjetur rrugën e duhur, pasi edhe kushti i fundit, ai i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, u mbajt. Kështu që tetori do sjellë lajme të mira për Shqipërine. Duhet thënë se tashmë vendi e mbylli fazën e tranzicionit demokratik" - thotë për DW, Ilir Aliaj.