1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Letërsia gjermane - Kërkimi i vetvetes dhe dhimbjes shpirtërore

Heide Soltau18 Korrik 2008

Shkrimtarëve gjermanë ju pëlqen t`i përshkruajnë me shumë hollësi figurat e tyre, t`i përshkruajnë me saktësinë e një filmi, çfarë pamje kanë ata, si jetojnë, çfarë mendojnë dhe çfarë ju ndodh.

https://p.dw.com/p/EBKM
Tomas Man para Shtëpisë së Buddenbrook-ëve në Lybek
Tomas Man para Shtëpisë së Buddenbrook-ëve në LybekFotografi: AP

Tregimtar i tillë është kryesisht, Tomas Mani (1875-1955) me romanin e tij të jashtëzakonshëm "Budenbrokët", që flet për shkatërrimin e një familjeje tregtarësh nga Lybeku. Në muzeun e Hajnrih dhe Tomas Manit në Lybek është ngritur një dhomë e cila bazohet në tregimet precize të Tomas Manit. Ndërkohë që romanet e Tomas Manit, si për shembull „Mali Magjik“ (Der Zauberberg) dhe "Vdekja në Venedik“ (Der Tod in Venedig), bëjnë fjalë për perëndimin e borgjezisë së lartë dhe epokës së saj, në romanet e Herman Heses (1877-1962) trajtohet kryesisht tema e vuajtjes së individit.

Herman Hese in Ryshlikon, prill 1926.
Herman Hese in Ryshlikon, prill 1926.Fotografi: AP

Kërkimi i vetvetes dhe dhimbjes shpirtërore

Kërkimi i vetvetes është tema kryesore në romanin e Herman Heses „Ujku i stepave“ (Der Steppenwolf). Romani trajton një njeri që lufton i vetëm dhe rrezikon të thyhet nga vuajtjet e brendshme. Si "Siddhartha", vepra tjetër e Heses që tregon një histori përrallore të kërkimit religjioz të vetvetes ashtu edhe „Ujki i stepave“ lexohen shumë, edhe prej të rinjve të sotëm. Për hipitë, "Siddhartha" ka qenë një libër kulti, jo vetëm sepse personazhi kryesor konsumonte edhe drogra.

Jeta në shumë kultura dhe shumë gjuhë

Në një mënyrë tjetër, që është antiborgjeze shkruan Elias Kaneti (Elias Canetti) (1905-1994). I lindur në Bullgari, i rritur në Angli, Zvicër, Austri dhe Gjermani, ai jetoi pas emigrimit më 1938 në Londër. Kaneti ishte hebre. Në autobiografinë e tij me disa vëllime ai tregon për jetën në kultura dhe gjuhë të ndryshme.

Gynter Gras, mbajtës i Çmimit Nobel për letërsi
Gynter Gras, mbajtës i Çmimit Nobel për letërsiFotografi: dpa
Österreich Schriftsteller Peter Handke in Wien (Bildergalerie Buchpreis-Kandidaten 2008)
Peter HandkeFotografi: picture-alliance/ dpa

Për kërkimin e vetvetes bëhet fjalë edhe tek Peter Handke (1942). Me teatrin e tij politik "Sharjet e publikut“ (Publikumsbeschimpfung) 1966 dhe tregimin „Letra e shkurtër për ndarjen e gjatë“ (Der kurze Brief zum langen Abschied) 1972, një dramë për marrëdhëniet subtile burrë grua, ai arriti publik të gjerë. Pjesëmarrja e Handkes dhe fjalimi i tij në varrimin e Sllobodan Millosheviçit, i kushtoi atij shumë antipati si shkrimtar në Gjermani.

Gjurmët e nacionalsocializmit dhe luftrave botërore

Nationalsocializmi dhe luftrat luajnë një rol të rëndësishëm si temë në letërsinë e re gjermane. Që nga Gynter Grasi (1927) tek Martin Valser (1927), Bernhard Shlink (1944) dhe Julia Frank (1970), autorët përqëndrohen kryesisht në botën e brendshme të figurave të tyre, si ndikon koha tek karakteret dhe sjelljet e tyre, si jetojnë ata dhe si bëhen fajtorë.

Ky grup autorësh fillon që më 1959 me Gynter Grasin, me romanin e tij të sunduar nga pamje surreale „Daullja prej teneqeje“ (Die Blechtrommel), që flet për njeriun që nuk rritet më, Oskar Matzerathin, i cili vëzhgon të rriturit me persektivën e një fëmije. Gras u kthye me të në instancë morali në Gjermani. Fakti që ai vetë ka marrë pjesë në ushtrinë hitleriane, doli më vonë me librin e tij „Duke qërruar qepën” (Beim Häuten der Zwiebel).

Ndërkohë që autorët e vjetër kanë qenë pesonalisht të përzier në periudhën e nacionalsocializmit, autorët e rinj sjellin tone të reja në letërsi. Bernhard Shlink me romanin e tij "Lexuesi" (Der Vorleser), që bën fjalë për një analfabete dhe roje kampi përqëndrimi, dhe Julia Frank me "Gruaja e mesditës” (Die Mittagsfrau), që flet për një nënë, e cila duke u përpjekur të shpëtojë lë në mes të rrugës fëmijën e vet. Të dy historitë janë të pazakonta, destruktive.

Autorja austriake Elfriede Jelinek
Autorja austriake Elfriede JelinekFotografi: AP

Për artin total dhe perfeksionin

Trajtim lozonjar me historinë bën Patrick Süskind (1949), i cili arriti sukses botëror me romanin e tij historik „Parfumi“ (Das Parfüm). Ai flet për një burrë, që duke qenë në kërkim të aromës perfekte kthehet në vrasës. Për perfeksionizmin, në kuptimin negativ bëhet fjalë edhe në veprat e Elfriede Jelinekut (1946). Tema e feministes radikale është kritika gjuhësore. Tekstet dhe dramat e saj - Pianistja „Die Klavierspielerin“, dhe Ulrike Maria Stuart – tregojnë si funksionojnë dhuna dhe rracizmi, përjashtimi dhe urrejtja ndaj grave.

Sovranitet të madh dhe perfeksion dëshmojnë romanet e Daniel Kehlmanns (1975). Një i talentuar mes autorëve të rinj, i cili një ditë do të bëjë me siguri pjesë mes shkrimtarëve të mëdhenj. Një njeri i lexuar, me penë mjeshtërore dhe ide të shumta. Romani i tij „Matja e botës“ (Die Vermessung der Welt) që flet për dy figura të historisë gjermane, matematicienin Carl Friedrich Gauß dhe natyralistin Alexander von Humboldt, ishte një sukses i papritur. Ai tregon që një libër i mençur mund të kthehet në Besteller. Një roman plot aludime dhe ironi të hollë.