1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush mund të marrë hua? Faktorët që përcaktojnë shkallën e riskut të një vendi

4 Prill 2010

Vendet e Ballkanit Perëndimor po synojnë tregjet ndërkombëtare të kapitalit si burim financimi. Investuesit në këto tregje para se të vendosin për dhënien e një huaje i referohen vlerësimit të riskut të kredisë.

https://p.dw.com/p/MmZD
Një nga agjensitë që vlerëson bonitetin, "Fitch Rating"Fotografi: DW / Sonja Kanikova

Agjencitë e mëdha të vlerësimit kategorizojnë nivelin e riskut që paraqesin titujt e borxhit jo vetëm të emetuesve tregtarë (siç janë firmat) por edhe të shteteve. Vlerësimet e bonitetit që ofrohen nga këto agjenci u ofrojnë pjesëmarrësve në treg transparencë dhe një kriter të njësuar në plan ndërkombëtar për riskun e kredisë.

Avantazhet e sistemit të vlerësimit për investuesit dhe huamarrësit

Vlerësimi i riskut të kredisë për shtetet llogarit probabilitetin e mosshlyerjes së borxhit të marrë prej tyre. Agjencitë kryesore të vlerësimit japin nota për bonitetin. Më të njohurat janë ato të përdorura nga Moody's, Standard & Poor's apo Fitch, dhe që shkojnë nga AAA për aftësi shumë të mirë paguese dhe praktikisht asnjë rrezik mosshlyerje, e deri në C(Moody's) apo D (Standard & Poor's dhe Fitch) që tregon se subjekti i vlerësuar nuk ka aftësi shlyerje. Ky sistem i njësuar vlerësimi redukton pasigurinë e investuesve lidhur me riskun që paraqesin firmat apo shtetet huamarrëse. Avantazhi për humarrësit është aksesi në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Weinanbau in Mazedonien
Stabiliteti ekonomik është faktor vendimtar për kreditime. Vreshtarë maqedonas duke vjleur rrushinFotografi: dpa

Vlerësimit të riskut të kredisë së një shteti apo siç quhet ndryshe "sovereign ratings", i kushtohet vëmendje e veçantë jo vetëm sepse disa nga aktorët më të rëndësishëm në tregjet e kapitalit janë shtete të caktuara por edhe sepse ky vlerësim përbën bazën për përcaktimin e riskut për emetues të tjerë nga i njëjti vend.

Në analizën që i bëhet riskut të kredisë së një shteti shihet edhe nëse treguesit flasin për një stabilitet të qëndrueshëm apo nëse ka faktorë që rrezikojnë këtë stabilitet. Vladimir Gligorov, ekonomist i lartë pranë Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike, shpjegon: "Kur flasim për stabilitetin makroekonomikë kemi parasysh politikën fiskale dhe ekuilibrin buxhetor. Kur vendet kanë monedhë të tyre vlerësohet edhe rreziku i një zhvlerësimi të monedhës. Më tej vlerësohen aspekte që kanë të bëjnë me stabilitetin social pasi kjo ka të bëjë me performancën e sektorit publik. Edhe aspektet që kanë të bëjnë me kontekstin rajonal janë të rëndësishme. Nëse një vend fqinj përballet me probleme, atëherë edhe vendi që vlerësohet mund të ndikohet negativisht."

Albanien Zentralbank in Tirana
Banka e ShqipërisëFotografi: Mimoza Dhima

Shanset e Shqipërisë në tregjet e kapitalit

Vendet e Evropës Juglindore, jashtë BE-së, për shkak të vlerësimit të tyre si "subprimes" pra me nivel të lartë risku, tradicionalisht kanë marrë hua nga FMN-ja, Banka Botërore apo nga partnerë të tjerë. Por kohët e fundit edhe këto vende i janë drejtuar tregjeve ndërkombëtare të kapitalit. Kroacia ka traditën më të gjatë. Shqipëria planifikon të shesë obligacionin e saj të parë ndërkombëtar me hedhjen në treg në muajin maj të një eurobondi prej 300 milionë eurosh me maturim tre deri pesë vjeçar. Shqipëria vlerësohet me notën B1 nga agjencia e vlerësimit të riskut të kreditimit, Moody's, që do të thotë katër shkallë më poshtë se niveli i investimit, dhe në një rang me Bjellorusinë dhe Mongolinë. Por shanset e Shqipërisë për të gjetur investues janë të mira po të merren parasysh faktorë të tjerë si rritja e parashikuar ekonomike prej rreth 2% në 2010, apo anëtarësimi në Nato vitin e kaluar. Analisti Vladimir Gligorov: "Shqipëria ka shanse të mira suksesi pasi është një nga vendet e pakta që nuk pati recesion dhe pret një rritje të shëndoshë këtë vit. Pra mund të ketë interes të investuesve të vendosin para në Shqipëri."

Përvoja dhe perspektiva për EJL

Edhe Maqedonia emetoi vitin e kaluar me sukses një obligacion prej 175 milionë eurosh dhe planifikon emetimin e një eurobondi të ri këtë vit. Huaja do të shërbejë pjesërisht për financimin e projekteve në infrastrukturë. Agjencia e vlerësimit Fitch e vlerësoi eurobondin e Maqedonisë vitin e kaluar me notën BB+. Serbia gjithashtu po merr në konsideratë mundësinë e financimit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.

Në përgjithësi perspektiva evropiane e këtyre vendeve i rrit shanset për vlerësim më të lartë jo vetëm nga agjencitë e vlerësimit të riskut të kredisë por edhe nga huadhënës të tjerë institucionalë. Marion Mühlberger nga departamenti i kërkimeve pranë bankës gjermane Deutsche Bank, shpjegon: "Ky është një sinjal pozitiv shumë i rëndësishëm për investuesit që shohin kështu se këto vende bëjnë pjesë në "klub". Kjo do të thotë se ato kanë arritur të harmonizojnë legjislacionin e tyre me atë të BE-së. Pra investuesit kanë siguri për mjedisin në të cilin investojnë dhe veprojnë."

Autor: Eliana Xhani

Redaktoi: Lindita Arapi