1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do të jenë Komisionerët e rinj të BE?

Bernd Riegert/Amarildo Topi12 Gusht 2014

Jean-Claude Juncker, Presidenti i ri i Komisionit Europian, duhet të zgjedhë antarët e rinj të Komisionit. Por mosmarrveshjet ndërkombëtare dhe çështja e kuotave të femrave janë duke u bërë pengesë.

https://p.dw.com/p/1Cshd
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vendet antare të BE duhet të dërgonin emrat e kandidatëve të tyre për Komisionin e ri Europian deri me datë 1 gusht, por pesë nga 28 vende nuk e kanë e kanë bërë një gjë të tillë. Atyre u është kërkuar të kenë më shumë femra në listë.

Presidenti i ri, Jean-Claude Juncker, do të shohë më shumë femra në pozicionet ekzekutive në BE. Deri tani 9 nga 28 komisionerë kanë qenë femra, 33%, dhe Juncker do që të kalojë këtë shifër. Një javë më parë zëdhënësja e Juncker, Natasha Bertaud deklaroi se formatimi i Komisionit të ri Europian mund të vonohej nëse nuk kishte sa duhet kandidate femra.

Deri tani emrat e femrave të propozuara janë këto: Federica Mogherini (Itali), Kristalina Georgieva (Bullgari), Cecilia Malmström (Suedi), Vera Jourova (Republika Çeke), Connie Hedegaard (Danimarkë) dhe një politikane femër nga Sllovenia.

Kërkesë e fortë për femra

Edhe Presidenti i ri Parlamentit Europian Martin Schulz, tha se Parlamenti nuk do të aprovojë Komisionin nëse nuk ka të paktën përqindjen e femrave që ka aktualisht. Gjatë fushatës, Schulz madje premtoi se nëse do të fitonte, do të rriste kuotën e femrave në 50%.

EU Parlamentswahl 25.05.2014 Schulz
Presidenti i ri Parlamentit Europian Martin SchulzFotografi: DW/A. Noll

Qeveritë e vendeve anëtare të BE kanë injoruar kërkesën e Juncker. Sipas disa raportimeve, ai u ka kërkuar të propozojnë për çdo pozicion tre emra, ku të paktën një prej tyre të jetë femër. Sidoqoftë në samitin e fundit të BE, Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk ka dijeni për një kërkesë të tillë.

Merkel ka nominuar Günther Oettinger, Komisioneri aktual për Energjinë, dhe nuk ka plan të ndërrojë mendie. "Thjesht qëlloi që nuk është femër", tha Merkel. Vendi i vetëm që ka plotësuar kërkesën e Juncker është Sllovenia, pasi të tre emrat që ka çuar janë femra.

Duhen peshuar shumë faktorë

Juncker tani ka sfidën e zgjidhjes së puzzel-it. Përveç çështjes së gjinisë janë edhe pritshmëritë e çdo vendi që duhen përmbushur. Vendet e mëdha duan më shumë përgjegjësi, vendet e vogla nuk duan të margjinalizohen. Vendet e lindjes duan role më të rëndësishme, ndërsa vendet e veriut nuk duan që Komisioneri për çështjet ekonomike dhe monetare të jetë nga jugu.

Kryeministri italian Matteo Renzi këmbëngul që ministrja e tij e jashtme Federica Mogherini të jetë Komisionerja e marrdhënieve me jashtë dhe politikave të sigurisë. Juncker është kundër. Renzi ka shkelur kështu rregullin e pashkruar të BE që të mos bëhen publikë emrat e kandidatëve.

federica mogherini italien außenministerin rom
Ministrja e jashtme italiane Federica MogheriniFotografi: picture-alliance/dpa

Disa vende të Europës Lindore e shohin Mogherinin si mbështetëse të Rusisë në krizën e Ukrainës dhe ata preferojnë kandidaten bullgare Kristalina Georgieva. Ministri i jashtëm polak Radek Sikorski thuhet të jetë një tjetër pretendent për këtë post, por gjinia mund të jetë kundër tij.

Formatim i vështirë

Presidenti francez Francois Hollande do të dontë të shihte në pozicionin e Komisionerit për çështjet ekonomike dhe monetare ish ministrin e financave francez Pierre Moscovici. Por emri i tij është kundërshtuar nga ministri gjerman i financave Wolfgang Schäuble, pasi nuk pëlqen planin e tij për mbajtjen e Stabilitetit Ekonomik dhe Monetar në Europë.

Procesi i krijimit të Komisionit është një sfidë e vërtetë mes Këshillit Europian dhe Parlamentit Europian nga njëra anë dhe vendeve anëtare nga ana tjetër. Dy vende të BE, Britania e Madhe dhe Hungaria, nuk ishin dakord që Juncker të ishte në krye të Komisionit Europian. Komisioni i ri planifikohet të nisi nga puna më 1 nëntor.