1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kush do ta administrojë së shpejti internetin?

Peter Welchering/Angjelina Verbica28 Mars 2014

Në konferencën e ICANN duhet gjetur dikush, që të marrë përsipër mbikqyrjen e internetit pas vitit 2015. SHBA duan ta dorëzojnë këtë detyrë, kërkimi i përgjegjësve të rinj duket i vështirë.

https://p.dw.com/p/1BXam
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo kërkesë është më shumë se 15 vjeçare. Shumë shtete, organizma të Kombeve të Bashkuara dhe grupe të shoqërisë civile kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur nga SHBA, që ta dorëzojë më në fund mbikqyrjen e përgjithshme mbi administrimin e internetit, Internet Corporation for Assigned Names and Numbers (ICANN). Sepse vendimi përfundimtar për menaxhimin e domeneve dhe çështje të tjera të lidhura me lidhjen në internet kanë qenë deri tani në duar të ministrisë amerikane të Tregtisë. Pa miratimin e autoritetit amerikan të telekomunikacionit NTIA, që varet nga ministria e Tregtisë, nuk bëhet dot asgjë në internet.

Qysh në samitet botërore të informacionit në vitin 2003 në Gjenevë dhe në vitin 2005 në Tuniz menaxhimi i internetit duhet të vihej më fort në duar ndërkombëtare. Por përveç disa ndryshimeve kozmetike nuk ndodhi asgjë tjetër. Qeveria amerikane nuk donte të shfuqizohej në administrimin e internetit.

Fjalën në internet e ka deri tani qeveria amerikane

Prandaj komuniteti i internetit u habit shumë, kur qeveria e SHBA njoftoi më 15 mars 2014 se do të dorëzojë supremacinë në internet. Kritika për spiunimin në rrjet të shërbimit të fshehtë amerikan NSA qe bërë shumë e fortë. Administrata Obama dëshironte të jepte patjetër një shenjë.

Dhe kështu Lawrence Strickling, shef i NTIA, bëri të ditur në mes të marsit me fjalë të pakta tërheqjen e qeverisë amerikane nga administrimi i internetit: "Duhet gjetur një tjetër model për menaxhimin e ardhshëm të administrimit të adresave të internetit, Internet Assigned Numbers Authority dhe kjo deri në vjeshtë 2015."

Se kush do ta marrë në dorë menaxhimin e adresave të internetit ICANN, nuk e dinë ende as ekspertët.
Se kush do ta marrë në dorë menaxhimin e adresave të internetit ICANN, nuk e dinë ende as ekspertët.Fotografi: ICANN

Menaxhimi i adresave në internet siguron për shembull, që e-mailet të arrijnë te marrësi me adresën korrekte të protokollit të internetit, që përdoruesit të kërkojnë në faqet e internetit, apo të mund të shkëmbehen në platforma sociale, si Facebook, ose Twitter. Menjëherë pas deklaratës së Lawrence Stricklinger filloi lufta, se kush do ta marrë përsipër në të ardhmen administrimin e adresave në internet.

Pa menaxhim të adresave interneti nuk funksionon

Kështu Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, shkurt ITU, ka bërë të ditur prej kohësh pretendimet e tij për menaxhimin e rrjetit. "Mbikqyrja e menaxhimit të adresave dhe në këtë mënyrë e internetit bëhet më së miri nga një organ i Kombeve të Bashkuara, ose nga një organizatë e përfshirë në OKB", e argumentoi pretendimin Sekretari i Përgjithshëmi ITU-së, Hamadoun Toure, në takimin e ITU në vjeshtën e vitit 2013.

Por pas takimit të ICANN, që mbahet këtë javë në Singapor, sekretari i përgjithshëm i ITU, duhet të dëgjojë se shanset që ITU të marrë funksionin e IANA, të ashtuquajturin administrimin e adresave në internet, janë të pakta "Qeveria amerikane e ka thënë qartë, se nuk e pranon, që menaxhimi i adresave në internet të merret përsipër nga një organizatë ndërqeveritare."

Prandaj në Singapor po mendohet, se në çfarë mënyre mund të krijohet një forum transnacional, që të monitorojë pastaj administrimin e internetit. Kështu për shembull Internet Governance Forum, që zhvillohet çdo vit dhe ku diskutohen tashmë shumë çështje administrative dhe rregullative, mund të zhvillohet në një lloj parlamenti ndërkombëtar të rrjetit, që i cakton parametrat ICANN-it dhe e kontrollon atë.

Kërkohet një parlament ndërkombëtar për rrjetin

Për këtë ky forum duhej të shkëputej nga OKB-ja. Ai në fakt është ngritur nga OKB-ja si forum diskutimi në samitin botëror të informacionit në Tuniz në vitin 2005. Nëse do të arrihet kjo shkëputje, janë në mëdyshje shumë ekspertë. Ata kanë frikë se kjo mund të refuzohej nga shtetet e veçanta në samitin botëror të informacionit Internet Governance Forum të planifikuar për vitin 2015. Sidomos Rusia dhe Kina, të ndjekura nga Turqia dhe shumë vende në zhvillim, synojnë një rinacionalizim të internetit. Disa prej tyre duan të lejojnë vetëm rregullimin kombëtar të adresave. Atëherë çdo vend, ose edhe një komunitet si Bashkimi Evropian, do të ndërtonin dhe do të operonin me një sistem të vetin të menaxhimit të adresave në internet.

Shtete si Kina synojnë një rinacionalizim të internetit
Shtete si Kina synojnë një rinacionalizim të internetitFotografi: picture alliance/dpa

Kështu çdo shtet me një DNS-root të vetën do të përcaktonte për qytetarët e tij, nëse ata mund të hynin në një faqe interneti si për shembull "Twitter.com" dhe nëse po, a do të shfaqej faqja origjinale apo një faqe, në të cilën operohet në shkallë vendi. Ekspertët e rrjetit si Paul Fehlinger paralajmërojnë të kihet kujdes nga kjo.

Bllokimi i twitterit në Turqi

Sepse atëherë nuk do të ishte i mundur vetëm një kontroll shumë i efektshëm i shtetit mbi përmbajtjen, që është e lejuar të shohin qytetarët e një vendi. "Ne nuk mund të jemi më të sigurtë, se kur kërkojmë faqen e twitterit, na shfaqet me të vërtetë faqja e saktë”, tregon Fehlinger pasojat fatale të një nacionalizimi të gjerë të rrjetit.

Eskpertët porosisin nga shtimi i kontrollit të shtetit mbi internetin
Eskpertët porosisin nga shtimi i kontrollit të shtetit mbi internetinFotografi: picture-alliance/dpa

Por thirrjet për ndikimin e secilit shtet shtohen, edhe në Singapor. Kërkesat për një Shengen routing, që garanton, që paketat me të dhëna nga dërguesi tek marrësi brenda kësaj zone Shengen të mos dërgohen në shtetet, që nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, analizohen në Singapor si kërkesa për rajonalizimin e internetit. "Nëse duam të vazhdojmë që internetin ta kemi strukturë globale, kemi nevojë për mekanizma, që shtetet të mund të ushtrojnë sovranitetin në internet, pa e shkërmoqur internetin në segmente kombëtare", kërkon Paul Fehlinger. Këtë duhet ta bëjë modeli multi-stakeholder.

Të gjitha palët pjesëmarrëse në internet, që quhen stakeholder, ulen në një tryezë. Qeveritë, organizatat e biznesit, Kombet e Bashkuara, të interesuarit për teknologji dhe grupet e shoqërisë civile duhet të krijojnë një organizatë ndërshtetërore, që kontrollon menaxhimin e internetit si organi më i lartë mbikqyrës në botë, por i pavarur nga Kombet e Bashkuara. Por si mund të ishte një organizatë e tillë, nuk mund ta thotë askush as në takimin e ICANN në Singapor.