1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Kultura shqiptare me "një javë" në Dyseldorf

Të martën (5 maj) filluan në Dyseldorf aktivitetet e „Javës së kulturës shqiptare“. Kjo është hera e dytë që në landin e NRW-së organizohet një aktivitet ku artistët shqiptarë prezantojnë vlerat e kulturës shqiptare.

Java e kulturës shqiptare në Dyseldorf

Të martën (5 maj) filluan në Dyseldorf aktivitetet e „Javës së kulturës shqiptare“.

Kësaj radhe Java Kulturore Shqiptare realizohet falë nismës së piktorit shqiptar, Alfred Dade, dhe mbështetet nga Enti për Kulturë i kryeqytetit të landit Dyseldorf, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin, Ministria shqiptare e Turizmit, e Kulturës, e Rinisë dhe e Sporteve dhe kryeministri i landit të Nordrajn Vestfalisë (NRW).

"Për më shumë se katër dekada vendi në mes Jugosllavisë dhe Greqisë ishte i izoluar deri në ekstrem nga pjesa tjetër e botës. Ndërkohë kanë kaluar 20 vjet, që kur ka rënë muri në mes Lindjes dhe Perëndimit. Dhe tani ka pak javë që Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s dhe me 28 prill, pra vetëm para pak ditësh ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këto janë shenja se sa aktuale është Shqipëria andaj më gëzon fakti që mund të organizojmë këtu në Düsseldorf „Javën e Kulturës Shqiptare“. Kështu u shpreh ndër të tjera në fjalën e tij Hans-Georg Lohe, shefi i zyrës për kulturën në kryeqytetin e landit të NRW-së, Dyseldorf.

Piktori shqiptar, Alfred Dade

Java Kulturore Shqiptare realizohet falë nismës së piktorit shqiptar, Alfred Dade.

Izolimit të Shqipërisë nga pjesa tjetër e botës perëndimore dhe pasojave të tij iu kushtua vëmendje edhe në fjalën e të ngarkuarit me punë në ambasadën shqiptare në Berlin, Gazment Barbullushi. Mungesa e informacioneve për Shqipërinë shpesh ka shkaktuar keqkuptime, andaj sipas Barbullushit: "Kultura jonë dhe vlerat tona janë ilaçi me i mirë për të ruajtur reputacionin e mirë dhe mënjanimin e hendekut negativ të informacionit. Sot jam i lumtur, që gati për një javë publiku gjerman do të ketë mundësi të përcjellë ngrohtësinë dhe emocionet e kulturës sonë nga artistët tanë, pjesa më e madhe e të cilëve ka ardhur nga Shqipëria. Republika Federale e Gjermanisë e ka përcjellë dhe mbështetur Shqipërinë në çdo hap të integrimit të saj në strukturat euro-atlantike. Ne i jemi për këtë shumë mirënjohës“.

Mirënjohës për vendimin dhe përkushtimin e autoriteteve të Dyseldorfit, për të organizuar javën e kulturës shqiptare u shpreh edhe këshilltari i ministrit shqiptar të kulturës, Bardhyl Londo. Ai në fjalën e tij ndërkaq ka nënvizuar edhe rëndësinë e kulturës gjermane në Shqipëri: "Në Shqipëri kultura gjermane gjithnjë ka qenë ndër më të vlerësuarat, modeli gjerman gjithashtu ka qenë një model i cili në Shqipëri është ndjekur me interes të madh. Për ne shqiptarët është krenari e vërtetë, që marrëdhëniet kulturore shqiptaro-gjermane janë tepër të hershme. Albanologë të shquar gjermanë kanë dhënë një ndihmesë të madhe në studimin dhe vlerësimin e gjuhës shqipe”.

Hans-Georg Lohe, shefi i zyrës për kulturën në kryeqytetin e landit të NRW-së, Dyseldorf.

Hans-Georg Lohe, shefi i zyrës për kulturën në kryeqytetin e landit të NRW-së, Dyseldorf.

Studiuesja e gjuhës shqipe Zuzane Finger përmendi në referatin e saj shumë mbreslënës "Pas maleve të kaltra shtrihet deti" edhe ndihmën e francezëve për filmin shqiptar pas viteve 90-të. Ajo shfaqi shpresën se ky lloj bashkëpunimi në fushën e kulturës do të jetë shembull edhe për tjerët: “…Unë shpresoj që edhe Gjermania do t'i bashkangjitet këtij shembulli dhe do të ndjekë rrugën e përbashkët evropiane për mbështetjen kulturore. Kjo për faktin se ashtu siç po globalizohet çdo gjë, ashtu globalizohet edhe shkëmbimi kulturor".

Java e II Kulturore Shqiptare realizohet falë nismës së piktorit shqiptar Alfred Dade. Ai është i kënaqur me interesin e treguar dhe pjesëmarrjen në këtë aktivitet kulturor: „ Të them të drejtën është një surprizë, unë jam pak i habitur që erdhën kaq shumë njerëz, megjithëse patëm pak vështirësi me reklamën, me gazetat pasi gazetat gjermane nuk kanë shkruajtur shumë për këtë aktivitet," - tha Dade.

Në kuadër të „Javës së kulturës shqiptare“ në mbrëmjen e filmit që fillon të enjten në ora 18:00 do të shfaqen këta filma: „Koha e kometës“, „Ne dhe Lenini“, „Në Tiranë dhe kudo tjetër“ dhe „Lule bore“. Pikën kulminante të kësaj jave e përbën padyshim koncerti me muzikë klasike shqiptare me artistë të njohur nga Shqipëria, të cilët kanë ardhur enkas për këtë javë në Gjermani. Koncerti me muzikë klasike shqiptare mbahet me 8 maj 2009, në orën 20.00 në sallën e njohur, Robert Schumann Saal, në Dyseldorf.

Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Dr. Pandeli Pani