1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kriza Rusi/Ukrainë: pasoja të mundshme për ekonominë botërore

Klaus Ulrich/ Auron Dodi12 Prill 2014

Sanksione kundër Rusisë: furnizuesi më i rëndësishëm i shumë shteteve evropiane kritikohet nga të gjithë për shkak të konfliktit me Ukrainën. A krijon konflikti rrezik për rritjen ekonomike globale?

https://p.dw.com/p/1Bgfk
Fotografi: picture-alliance/dpa

Banka Qendrore Amerikane, Federal Reserve është e shqetësuar për pasojat e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës ndaj ekonomisë botërore. Në rast të një "shkallëzimi" të tensioneve në rajon, do të kërcënonin pasojat për rritjen ekonomike botërore, thuhet në një protokoll aktual të mbledhjes së FED. Por për ekonominë e SHBA, sipas Bankës Qendrore nuk pritet rrezikim direkt.

Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon për këtë vit një rritje të vrullshme të performancës së ekonomisë botërore. Por në një prognozë të publikuar të martën (08.04.14) FMN parashikon njëkohësisht për "rreziqe të reja gjeopolitike" për shkak të konfliktit midis Kievit dhe Moskës.

Të prekura vendet fqinje

Një rënie konjukturore në Rusi për shkak të krizës së Krimesë do të kishte para së gjithash pasoja ndaj vendeve, të cilat kanë marrëdhënie të ngushta tregtare me ekonominë ruse. Në një ekspertizë për pranverën të qeverisë gjermane, të cilën e paraqitën të enjten (10.04.2014) në Berlin institutet kryesore ekonomike gjermane, përmenden para së gjithash vendet fqinjë me Rusinë: Finlanda, Polonia dhe Çekia. Ekonomia gjermane do të prekej më fort nga një recesion në Rusi, se sa ekonomi të tjera, si ajo e SHBA, e Francës, Italisë dhe Spanjës, thuhet më tej në ekspertizë. Por edhe për Gjermaninë, pasojat do të ishin të parashikueshme, thotë ekonomisti Axel Lindner nga Instituti për Kërkimet Ekonomike (IWH) në bisedë me DW.

Sipas përllogaritjeve për ekspertizën, një rënie prej katër përqind e ekonomisë ruse do të kishte si pasojë që produkti i brendshëm bruto i Gjermanisë të rrudhet nga 0,1 deri në 0,3 përqind. Kjo do të ishte diçka që nuk të gëzon, por krejtësisht e përballueshme.

Rusia e anashkalon recesionin

Megjithatë, deri tani ekspertët nuk presin një recesion në Rusi. Ata vetëm e kanë korrigjuar duke e ulur parashikimin e tyre për ekonominë botërore. "Më parë ne menduam se Rusia do të rritet me një kuotë prej dy përqind, këtë kuotë ne tani e ulëm në 0,5 përqind, pra gati në stanjacion", thotë Lindner. Që perspektivat ekonomike në Rusi janë keqësuar, këtë mund ta vëresh në zhvillimet në tregjet financiare. "Rubla është dobësuar dhe kurset e aksioneve në Rusi kanë rënë."

Pra Rusia nuk ishte në gjendje shumë të mirë ekonomike që në fund të vitit të kaluar, pra para shkallëzimit të konfliktit me Ukrainën. Kurse tani kriza e rëndon edhe më tej ekonominë ruse.

Rreziqet e spirales së sanksioneve

Në ekspertizën e pranverës, ekspertët e ekonomisë shohin rreziqe të mëdha nga një spirale sanksionesh midis Perëndimit dhe Rusisë. Në rastin më të keq kjo mund të çontë në ndërprerje të plotë të furnizimit me naftë dhe gaz nga Rusia. Zëvendësimi i importeve të gazit rus me importe nga rajone të tjera, si Norvegjia, Algjeria ose Katari do të kërkonte vite, shumë investime në një infrastrukturë përkatëse.

Por edhe Rusia do të kishte humbje të mëdha ekonomike. Të ardhurat nga shitja e gazit dhe e naftës në Evropë përbëjnë rreth gjysmën e të ardhurave të shtetit rus. Edhe Rusia nuk ka infrastrukturë përkatëse (tubacione gazi) për të furnizuar rajone të tjera, p.sh. Azinë me gaz. Prandaj pritet që sanksionet, nëse vendosen, të mos i prekin furnizimet me energji.