1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Kriza në eurozonë godet ekonomitë e Ballkanit

Ballkani Perëndimor po përballet me një recesion të thellë këtë vit. Në vitin 2013 parashikohet një rimëkëmbje "shumë e ngadaltë“ ekonomike. Ky është paralajmërimi i ardhur së fundmi nga Banka Botërore.

Koordinatorët rajonalë për Ballkanin pranë Bankës Botërore thonë se borxhi në disa shtete të Ballkanit Perëndimor është shumë i lartë, aq sa i rrezikon seriozisht ato. "Mund të them se borxhi në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi është në nivele shumë të rrezikshme, veçanërisht ai në Shqipëri që arrin në 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por gjithashtu vërehet një rritje e shpejtë në Serbi dhe Mal të Zi," thotë Jane Armitage, koordinatore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. "Kjo pasiguri e tejzgjatur në eurozonë tregon se ne po përballemi me recesionin e thellë. Për këtë vit, në pikën në të cilën ndodhemi, mund të parashikojmë se Ballkani Perëndimor ndodhet nën recesion." thotë Armitage.

Ekonomi në rënie

Shqipëria dhe ish-republikat e Jugosllavisë kanë pësuar rënie të eksporteve dhe shterim të investimeve të huaja si pasojë e krizës në eurozonë, burim kryesor i tregtisë dhe investimeve për rajonin ballkanik. "Remitancat nga qytetarët përtejdetit janë në rënie, Dimri i gjatë dhe i ashpër, si dhe vera e nxehtë, kanë dëmtuar sektorin bujqësor dhe prodhimet hidro-elektrike," thotë Armitage.

Të papunë në Shqipëri

Të papunë në Shqipëri

Vetëm Kosova, shteti i ri me ekonomi të vogël dhe një popullsi prej 1.7 milionë banorësh duket se ka rritje ekonomike, falë nivelit të ulët të bashkimit me tregun evropian, shkallën e ulët të borxhit dhe investimeve të mëdha në infrastrukturë, tha Armitage.

Nevoja e reformave strukturore

Vendet e tjera të rajonit pritet të goditen më tej nga varfëria. "Në vitin e ardhshëm pritet një rritje shumë e ulët ekonomike," thotë Jane Armitage duke iu referuar rajonit. Deficiti është kudo në rritje, kështu që vendet po përballen me kohëra të vështira. "Këto vende duhet të vazhdojnë të ecin në rrugën e konsolidimit fiskal dhe të fillojnë uljen e niveleve të borxhit. Në të njëjtën kohë rritja është kaq e ulët dhe ka kaq shumë nevojë për investime infrastrukturore."

Armitage theksoi se Serbia duhet të përmbyllë një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar para se Banka Botërore "të japë dritën jeshile" për kredinë prej 400 milionë dollarësh. Ajo shprehu keqardhje për ritmin e ngadaltë të reformave, si kusht pët mbështetjen e Bankës Botërore. Ndërsa Bosnja, tha Armitage, ka nevojë të ndërmarrë reforma strukturore të shtrira në kohë, para se Banka Botërore të bëjë aktive kredinë prej 200 milionë dollarësh.