1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Kriza ekonomike dëmton Evropën e bashkuar

Evropa është përfshirë jo vetëm nga kriza ekonomike, por edhe nga kriza e besimit te politika. Qytetarët në BE besojnë pak te aftësitë e politikanëve drejtues për dalje nga kriza. Rrezikohet e ardhmja e projektit Evropë?

Në një pjesë të madhe të shteteve të Bashkimit Evropian po rritet mosbesimi ndaj projektit Evropë. Sipas një studimi të pak javëve më parë, të Qendrës Studimore amerikane Pew, vetëm 45 përqind e qytetarëve të BE shprehen pozitivisht për BE. Para një viti ishin 60 përqind.

Bruce Strokes, njëri nga autorët e studimit të Qendrës Studimore Pew i tha DW se „problemi më i madh është kriza ekonomike. Ajo ndikon gjithçka. Dhe bindja se projekti Evropë, politika e përbashkët ekonomike është e mirë për njerëzit, po zhduket. Shumë thjesht nuk e besojnë këtë.“

Nga kriza financiare te kriza ekonomike

Kriza nisi me bankat

Kriza nisi me bankat

Kriza aktuale në Evropë nisi si krizë financiare, si krizë e "kredive bankare": si në shumë vende të botës, edhe në Evropë, një numër i madh bankash u ndodhën papritur përpara një numri të madh kreditorësh, që nuk ua kthenin dot më kreditë e marra. Në këtë situatë doli në pah edhe se shumë banka nuk kishin ruajtur kapital të mjaftueshëm vetjak. Aktivitetet financiare ato i kryenin në një masë më të madhe se kufiri i nevojshëm me para "të huaja", p.sh. të shtetasve të tjerë që ua jepnin bankave këto para hua, në formë investimesh, aksionesh e kursimesh të depozituara në banka. E pikërisht këto para bankat i kishin futur në qarkullim për të nxjerrë fitime, duke i dhënë hua edhe në formë kredish, tanimë të pakthyeshme.

Por kredi te bankat nuk kishin marrë vetëm qytetarët, por edhe vetë shtetet. Dhe këtu ndërhyn një faktor i dytë, speficik për krizën evropiane: kriza e euros.

Me futjen e euros si monedhë vendase, marrja e kredive shteteve borxhmarrëse u kushtonte më lirë, pasi në sajë të eurozonës interesat bankare ishin më të ulëta. Shtete si Greqia, Italia, Portugalia e Spanja, pa shtuar prodhimin, pra të ardhurat, shtuan shpenzimet, të cilat i financonin me borxhe. Administrata shtetërore joefikase shpesh gjigante dhe tregje pune jo të zhdërvjellta në këto vende vazhduan t'i marrin frymën ekonomisë. Që prej futjes në eurozonë, sidomos shtetet e jugut të Evropës nuk përdorën dot më as mjetin e emergjencës: zhvlerësimin e monedhës kombëtare, për të shtensionuar ekonominë. Tani monedha është e përbashkët.

Nga kriza ekonomike te kriza sociale dhe politike

Mbërritja e shteteve në borxhe në buzë të falimentimit, ka keqësuar gjendjen e përgjithshme ekonomike në vendet e BE: shtetet kanë pakësuar investimet dhe kanë nisur të detyruara reforma të ashpra strukturore, për të pakësuar shpenzimet vetjake. Kudo janë shkurtuar subvencionet shtetërore: në arsim, në sistemet e mbështetjes sociale, papunësia sidomos tek të rinjtë është thelluar edhe më tej. Pagat dhe pensionet në shumicën e vendeve të BE janë ulur, duke shkaktuar pasiguri për të ardhmen dhe protesta kudo në Evropë. Kriza financiare është kthyer në krizë të përgjithshme ekonomike dhe sociale. Por edhe politike.

Studimi i Qendrës Studimore Pew nxjerr në pah një fakt të përbashkët për këto vende: mosbesimin e qytetarëve te politikanët që i drejtojnë. Njerëzit nuk besojnë, se politikanët që i drejtojnë, janë të aftë të gjejnë rrugëdalje. Qytetarët kanë ndiesinë se e kanë humbur kontrollin mbi proceset në Evropë. Detyrohen të pranojnë gjëra, që u paraqiten pa alternativa, si zgjidhjet e vetme të mundshme. Gjermanët p.sh. detyrohet të aprovojnë paketa të reja kredish për vendet në borxhe, evropianojugorët në borxhe të aprovojnë paketa të reja kursimesh. Më tej, shumë ekspertë mendojnë se ekzistojnë probleme edhe me mënyrën e marrjes së vendimeve në BE. Shpesh vendimet merren në mbledhje jopublike nga eurogrupi apo troika dhe parlamentet detyrohen thjesht t'i miratojnë. Kjo mënyrë jodemokratike e marrjes së vendimeve nuk sjell mbështetje për vendimet e marra. Një pjesëmarrje reale e parlamenteve dhe qytetarëve, në vendimmarrje do të ishte rruga më e përshtatshme.

Ëndrra e proevropianëve

Vizioni pro evropian duket larg

Vizioni pro evropian duket larg

Përdorimi i euros si monedhë e përbashkët e vendeve të BE, nuk është thjesht projekt ekonomik, ai është në radhë të parë një projekt politik. Ky projekt nisi më 1992 me Marrëveshjen e Mastrihtit. Kjo marrëveshje e rreth 20 viteve më parë vuri themelet e europolitikës. Synimi atëherë ishte të bashkohej Evropa, pas kolapsit të Bashkimit Sovjetik, në një zonë model të mirëqënies.

Federalizimi i Evropës, një buxhet i përbashkët evropian, me një ministër financash të plotëfuqishëm për të ndërhyrë në politikat nacionale financiare të shteteve evropiane, politika të unifikuara taksash e pensionesh, të mbrojtura nga parti evropiane, ky ishte dhe është vizioni i synuar i mbështetësve të Evropës. Nga ana institucionale, bashkimi fiskal dhe bankar i vendeve të BE do t'i vinte kapakun ngrehinës ende të paplotë. Në thelb do të kishim një dorëzim të mëtejshëm të sovraniteteve kombëtare tek Brukseli. Por, siç është thënë me të drejtë: reformat duhet të bëhen në kohë të mira, jo në kohë krize. Për momentin vizioni i synuar është më se i largët. Kriza ua ka kthyer kombeve evropiane vështrimin tek vetja.

Veriu i pasur përballë Jugut të varfër

Nga ana tjetër, mosvazhdimi i ristrukturimit të BE me bazë euron, ka nxjerrë në pah probleme të ndërtimit të eurozonës: euroja ka bashkuar vende me ekonomi të strukturuara krejt ndryshe, në veri dhe në jug të Evropës, vende më të pasura dhe të varfra. Vende, me ekonomi të bazuar tek eksporti me vende të tjera, me ekonomi të bazuar tek shërbimet. E i ka bashkuar vetëm mbi bazën e vetëm pak rregullave. Këtu qendron thelbi i krizës aktuale: jo tek euroja, te krijimi i eurozonës, por te projekti i papërfunduar politik i Evropës, me eurozonën.

Qytetarët e BE duan të drejta vendimmarrëse

Qytetarët e BE duan të drejta vendimmarrëse

Rëndimi i gjendjes ekonomike kudo në Evropë ka shtuar mbështetjen për euroskeptikët. Jo vetëm në vendet e krizës në jug të Evropës, si në Greqi e Itali, por edhe në Gjermani janë shtuar zërat që kërkojnë fundin e eurozonës, dhe me këtë fundin e projektit aktual evropian. "Alternativa për Gjermaninë", partia e themeluar vetëm pak muaj më parë në Gjermani, merr aktualisht sipas sondazheve tre përqind të votave të zgjedhësve. Mbështetja për këto parti flet për një krizë legjitimiteti të BE. I shqetësuar për këtë gjendje, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso kujtoi pak ditë më parë se "nuk mjafton që një politikë e caktuar të jetë konceptuar si duhet. Që ajo të ketë sukses, ajo duhet të marrë një minimum mbështetje nga qytetarët."

Ndryshim strategjie?

Në këtë situatë, vende që mbështesin kurse më të ashpra reformash dhe kursimesh, si Gjermania, Danimarka, Hollanda, Finlanda etj. duket se po tolerojnë heshturazi një zbutje të disa kërkesave. Njëra prej tyre është kërkesa për një ulje të shpejtë të deficitit buxhetor.

Kështu, nga njëra anë po pranohet një ngadalësim i ritmeve të uljes së deficitit buxhetor. Spanjës p.sh. iu dhanë edhe dy vjet kohë, para se të fillojnë procedurat e BE, që i ndëshkojnë vendet që shkelin kufijtë e deficitit buxhetor të përcaktuar nga BE. Francës, të zhytur në recesion pritet t’i jepet edhe një vit kohë në dispozicion për të ulur deficitin buxhetor – në këmbim të premtimit për përshpejtim të reformave strukturore.

Eksportim i modelit gjerman të suksesit

Gjermania ndihmon vendet në krizë

Gjermania ndihmon vendet në krizë

Gjermanët kanë vendosur t'i ndihmojnë të tjerët edhe duke eksportuar një nga „sekretet“ që i ka ndihmuar ata në dekada të luftojnë papunësinë. Ministrja gjermane e Punës, Ursula von der Leyen nënshkroi javën e kaluar me Spanjën një marrëveshje, me të cilën Gjermania zotohet ta mbështesë Spanjën të ngrejë edhe ajo një „sistem të dyfishtë të trajnimit profesional“, shumë i suksesshëm në luftimin e papunësisë në Gjermani. Sipas këtij sistemi, të rinjtë punojnë tre ose katër ditë në javë në një qendër pune, ndërsa pjesën tjetër të kohës, 8 deri 12 orë në javë e kalojnë në shkollë. Në fund të trajnimit, studentët duhet të kalojnë një test, dhe fitojnë një dëshmi aftësish. Ndërsa ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaüble nënshkroi kohët e fundit me Portugalinë një marrëveshje tjetër: Gjermania do ta ndihmojë këtë vend të ngrejë një bankë, e cila do të mbështesë financiarisht punësimin e të rinjve nën 25 vjeç.

Nga ana tjetër, Gjermania dhe vende të tjera kërkojnë që vendet me borxhe të përshpejtojnë reformat strukturore, pra që të zhdërvjelltësojnë tregun e punës e të produkteve si dhe që ta bëjnë administratën publike më efikase. Që këto vende të bëjnë ato reforma, të cilat Gjermania i nisi që 10 vjet më parë, me "Agenda 2010", të iniciuar nga kancelari Gerhard Schröder. Dhe suksesin e të cilave Gjermania po e përjeton sot.

Në këtë kuadër, Gjermania dhe Franca pritet të shpallin në qershor një iniciativë, për të nxitur ekonominë dhe punësimin në Evropë. Megjithë mosmarrëveshjet me njëra-tjetrën, për politikat ekonomike me të cilat Evropa mund të dalë nga kriza: Gjermania dhe Franca, motori ekonomik dhe politik i Evropës, e ndiejnë nevojën emergjente për veprime. Nevojën për një përpjekje të re, që Evropa të mos i humbasë qytetarët e saj.

Autor: Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani