1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Statusi kandidat i Shqipërisë në BE, bisedë me eurodeputetin Bernd Posselt

Lindita Arapi12 Dhjetor 2013

Pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Parlamenti Europian, e cila mbështet statusin kandidat, eurodeputeti gjerman, Bernd Posselt flet për vazhdimin energjik të kursit të reformave nga qeveria e re e Tiranës.

https://p.dw.com/p/1AY5o
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Parlamenti Europian miratoi me shumicë rezolutën pro statusit kandidat për Shqipërinë. Është statusi tani më i sigurtë?

Bernd Posselt: Jo nuk është i sigurtë, për këtë do të vendosë Këshilli i BE-së në samitin e tij, por Parlamenti Europian e dha opinionin e tij. Tani të presim se ç'do të ndodhë më tej.

DW: Cilat barriera e pengojnë ende statusin?

Posselt: Vendimi duhet të jetë unanim, pra mjafton që një vend të ndërrojë mendje deri atë ditë, e ky është dallimi me Parlamentin Europian, ne i marrim vendimet me shumicë. Duhet thënë se në fund të procesit, fjalën e fundit e ka Parlamenti, por në fillim të procesit të integrimit, i cili zgjat me vite, vendos Këshilli. Në këtë moment ne si Parlament mund të japim vetëm rekomandimin, pas disa vitesh, kur të jenë përmbyllur negociatat, do të jemi ne organi i fundit që vendos.

DW: Ndër vendet që përmenden për rëndësinë që ka Po-ja e tyre është edhe Gjermania. Holanda dihet se ka rezerva. Si do të veprojë Gjermania?

Posselt: Unë vërtet jam deputet gjerman i zgjedhur, por nuk flas për qeverinë gjermane, por jam parlamentar europian, jam i pavarur dhe si i tillë jam për negociata me Shqipërinë. Se çfarë do të bëjë qeveria gjermane, e cila është në proces të krijimit të saj, këtë do ta shohim gjatë dhjetorit.

DW: Mendoni se është në disfavor të Shqipërisë fakti që Gjermania ende nuk e ka qeverinë e re?

Posselt: Jo nuk është aspak kështu, në këtë çështje ka kontuinitet të politikës gjermane. Unë personalisht kam qëndrim të qartë për statusin, por mbetet të shohim si do të veprojë qeveria.

DW: Po partia juaj kristiansociale, pjesë e koalicionit gjerman si e sheh statusin kandidat për Shqipërinë?

Posselt: CSU-ja është parimisht pro negociatave, por aktualisht është kundër anëtarësimeve të reja në BE edhe për legjislaturën tjetër të Parlamentit Europian. Por të jemi realist, anëtarësime nuk do të ketë për një kohë, sepse po të shohim se vetëm bisedimet e pranimit për Kroacinë, që ishte e përgatitur shumë mirë, zgjatën tetë vjet, pra dhjetë vjet është minimumi për negociatat. CSU-ja është e hapur, është pro procesit të Selanikut, disa janë më të ngadaltë, disa më të shpejtë, unë bëj pjesë tek këta të dytët.

DW: Në rast se statusi kandidat vjen në 17 dhjetor, çfarë do t'i mundësonte ai konkretisht Shqipërisë?

Posselt: Kjo do të nënkuptonte për Shqipërinë fillimisht prezencën në samite të ndryshme, po ashtu do të merrte asistencë para-anëtarësimi, pra në kuptimin financiar, por për vetë Shqipërinë, kjo do të thotë se duhet të dijë të negociojë me profesionalitet, si edhe të vazhdojë energjikisht kursin e reformave. Duhet të themi se ka shumë kritika ndaj Shqipërisë në Parlamentin dhe Komisionin Europian. Duhet të presim se si do të bashkëpunojnë forcat politike në Shqipëri tani. Pasi duhet ta themi se raporti që miratuam sot (12.12.) ishte i vitit 2012, pra në atë kohë në fuqi ishte qeveria e mëparshme, pra ky raport ishte një dëftesë me nota të mira për atë qeveri. Edhe qeveria e tanishme do ta marrë një dëftesë të tillë, po qe se vazhdon përpjekjet, por kjo nuk është e vetëkuptueshme.

DW: ...E si e vlerësoni ju këtë bashkëpunim të forcave politike aktualisht?

Posselt: Një gjë është shumë e rëndësishme. Unë e ndjek prej disa dhjetëvjeçarësh procesin e zgjerimit të BE-së, dhe mund të them për këtë se sukses të shpejtë kanë pasur ato vende, të cilat kishin konsesus kombëtar për politikën europiane dhe reformat e brendshme. Çdo polarizim ka sjellë kosto për integrimin. Ju e dini se në Shqipëri ka pasur më parë një polarizim të theksuar, ka edhe tani, por rruga drejt Europës do të jetë e suksesshme, vetëm nëse për reformat kardinale bashkohen të dyja partitë e mëdha.

Parlamenti Europian u shpreh pozitivisht për përgjegjësinë me të cilën qeveria e shkuar e ka trajtuar procesin e reformave, por ai kërkon po këtë lloj përgjegjësie edhe nga qeveria e re. Unë vërej se klima aktuale politike nuk ka ndonjë aftësi të madhe duruese, pra mund të ishte edhe më e rezistueshme ndaj polarizimeve.

DW: Në Shqipëri pritet me mjaft interes statusi kandidat, por në gjendjen aktuale të BE-së, me një ngopje të plotë përsa i përket zgjerimit, ai duket thjesht si një hap formal, edhe nëse vjen, pasi nuk dihet se kur mund të fillojnë, apo sa mund të zgjasin bisedimet e pranimit. Sa kohë duhet për fillimin e bisedimeve të pranimit?

Posselt: Më lejoni të them se hapi i parë është më i rëndësishmi, është si në një maratonë, pa startin, nuk shkohet në finish. Vrapimi zgjat vërtet shumë por nëse nuk kemi në startim, nuk arrijmë dot as objektivin. Ne presim negociata të detajuara, ato do të mund të zgjasim 8 deri në dhjetë vjet, minimumi, madje edhe kur punohet mirë, kërkohet durim. Ajo që dua të theksoj dhe është shumë e rëndësishme është që të bëhet një punë më e madhe për të fituar simpati Europë.

DW: Por a nuk mendoni se në rast se integrimi është një proces kaq i lodhshëm dhe i gjatë mund të ketë një lloj lodhjeje me Europën, edhe në vende si Shqipëria me entuziazëm të madh proeuropian?

Posselt: Gjatë një maratone nuk duhet të lodhesh, sepse nuk e arrin dot objektivin e synuar.