1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krijimi i një ambjenti sa më atraktiv për punësimin e të rinjve në Shqipëri

Arben Muka14 Gusht 2014

Programi zviceran RisiAlbania jep 0mbështetje në dy aspekte kryesore: krijimin e vendeve të punës në sektorin privat dhe në ndërmjetësimin në punë, ku një rol të madh luan media.

https://p.dw.com/p/1Cuap
Fotografi: PisiAlbania/Tirana

Punësimi i të rinjve është një nga sfidat më të mëdha, me të cilat po përballet e gjithë shoqëria shqiptare, ndërkohë që ky mbetet dhe një problem me dimension global. Shqipëria ka një popullsi të re, ku një e katërta e saj, ose më shumë se 700 mijë, janë në grupmoshën 15 dhe 29 vjeç. Pikërisht rinia bart edhe nivelin më të lartë të papunësisë, pjesa më e madhe e të cilëve janë të paarsimuar, ose vetëm me arsimin bazë, thotë Muedini për DW.

Ky ishte konteksti, që e nxiti Agjensinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës të inciojë programin për mbështetjen e punësimit të të rinjve, që thirret RisiAlbania. Qeveria zvicerane krahas kontributit domethënës në përgatitjen e të rinjve me aftësitë bashkëkohore për tregun e punës po kontribuon dhe në mbështetjen e krijimit të vendeve të punës përmes zhvillimit të sektorit privat dhe rritjes cilësore dhe sasiore të shërbimeve të punësimit.

Orientimi në sektorë me potencial për zhvillim

Edlira Muedini, drejtore e programit RisiAlbania, thotë për Deutsche Wellen se pikërisht “mbështetja në krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë në tre sektorë ekonomikë - agropërpunim, turizëm dhe TIK- me potencial për zhvillim, dhe mbi të gjitha tërheqës për të rinjtë në zonat urbane e rurale, si dhe përmirësimi i aksesit ndaj shërbimeve private e publike të punësimit përbëjnë sfidën, me të cilën përballet programi RisiAlbania në 4 vitet e ardhshme, së bashku me të gjithë aktorët e interesuar”.

Muedini shpjegon dhe se RisiAlbania përkon me strategjinë e autoriteteve, për të cilët punësimi i të rinjve është kryefjala e axhendës së saj.

“Ne do të kontribuojmë në fuqizimin e biznesit, nëpërmjet krijimit të një mjedisi dinamik, që nënkupton përmirësimin e shërbimeve të biznesit të lidhura me zgjerimin e tregut, marketingun, informacionin, aksesin financiar, si dhe advokimin për një ambjent më të përshtatshëm biznesi. RisiAlbania do të koordinojë përpjekjet me biznesin, qeverinë dhe aktorët e tjerë për t'u përballuar me sfidat, që ka përpara.”

Informim për prirjet e tregut të punës përmes medias

RisiAlbania do të fokusohet në dy aspekte kryesore: krijimi i vendeve të punës në sektorin privat dhe së dyti përmes ndërmjetësimit në punë, ku një rol të madh do të luajë media.

Eksperti dhe konsulent në RisiAlbania, Nazim Rashidi, tregon për Deutsche Welle-n se media është një hapësirë, që ofron rregullisht në mënyrë të dobishme informacion të përditësuar dhe të balancuar nga perspektiva gjinore për tregun e punës. Rashidi është autor i një studimi mbi këtë çështje, ku u përfshinë në komunikim online 1021 persona, të ndarë sipas rretheve, gjinisë, nivelit professional, si dhe u bënë 10 fokus grupe me të rinj në Tiranë dhe ne rrethe, zona në jug dhe veri të Shqipërisë dhe në Tiranë e në Shqipërinë e mesme.

“Ajo, që studimi nxori në pah, është fakti se të rinjtë punë kërkojnë me të njohur dhe familjarë dhe prandaj rritet nevoja për më shumë informacion në media, si për vende pune, ashtu edhe zgjedhjen e profesionit. Sepse edhe tek zgjedhja e profesionit ka mungesë informacioni, vendimi merret mbi percepsion dhe ku rol të madh tek të rinjtë kanë prindërit, të cilët gjithashtu nuk janë të informuar për prirjet e tregut të punës dhe profesionet, që janë në kërkim. Media merr një rëndësi të madhe, sidomos Interneti dhe Televizioni për të mirëinformuar. Duke marrë parasysh këto gjetje, studimi sugjeron se ka një potencial të mirë për modele biznesi për të ‘shitur' informacion për punësimin”.

Për Nazim Rashidin suplemente, apo programe të veçanta mund të ndikonin shumë, ndërkohë që po sipas studimit, për të mbështetur produkte të tilla mediatike ka interes edhe nga sponsorët kryesorë, që ishin pjesë e studimit.

“Ata thonë se duke e ditur që papunësia është çështje e rëndësishme për vendin, produkte të tilla mediatike ngjallin interes, çka do të thotë se tërheqin reklamues. Nëse produket janë cilësore ata do të mbështesnin produkte të tilla mediatike. Studimi evidentoi se publiku, të rinjtë, por dhe ai me i gjerë, ka mungesë të plotë informacioni për këshilla karriere nga mediet dhe ka interes i plotë për produkte me informacione të tilla”.