1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë - Serbi - Interesi për të mësuar gjuhën e tjetrit

Lindita Arapi17 Prill 2014

Procesi i pajtimit shqiptaro-serb ka filluar, por përmbyllja e tij është ende larg. Në këtë kontekst njohja e gjuhës si ura e parë e komunikimit ka një rol kyç. Çfarë interesi ekziston për të mësuar gjuhën e tjetrit?

https://p.dw.com/p/1BjY0
Persida Asllani në konsultim me studentët
Persida Asllani në konsultim me studentëtFotografi: Persida Asllani

22 vjeçari Damjan Filipoviç studion albanologji në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Familja reagoi e çuditur, kur dëgjoi për këtë vendim para tre vjetësh, por rezistencë kundër dëshirës së Damjanit nuk pati. Por habia më e madhe erdhi nga shokët, që tundnin kokën pa e kuptuar dot, se ç'e shtynte atë t'i kushtohej një gjuhe si shqipja, rrëfen ai. "Sigurisht që shokët e mi kishin paragjykime, por shumica e tyre sot mendojnë ndryshe."

Por për Damjanin vetë vendimi ishte i qartë: "Isha shumë i interesuar për popullin shqiptar, sepse në vendin tim ne nuk dimë shumë edhe pse jetojmë bashkë tashmë disa shekuj. Gjithashtu, e dija që gjuha shqipe është gjuhë e veçantë në grupin e gjuhëve indoevropiane, nuk është pjesë e një grupi të madh, siç është me gjuha të tjera të mëdha. Motivacioni im ishte edhe interesimi edhe fakti që në Serbi pak njerëz flasin këtë gjuhë."

Shqipja si gjuhë e dytë

Studentja Valentina Bahtijari (e para majtas)
Studentja Valentina Bahtijari (e para majtas)Fotografi: Persida Asllani

Një situatë e njohur prej kohësh, e cila po ndryshon ngadalë. Janë pikërisht studentët që po i sjellin shenjat e para të ndryshimit. Këtë e konfirmon edhe Prof. e asociuar Persida Asllani nga Universiteti i Tiranës, e cila jep mësim në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Beogradit. "Ajo që vëmë re këtë vit është rritja e numrit të studentëve, kemi gati dyfishimin e studentëve që duan të mësojnë shqip, madje ata vijnë edhe nga fakultetet e tjera, pasi Universiteti po e ofron shqipen tani si degë të dytë brenda studimeve. Krahas 40 studentëve të regjistruar nga viti i parë në të katërtin, mund të themi që këtë vit kanë ardhur 40-60 studentë të rinj."

Ndoshta 40 apo 60 studentë nuk janë një shifër e madhe për një degë universitare. Por përballë sfondit historik shqiptaro-serb kjo shifër fiton peshë kontribuese në mirëkuptimin shqiptaro-serb. Prof. Persida Asllani, ishte vetë mjaft kurioze të njohë arsyet, që i bëjnë këta studentë të zgjedhin shqipen, si gjuhë. "Ka studentë që mësojnë shqip për shkak interesit linguistik, pra ata që duan të bëhen balkanologë. Të tjerë kanë ardhur, sepse vetëm për këtë degë kanë marrë të drejtën e studimit. Pas heqjes së dyzimeve të para, ne vëmë re që ata e zbulojnë gjuhën dhe janë po aq aktivë sa të tjerët. Disa madje më kanë thënë se kanë zgjedhur shqipen edhe për shanset e mëvonshme. Për disa vende pune në administratën lokale apo qendrore, në hapësirat e shkëmbimit, tregti, kulturë, njohja e shqipes duket se është një plus në aplikim."

Studentët në bibliotekën me libra shqip në universitet
Studentët në bibliotekën me libra shqip në universitetFotografi: Persida Asllani

Pikërisht këto shkaqe praktike e kanë shtyrë, Valentina Bahtijarin të studiojë shqip. Studentja serbe në vitin e katërt, shpreson që pas studimeve të gjejë një vend si përkthyese. Ajo është e mendimit që shqipen duhet ta mësojnë më shumë studentë. Gjendjen aktuale politike madje ajo e sheh si faktor ndihmues për ta mësuar shqipen. "Kjo gjuhë ka një rëndësi të posaçme në Serbi. Ka arsye konnkrete pse Serbia ka nevojë ta njohë këtë gjuhë: Së pari, jemi fqinjë me kosovarët. Së dyti në shtetin e Kosovës, që ka qenë dikur pjesë e Serbisë, jetojnë ende shumë serbë...Nga ana tjetër po zhvillohet edhe një interes turistik për Shqipërinë."

Lufta e Kosovës dhe rënia e interesit për serbishten

Po ç'interes ka për gjuhën serbe tek fqinja e Serbisë, Kosova? Duan studentët kosovarë të mësojnë gjuhën dhe letërsinë serbe në universitet? Dekani i Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, Sedat Kuçi, thotë se në Kosovë plagët e së shkuarës janë ende të freskëta. Gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999 katedra për gjuhët jugosllave në Universitetin e Prishtinës, ku mësohej serbisht u mbyll. Pas luftës gati u zhduk interesi për kulturën dhe gjuhën serbe në Kosovë. Gjenerata e re pothuajse nuk e njeh aspak serbishten, thotë Prof. Kuçi.

Universiteti i Prishtinës
Universiteti i PrishtinësFotografi: Mimoza Cika Kelmendi

Por urat e komunikimit nuk janë ndërprerë plotësisht. Në bashkëpunim me Universitetin e Beogradit u arrit që në muajt e verës studentët serbë të mësojnë gjuhën shqipe në Prishtinë. Prej tre vitesh një praktikë e sukseshme. Persida Asllani e vlerëson këtë ri-njohje gjuhësore si një investim për të ardhmen. "Me njohuritë e fituara dhe përvojat në vend këta studentë janë ura më e mirë për një komunikim më të plotë dhe shkëmbim të gjerë, jo vetëm kulturor."

Më shumë optimizëm në Prishtinë

Por edhe në Prishtinë vihen re shenja ndryshimi. Dekani i Fakultetit të Filologjisë, Prof.Sedat Kuçi shpreson për semestrin e ardhshëm marrjen e akreditimit për degën e balkanologjisë, ku do të mësohet edhe gjuha e letërsia serbe. "Shteti i ri i Kosovës ka nevojë për kuadro që të njohin e të flasin të gjitha gjuhët e Ballkanit, për këtë nuk ka nevojë vetëm universiteti, por Kosova ka nevojë për këtë shkëmbim kulturor me fqinjët, këtu bën pjesë edhe Serbia. Të rinjtë duhet t'i mësojnë këto gjuhë, me qëllim që të përmirësojnë shanset e tyre pas studimeve."

Sedat Kuçi është optimist që interesi për të mësuar gjuhët ballkanike do të rritet. Ai planifikon më shumë reklamë për të tërhequr studentët të mësojnë këto gjuhë. Ndoshta edhe dy studentët Damjan Filipoviç dhe Valentina Bahtijari mund të ndihmojnë për të kapërcyer barrierat gjuhësore. Ata dhe kolegët e studimeve e kanë vizituar disa herë Prishtinën dhe Tiranën, duke përmirësuar shqipen, por edhe duke fituar miq të rinj.