1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Qeveria e Serbisë shkel marrëveshjen e Brukselit

Bekim Shehu6 Janar 2015

Qeveria e Kosovës i kërkon BE-së të ndërmarrë masa për ta ndaluar Serbinë të ndërhyjë me struktura paralele në Kosovë. Qeveria e Serbisë po shkel marrëveshjen e Brukselit, thuhet në reagimin e Prishtinës.

https://p.dw.com/p/1EFlK
Kosovo Land und Leute Mitrovica Brücke Grenze
Fotografi: Nikos Pilos

Qeveria e Kosovës e cilëson si ndërhyrje të Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës, një vendim të qeverisë së Serbisë, e cila emëroi Bratisllav Nikoliqin, kryetar të komunës paralele të Shtërpcës. Bratislav Nikoliq, është edhe kryetari legal i kësaj komune i zgjedhur në zgjedhjet lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës. Në një letër që ministrja për Dialogun në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, i ka drejtuar Bashkimit Evropian, përkatësisht z. Fernando Gentilini, ajo ka kërkuar që BE-ja të ndërmarrë të gjitha masat për ta ndaluar Serbinë që të ndërhyjë me struktura paralele në Kosovë, duke theksuar se Serbia po vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. "Serbia ka vazhduar t'i mbajë strukturat paralele edhe në katër komunat veriore, për të cilat Qeveria e Kosovës e ka njoftuar në vazhdimësi Bashkimin Evropian, përfshirë dhe në raportin për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të dërguar në BE në tetor", thuhet në letrën e ministres për Dialogun, Edita Tahiri.

Qeveria e Kosovës konsideron se këto veprime të Serbisë janë thelbësisht destruktive dhe që kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i dialogu të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe cënojnë paqen dhe stabilitetin në rajon. "Ndërhyrjet ilegale të Serbisë në Kosovë përherë kanë qenë veprime negative dhe kanë krijuar tensionime dhe destabilizim. Këto veprime nuk janë në përputhje me frymën e BE-së për fqinjësi të mirë dhe stabilitet rajonal, përkundrazi janë akte dëshpërimi kur tentohet të pengohet legjitimiteti demokratik dhe puna e kryetarëve komunal të zgjedhur në mënyrë të rregullt në bazë të Kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Dialogu Kosovë Serbi, është parashikuar të vazhdojë në fillim të shkurtit me takimin e dy kryeministrave, atij të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq. Këtë e pati konfirmuar në një intervistë për DW, kryeministri Isa Mustafa, i cili pati thënë se formati i dialogut do të jetë i njëjtë. "Formati afërsisht duhet të jetë i njëjtë, por ajo çfarë unë mendoj se duhet të bëjmë edhe me njerëzit me të cilët kam biseduar edhe nga koalicioni, është që ne ta bëjmë edhe më transparent dialogun në kuptimin edhe të përfshirjes më të madhe të Kuvendit të Kosovës në procesin e dialogut dhe në fazën fillestare të temave që do të dialogohen në Bruksel por edhe në fazën përfundimtare të informimit të tyre dhe të pranimit nga ta të marrëveshjeve të cilat ne i bëjmë në Bruksel. E gjithë kjo me qëllim që të gjithë deputetët ta kenë të qartë se çfarë po dialogohet në Bruksel dhe po ashtu të gjithë deputetët dhe qytetarët ta kenë të qartë që marrëveshjet që ne i arrijmë në Bruksel, duhet të jenë marrëveshje të cilat do të implementohen qoftë në periudhën e tanishme qoftë në periudhat e ardhshme kur nuk do të jetë në pozitë ajo qeveri e cila i ka bërë këto marrëveshje", thotë kryeministri Isa Mustafa.

Analistët: Zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit prioritet i qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë

Analistët politik mendojnë se Serbia vazhdimisht po ndërhyn në çështjet e brendshme të Kosovës dhe për rrjedhojë ka shkelje të marrëveshjes së 19 prillit Kosovë-Serbi. Fisnik Korenica, nga Instituti për Studime Politike dhe Juridike, i tha DW se Kosova nuk e ka luksin që të bëjë dialog pa e kushtëzuar Serbinë. "Mendoj që problemi themelor në vazhdimin e dialogut me Serbinë mbetet insistimi i Serbisë për të përvetësuar sa më shumë nga moszbatimi i marrëveshjes së 19-prillit, e cila vazhdon të mos zbatohet në pikat qendrore të saj nga ana e Serbisë. Në këtë kuptim, mendoj që Kosova nuk e ka luksin që të bëjë dialog pa e pas kushtëzuar Serbinë që ajo të zbatoj pjesën e saj të detyrimeve të pajtuara në mes të dyja palëve njëherë me marrëveshjen në fjalë", thotë Fisnik Korenica. Sipas tij, problem tjetër është edhe konsolidimi i zyrës së shefes së diplomacisë evropian Federica Mogherini, e cila ende nuk e ka qartësuar plotësisht agjendën që do ta ketë në relacion me dialogun Kosove-Serbi. "Kjo gjë mund të jetë faktor i ngadalësimit të këtij procesi në këtë fillim viti. Serbia, në anën tjetër, besoj që ka interesin e saj që dialogun ta fillojë me pikën e Asociacionit të Komunave Serbe, pikë në të cilën Serbia do të insistojë që t'i jepen kompetenca ekzekutive këtij Asociacioni", thotë Fisnik Korenica, i cili mendon se ky insistim i Serbisë duhet refuzuar nga ana e Kosovës, sepse vendosja në dialog e këtij asociacioni do të nënkuptonte hapje të marrëveshjes së 19 Prillit.

Edhe një analist tjetër politik, Naim Rashti, i tha DW-së se në vitin 2015, fillimisht prioritet i qeverisë së Kosovës në raport me dialogun me Serbinë duhet të jetë implementimi i plotë i marrëveshjes së 19 prillit. "Pjesa me e madhe e marrëveshjes duhet të implementohet gjatë këtij viti në mënyrë që të shihet avancim në normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe të hapet rruga për marrëveshje të reja. Vështirë se do të këtë marrëveshje të reja pa zbatuar marrëveshjen e parë", thotë Naim Rashiti. Sipas tij, çështjet urgjente ndërlidhen me integrimin e plotë të serbëve dhe pjesës veriore në kuadër të juridiksionit të Kosovës dhe eliminimin e sistemit dhe administratës paralele të financuar nga Beogradi. "Përmbyllja e shpejtë dhe implementimi i marrëveshjes për gjykatën themelore në Mitrovicë, transformimin e administratës serbe në atë të Kosovës, përmbylljen e asociacionit të komunave me shumicë serbe duke i dhënë kështu fund financimit paralel serb, do ta përmbyllte integrimin e serbëve", thotë Naim Rashiti.

Sidoqoftë, Prishtina zyrtare akoma nuk ka dhënë detaje se çfarë do të bisedohet në takimin e parë në fillim të shkurtit ndërmjet kryeministrit të ri të Kosovës, Isa Mustafa dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq që do të zhvillohet me ndërmjetësimin e shefes së re të diplomacisë evropiane Federica Mogherini. Kjo e fundit, me të marrë detyrën e re tha se, ndër prioritet e saj është edhe dialogu Kosovë-Serbi, të cilin do ta udhëheqë vet.