1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni - Gangrena e shoqërisë shqiptare

Arben Muka10 Dhjetor 2012

Analistët e medias ngrenë zërin pas raportit të TI dhe përkeqësimit të treguesve të korrupsionit në Shqipëri. Fenomeni i korrupsionit ka shtrirje kapilare në të gjithë shoqërinë shqiptare.

https://p.dw.com/p/16zAW
Fotografi: picture-alliance/dpa

Raporti më i fundit i Transparency International. "Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit, 2012" e rendiste Shqipërinë si vendin e fundit në rajonin e Ballkanit për rezultatet në luftën ndaj këtij fenomeni. Nga vendi i 95 në renditjen globale, për vitin 2011, Shqipëria tashmë ka zbritur e 113-a, dukshëm me një performancë më të përkeqësuar në këtë drejtim.

Analisti Mustafa Nano, drejtues i platformës mediatike on line "ResPublica.al" thotë se personalisht nuk ka qenë aspak i surprizuar që për Shqipërinë janë këto tregues për korrupsionin. Ajo që vë re si gazetar apo si qytetar i thjeshtë është mungesa totale e dëshirës nga ana e administratës në të gjitha nivelet që të dalë nga ky batak që godet çdo aspekt të shoqërisë sonë, thotë Mustafa Nano për DW.

Fenomen gjithëpërfshirës

"Këtu nuk është vetëm problemi që nga korrupsioni disa para shkojnë në duar të gabuara, problemi është që deformohet tregu. Deformohet gara si për politikë apo në fusha të tjera, pra, korrupsioni është një deformacion i madh i demokracisë në terma të përgjithshme dhe ky është një shqetësim i madh.

Përshtypje tjetër që më bën është fakti se ata që duhet ta lexonin me kujdes këtë raport, për të nxjerrë përfundimet e duhura, kam përshtypjen se nuk e kanë lexuar mirë por gabim. Duke mos kuptuar në këtë mes se nuk flitet për kurrupsion vetëm në një sektor të veçantë, fjala vjen te drejtësia, nuk është fjala vetëm për korrupsionin e qeveritarëve e politikanëve, të atyre që kanë në duar vendimarrjen. Por është një fenomen i shtrirë në të gjithë kapilarët e shoqërisë."

Analisti Mustafa Nano
Analisti Mustafa NanoFotografi: ResPublica.al

Analisti Nano merr raste nga jeta e përditshme e qytetarëve, ku atyre iu duhet paguajnë tek polici rrugor për të evituar gjobën, iu duhet të paguajnë për shërbimet në administratë, për shërbimet që ligji ua garanton të jenë falas. Qytetari është i detyruar të japë para edhe tek shërbimi shëndetësor publik, ku ekipi mjekësor ka detyrimin t'u ofrojë shërbim falas kundrejt derdhjes së sigurimeve sociale në arkën e shtetit. "Kur flitet për korrupsionin duhet të përmenden këto gjëra. Kurse politika shqiptare e ka reduktuar gjithë qortimin e madh që vjen nga raporti si një gjë që vjen për ndonjë sektor të veçantë. Ky është një banalizim, është një vulgaritet, si një përpjekje që kërkon t'i shpëtojë thelbit të çështjes që për mua është shumë serioze. Korrupsioni është një nga handikapët më të mëdhenj që e mban Shqipërinë në këtë stad vendnumëro të një tranzicioni sfilitës, me institucione pa besim dhe seriozitet tek qytetarët e këtij vendi".

Përbetimet publike pa efekt

Analisti Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëv të Shqipërisë, mendon se në vitet e fundit vendi ose ka mbetur ne vend, ose ka bërë hapa prapa në luftën kundër korrupsionit. Prodhohen shumë fjalë, bëhen përbetime, publikohen strategji afatgjata e afatshkurtëra, por në perceptimin popullor situata vetëm përkeqësohet, thotë për DW, Aleksandër Çipa.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa
Kryetari i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër ÇipaFotografi: DW/A.Muka

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit kërkon iniciativa të besueshme dhe reforma të thella institucionale. "Është e pranuar jo vetëm nga faktorët politikë, por dhe nga shoqëria civile që korrupsioni këtu është gangrenë, një nga problemet madhore, me të cilat ndeshet shoqëria shqiptare. Raporti i fundit i TI evidenton një fakt kokëfortë që ka të bëjë me pafuqinë e të gjithë institucioneve shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe për ta ndalur atë në kapilarët e jetës shoqërore, ekonomike dhe politike të vendit.

Në këtë pikëpamje mendoj se jemi në një moment kur reformat për të fituar luftën kundër këtij fenomeni duhet të jenë thelbësore." Për Aleksandër Çipën, reagimet e autoriteteve pas publikimit të raportit të Transparency International "janë trishtuese, lënë pak vend për të menduar se pritet të ketë reagime për të ndryshuar seriozisht gjendjen ku ndodhemi".