1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koreja e Veriut: një rast për Gjykatën Penale Ndërkombëtare?

Esther Felden/ Auron Dodi19 Nëntor 2014

Udhëheqja e Koresë së Veriut duhet të përgjigjet juridikisht për shkelje masive të të drejtave të njeriut. Këtë e kërkon një rezolutë e OKB-së, për të cilën u votua. Pheniani i kundërshton të gjitha.

https://p.dw.com/p/1DpT3
Gjykata Penale Nderkombetare ne Hage
Fotografi: imago/F. Berger

Ende është e paqartë nëse Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) do të merret me këtë rast. Por të martën (18.11), Komisioni i të Drejtave të Njeriut të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votoi pro një rezolute përkatëse, e cila u paraqit së bashku me BE dhe me Japoninë. Në të, Këshillit të Sigurimit të OKB-së i bëhet thirrje që ta ngarkojë ICC me një proces penal kundër udhëheqjes së vendit të izoluar ndërkombëtarisht.

Koreja e Veriut, nga ana e saj i hedh poshtë të gjitha akuzat, e sheh veten si pjesë të një komploti të iniciuar nga SHBA. Regjimi synon të pengojë me të gjitha fuqitë e tij që KS të OKB-së të merret me gjendjen e të drejtave të njeriut në vend dhe përpiqet me një ofensivë diplomatike që ta ndalojë këtë. Kështu, Koreja e Veriut ka sinjalizuar madje gatishmëri për dialog përballë OKB-së- edhe nëse brenda kushteve të caktuara. Te Kuba të paktën kjo pati jehonë: shteti i Karibikut paraqiti një amendament, në të cilin janë fshirë referencat për Gjykatën Penale Ndërkombëtare nga teksti i rezolutës. Me sa duket Pheniani kishte kërkuar mbështetje edhe nga Rusia. Sipas agjencive të lajmeve qenë planifikuar biseda me Presidentin rus Putin dhe me Ministrin e Jashtëm, Lavrov.

Bazë për iniciatën e bashkësisë ndërkombëtare kundër udhëheqjes së Koresë së Veriut është raporti i një komisioni të posaçëm të OKB-së të ngritur për këtë qëllim, që u publikua në fillim të vitit. Në të përshkruhet në mënyrë të detajuar si është ndërtuar sistemi i kampeve të të burgosurve, si torturohen atje sistematikisht njerëzit, si përdhunohen dhe ekzekutohen.

Por vendimi i Komisionit të të Drejtave të Njeriut nuk do të thotë patjetër se udhëheqjes se Koresë së Veriut do t'i organizohet vërtet proces gjyqësor në Hagë. Sepse është vetëm Këshilli i Sigurimit të OKB-së ai që ka kompetencën ta përcjellë rastin më tej te Gjykata Penale Ndërkombëtare. Dhe në Këshillin e Sigurimit, krahas Rusisë ndodhet edhe aleati më i rëndësishëm i Koresë së Veriut, Kina. Të dyja këto shtete mund të paraqesin veto kundër rezolutës.

Që dhe vetëm ideja për një proces të tillë e vë nën presion Phenianin, këtë e tregon edhe fakti që në Nju Jork u zhvillua një takim midis Raportuesit Special të OKB-së për Korenë e Veriut, Marzuki Darusman dhe një delegacioni katërvetësh të Koresë së Veriut. Ishte takimi i parë në dhjetë vitet që kur ekziston në OKB posti i raportuesit për Korenë e Veriut. Kërkesa të mëparshme për bisedime, Koreja e Veriut i kishte refuzuar gjithmonë, i tha Darusman Deutsche Welle-s.

Prandaj për zhvillimet e fundit ai ka një optimizëm të kujdesshëm. "Ato dëshmojnë gatishmërinë në rritje të Koresë së Veriut për një përballje me komunitetin ndërkombëtar".