1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shoqëria & Kultura

Komuniteti rom më i varfëri në Shqipëri

Papunësia dhe diskriminimi social e ka bërë komunitetin rom të jetë më i varfëri në Shqipëri. Në Tiranë komuniteti rom arrin në 25 mijë vetë. Rreth 45% e tij është e papunë dhe nomade. Disa prej tyre i vizitoi Ani Ruci.

Tregu u rrobave të përdorura në Tiranë

Tregu u rrobave të përdorura në Tiranë - Të ardhurat nga tregëtia e mallrave të përdorura nuk janë të qëndrueshme

“Hajde, sandale, këpucë me dy mijë lekë, triko me tre mije , bluza, funde të lira, hajde, mall firmato…..”


Kujtimi, një rom rreth të 40 -ve fton kështu çdo ditë klientë të blejnë në tezgat e tij, në tregun më të madh të mallrave të përdorura të Tiranës. Tregu shtrihet në të dyja anët e një rrugice të gjatë, disa qindra metra, paralel me shinat në stacionin e trenit dhe atje ku mbaron Bulevardi “Zogu I-rë. Ai njihet si tregu “GABI”, emër nga varianti i shkurtuar i fjalës ”gabel”, që në Shqipëri përdoret me të njëtin kuptim si fjala “rom/e ” Tezgat në konfidencë, gjysëm me shaka e gjysëm seriozisht quhen edhe butikët” GABI” pasi mallrat jane të firmave më me emër të Europës Perëndimore: Christian Dior, Armani, Espri, etj. Bashkë me gruan e tij, Bukurien, Kujtimi i tregëton ato pasi i merr me kg në magazine të mëdha, në periferi të Tiranës.


“I marrim me thasë tek firmat që i sjellin nga jashtë, nga Gjermania, Italia, Franca Greqia. Një thes kushton 800 mijë lekë të vjetra. Dimër dhe verë këtu rrimë. Kur kapin ndonjë pesë lekësh hamë, kur nuk fitojmë asgjë rrimë, futemi në borxhe tek dyqani” thotë Bukuria.

Roma në Shkodër

Një studim i Bankës Botërorë dhe PNUD-it vlerëson se 80% e romëve jetojnë në varfëri ekstreme, krahasuar me 20% të pjesës tjetër, jo rome të popullsisë


Çmimet me të cilat Kujtimi dhe Bukuria shesin mallrat e përdorura janë rreth 40 herë më të ulta se ato në dyqanet e Tiranës. Megjithatë klientët e shtresave më të varfëra, në këto kohë krize, kërkojnë përsëri ulje.


“Sa i shet këto moj motër? A nuk më bën pak ulje?” pyet një grua e moshuar.

“Pesë mijë. Për ty .. 1 mijë lekë më pak” bën kompromisin Bukuria.


Klientët e tregut”GABI” nuk vijnë vetëm nga shtresat më të varfëra të Tiranës. por edhe nga ato të mesme.


“ Janë gjëra të mira dhe të lira. Janë firmato edhe pse të përdorura. Gjithmonë këtu vij të blej”thotë një grua e re, e mbajtur mirë.


Romët - komuniteti më i varfër dhe i prapambetur


Me paratë që fitojnë nga shitja e mallrave të përdorura Kujtimi dhe Bukuria mbajnë 7 fëmijët e tyre. Më i madhi është 22 vjeç, me i vogli shtatë.


“ Janë në shtëpi, pa shkollë, pa punë“ thotë Bukuria.


Por të ardhurat nga tregëtia e mallrave të përdorura nuk janë të qëndrueshme. Burrë e grua nuk shohin asnjë shans për të gjetur një punë tjetër.


“Për ne, romët, vetëm kjo punë është.Të shesim ndonjë leckë, të hamë një kafshatë. Vetëm këtë zanat kemi, ne romët” thotë me trishtim Kujtimi.


Papunësia dhe diskriminimi social e ka bërë komunitetin rom të jetë më i varfëri në Shqipëri. Një studim i Bankës Botërorë dhe PNUD-it vlerëson se 80% e romëve jetojnë në varfëri ekstreme, krahasuar me 20% të pjesës tjetër, jo rome të popullsisë. Në Shqipëri nuk ka një regjistrim zyrtar të komunitetit rom. Sipas Atllasit Gjeografik të viti 2001, numri i romëve arrin diku në 109 mijë vetë, shifër që përbën 2,8 përqind të gjithë popullsisë prej 3,5 milion banorësh që ka vendi. Në Tiranë komuniteti rom arrin në 25 mijë vetë. Më shumë se 45% e tij është e papunë dhe nomade. Barakat e tij të përkohshme i shoh të shtrihen atje ku mbaron tregu “GABI”, në një lëndinë mes pallatesh të reja, në ndërtim e sipër dhe hedhurinash. Një peisazhi tipik i i mjedisevee rome: baraka të mbuluara me plastmas, tela me rroba të ndera, fëmijë, kuaj..

Një familje roma në tregun e rrobave të përdorura në Tiranë

Një familje roma në tregun e rrobave të përdorura në Tiranë


Profesioni tjetër: Lypja


Një vajzë e re rome qëndron e ulur në sheshin para këtyre barakave me djalin e saj të mitur. Përbri saj , një burrë po merr një sy gjumë, në diellin e ngrohtë të Prillit. Kur e pyes kush është dhe çfarë bën ajo më përgjigjet


Quhem Dallëndyshe Sinani. Lyp rrugëve, mbledh kanaçe, ja çfarë bëj. Nganjëherë punoj edhe në treg, tek “GABI”. Edhe burri im - ajo tregon me dorë romin e ri që dremit - edhe ai lyp. Nuk kemi asistencë, asgje nuk kemi. Kemi tre fëmijë pë r të ushqyer”.


Qeveria, politika dhe ndërkombëtarët


Të djathtët në pushtet i premtojnë komunitetit rom, tani në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, se kjo situatë do të ndryshojë. Një strategji kombëtare për zhvillimin dhe integrimin e këtj komuniteti synon të zbusë përjashtimin e tyre social, burimin e varfërisë së tij ekstreme. Ndërkohë, Shqipëria është pjesëmarrëse e një nisme të vendeve të Europës Qendrore dhe Juglindore, të mbështetur nga Banka Botërore ,UNDP dhe Fondacioni Shoqërisë së Hapur ”SOROS” për të përmirësuar gjendjen sociale, punësimin, arsimimin dhe strehimin e romëve. Një parti politike rome e sapokrijuar po tenton të ketë përfaqësues të komunitetit rom në Parlamention e ardhshëm. A beson Kujtimi tek politika,tek partite?


“ Deri tani, asnjë parti, asnjëherë nuk ka ndihmuar. Parti rome..?? Nuk e di.”thotë ai duke u lëkundur mes shpresës dhë zhgënjimeve.


Në fillim të Prillit, në Ditën Botërore të Romëve edhe romët e Shqipërisë dëgjuan shumë premtime nga politikëbërësit dhe organizatat ndërkombëtare që operojnë në Shqipëri. Premtime …që presin të mos mbeten në letër por të shndrrohen në veprim, në konkrete për të ndryshuar vërtet situatën e rëndë sociale dhe ekonomike të komunitetit rom.


Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti



Audio dhe video për temën