1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Komuniteti rom më i margjinalizuari në Shqipëri!"

"Na keni bërë si kopësht zoologjik", është akuza e romëve për autoritetet dhe donatorët. Komisionerja e zyrës së antidiskriminimit në bashkinë e Tiranës, Enerida Isufi, e cilëson komunitetin rom më të margjinalizuarin.

DW: Z. Iusufi, rasti juaj ose më saktë mënyra se si ndodhi punësimi juaj ka elemente të një përralle brenda. Ju morët guximin dhe publikuat në një televizion kombëtar në Shqipëri ecejaket dhe lodhjen tuaj për të gjetur një punë, pasi kishit marrë arsimimin e duhur. Një ditë pas transmetimit në televizionin popullor Top Channel të historisë suaj të mbushur me paragjykime dhe diskriminim ju morët një ofertë punësimi nga kryetari i bashkisë së Tiranës zoti Lulzim Basha dhe sot punoni si komisionere në zyrën e antidiskriminimit në bashki. Çfarë keni bëri ju për komunitetin rom gjatë gati gjysmë viti punësimi. Apo keni zënë rehat në karrigen zyrtare?

Enerida Isufi: Ideja e aktivistes rome si pjesë e shoqërisë civile vazhdon të më shoqërojë ende edhe pse tashmë jam pjesë e bashkisë së Tiranës e zyrës për mbrojtjen nga diskriminimi. Para se unë ta filloja punë në bashkinë e Tiranës, sapo isha shkëputur nga një projekt me UNDP-në dhe implementohej nga një qendër të rinjsh ku unë e drejtoja në atë kohë si vullnetare mbi gratë, mbi shëndetin riprodhues të nënave rome në Shqipëri duke patur parasysh që martesat e hershme sjellin pasoja të rënda mbi shëndetin riprodhues të tyre. Dhe mendova që një punë që e kisha nisur, pse të mos e vazhdoja si pjesë e bashkisë së Tiranës. Dhe ajo që promovova direkt ishte bashkëpunimi me ministrinë e Shëndetësisë më pas ku me një shkresë të posaçme nga bashkia e Tiranës kemi ngritur një grup punë me drejtorat e përgjithshëm të qendrave shëndetësore në ato zona ku numri i popullsisë rome është i konsiderueshëm. Në këtë mënyrë çdo qytetar rom që paraqitet, në mënyrë të veçantë fëmijët e gratë që vijnë pranë këtyre qendrave shëndetësore të kenë akses të barabartë me pjesën tjetër, por edhe falas absolutisht në çdo lloj shërbimi shëndetësor. Po ashtu kam ndërmjetësuar dhe koordinuar lidhjet mes nënave dhe të rejave rome në terren dhe materniteteve shtetërore në Tiranë në mënyrë që të ofroheshin vizita obstetrike falas. Për këtë bëmë edhe një promovim mediatik përfshirë edhe televizionin Top Channel që bëri publik historinë time. Duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme të komunitetit rom i propozova kryetarit të bashkisë të realizonim një plan veprimi lokal vetëm për komunitetin rom në Tiranë. Në planin e dekadës së përfshirjes së romëve pushteti lokal ka terma të referencës së tij. Këto terma reference të parashikuara në rang kombëtar i morëm dhe i zbritëm në terren dhe i zbërthyem në objektiva dhe aktivitete më specifike se çfarë realisht duhet të bëjë pushteti lokal, bashkia e Tiranës për të adresuar, për të zgjidhur problemet e këtij komuniteti. Aktualisht duke qenë se pjesa e planit të veprimit në rang kombëtar ishte bërë pa asnjë konsultimi me komunitetin rom, menduam që ta zgjidhim këtë handikap me planin lokal të bashkisë së Tiranës, ku aktualisht në zonat ku jeton komuniteti rom kemi ngritur grupe pune të përbërë nga liderë të komunitetit rom që i njohin shumë mirë problematikat e romëve në zonat ku jetojnë dhe që shpeshherë janë ata që u japin ndihmën e shpejtë këtij komuniteti. UNDP-ja gjithashtu është afruar pranë kësaj iniciative duke ofruar një asistencë teknike për të patur një planveprim profesional. Aktualisht jemi në fazën e parë të konsultimit me komunitetin në terren dhe pas kësaj do të kemi një takim me kryetarët e minibashkive ku jeton kryesisht komuniteti rom për të parë se çfarë problemesh janë adresuar në këto minibashki dhe për të parë se çfarë potencialesh kanë këto minibashki për t'i ardhur në ndihmë komunitetit rom. Një takim tjetër do të ketë me aktorët ndërkombëtarë për të parë se cili do të jetë roli i tyre kontribues në kwtë iniciativë të bashkisë së Tiransë për të konkluduar më pas me buxhetimin e planit të veprimit. Unë zotohem që ky plan veprimi nuk do të mbetet siç ka mbetur plani komëtar në letër, por siç ka filluar të zbatohet, ka për të rezultuar i suksesshëm.

DW: Me çfarë mund ta krahasoni gjendjen e komunitetin rom sot në 2013-tën. Mund të përdorni një epitet apo krahasim?

Enerida Isufi: Është komuniteti më i margjinalizuar dhe më vulnerabël në shoqëri për vetë kushtet social-ekonomike që ka. E gjithë kjo vjen nga vetë potencialet që ka ky komunitet. Nuk kanivelin e duhur arsimor për t'u integruar në institucion. Një pjesë e madhe e tyre nuk janë qytetarë të Tiranës, por kanë vendbanimet e tyre në vende të tjera. Kjo çon në një lloj boshllëku për të përfituar nga shërbimet sociale që ofron bashkia e Tiranës për këtë komunitet. Po them një fjalë që kam dëgjuar në komunitet, tek pjesa e „Bregut të Lumit“ në Tiranë, që është edhe pjesa më në nevojë që thonë: „E di çfarë? Ju na keni bërë si kopësht zoologjik. Ju pjesa e donatorëve, pjesa e shtetit, pjesa e pseudombështetësve apo shoqërisë civile na keni bërë si kopësht zoologjik. Vini, shikoni situatën, bëni një foto, justifikoni ato para që merrni dhe mirupafshim.

Konferenca për romët në Deutsche Welle

Konferenca për romët në Deutsche Welle

DW: Sa romë ka në dijeninë tuaj në Shqipëri?

Enerida Isufi: Të dhënat e censusit të 2011-tës janë të dhëna zyrtare të dala nga vetëdeklarimi. Ka edhe shumë romë që nuk e kanë deklaruar që janë të tillë. Por nisur nga diskutime me kolegë them se janë më shumë se 70 mijë dhe më pak se 100 mijë romë në Shqipëri.

DW: Sa shoqata ka për romët?

Enerida Isufi: Vetëm në qarkun e Tiranës ka rreth 30 shoqata rome. Një numër shumë i madh ky dhe që them se pjesa më e madhe e tyre janë fantazma. Pjesa më e madhe e tyre them se shfrytëzojnë vështirësitë e këtij komuniteti për të bërë para për vete. Por ka një lloj kulture. Them se një pjesë e mirë e tyre janë edhe të politizuara. Pastaj mos llogarisim se sa OJF jo rome punojnë për romët. Janë pa fund. Pjesa më e madhe e tyre janë edhe në funksion dhe në disponim të zyrtarëve tanë. Në fakt nuk doja të akuzoja askënd, por duke patur parasysh situatën aktuale të komunitetit rom në Tiranë apo në gjithë Shqipërinë që është në varfëri të skajshme sidomos tani me krizën ekonomike botërore pyes se ku shkojnë atëherë gjithë ato para? Jo më kot ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri Ettore Sequi pyeti para një jave se ku janë 3 milionë eurot e komunitetit rom. Sigurisht që sekretariati teknik për romët, që është një sektor pranë Ministrisë së Mirëqënies dhe Rinisë është një ndër sektorët kyç që koordinon të dy planet e veprimit për romët, duhet të ketë një lloj përgjigje në lidhje më këtë. Por në dijeninë time dhe nga leximi i një artikulli në një gazetë pashë mënyrën se si ishin shpërndarë dhe alokuar këto fonde dhe po të shikoje listën e përfituesve ishin kryesisht organizata lokale por edhe ndërkombëtare dhe realisht aty nuk kishte asnjë organizatë rome përfituese nga këto fonde.

DW: Dekada kushtuar romëve nisi në vitin 2005 dhe mbaron në 2015-tën pra për 2 vjet. Pse tani gjithë ky interesim i madh për romët? Apo ka qenë gjatë gjithë dhjetëvjeçarit?

Enerida Isufi: Në fakt shpeshherë janë organizuar tryeza të këtij lloji si ky i fundit në Bon të Gjermanisë organizura nga Deutsche Welle ku u diskutua rreth rezultateve që ka pasur implementimi i projekteve. Madje çdo vit qeveria shqiptare raporton mbi arritjet pra se çfarë ndodh realisht më zbatimin e objektivave të dekadës rome, por kam frikë se nëqoftëse nuk do të kemi më dekadë rome, nuk do të ketë më as para për romët. Dhe nëse nuk ka para për romët shumë OJF rome dhe jo rome i bie të skualifikohen, të mos kenë më bukë për të ngrënë, po e them në gjuhë popullore. Interesi është për ta zgjatur këtë dekadë, por që për mendimin tim është e kotë, sepse përderisa një vend nuk ka arritur rezultate për një periudhë 10 vjeçare, çfarë pretendohet të arrihet më vonë? Jam e sigurtë që sikur edhe miliona para të tjera të akordohen për këtë komunitet ne do të jemi sërish në këtë situatë që jemi sot.

Ajo që do të doja unë të arrija me ato pak fuqi zyrtare që kam të mund të ndihmoj romët të kenë akses të plotë brenda shërbimeve që ofron bashkia e Tiranës. Mund të them që vetëm për programet e strehimit që ofron kjo bashki unë kam ndihmuar në këtë periudhë prej 6 muajsh mbi 40 familje të komunitetit rom për të plotësuar dokumentacionin e tyre, por edhe për t'ua bërë më të lehtë kontaktin me përfaqësuesit apo drejtoritë përkatëse në bashkinë e Tiranës për vetë problemet që kanë qoftë në komunikim, qoftë në gjuhë dhe qoftë në sqarimin e mëtejshëm të tyre.