1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisarët e BE në bankën e provës

Bernd Riegert/ Auron Dodi3 Tetor 2014

Secili nga të 27 kandidatët duhet t'u përgjigjet 45 pyetjeve. Përgjigjet mbeten shpesh të përgjithshme në Parlamentin Evropian. Ajo që ka rëndësi është vetëm performanca dhe shkathtësia në përgjigje: vetëm jo pasiguri.

https://p.dw.com/p/1DPaW
Parlamenti Evropian pyet Günther Oettinger
Fotografi: DW/B. Riegert

Vetëm njëri nga të 27 kandidatët për një post në Komisionin e ri Evropian ka vështirësi serioze, pas pyetjeve të para në Parlamentin Evropian: britaniku Jonathan Hill, i cili do të bëhet komisar për mbikqyrjen e tregjeve financiare duhet ta përsëritë klasën. Javën e ardhshme atij do t'i duhet të flasë edhe njëherë me komisionet përkatëse. Por kjo nuk është një orë e dytë formale pyetjesh. Konservatorit Lord Hill i jepet mundësia të heqë dyshimet, që u kanë mbetur pas tri orësh dhe 45 pyetjesh kryesisht të Majtëve dhe të Gjelbërve. Ata e quajnë Hillin lobiist të maskuar të ekonomisë financiare britanike. Jonathan Hill, i cili deri katër vite të shkuara ka pasur një firmë private në sektorin e shërbimeve, e kundërshtoi këtë. "Unë nuk jam pjesë e asnjë këshilli mbikqyrës, nuk kam interesa. Unë nuk përfaqësoj City of London këtu," ua ktheu Hilli, një person i besuar i kryeministrit britanik, skeptik ndaj Evropës, David Cameron.

Hilli u shpreh për një rregullim të tregjeve financiare, por pranoi se në shumë sektorë specifikë ai duhet të familjarizohet me punën. "Unë ende nuk kam një program pune për pesë vitet e ardhshme", tha ai. Deputetët konservatorë e lëvduan. Deputetë, që nuk kanë të njëjtin mendim politik me të, e refuzuan.

Dëftesat javën e ardhshme

Një vendim përfundimtar për komisarët e ardhshëm të BE do të përvijohet vetëm në konferencën e madhe të dëftesave javën e ardhshme. Atëherë grupet parlamentare të Parlamentit do të merren sërish me rezultatet e pyetjeve. Kryetarët e grupeve parlamentare do të diskutojnë pastaj nëse një kandidat është rrëzuar apo jo.

Nëse Parlamenti do të kërkojë ndonjë kurban, për të demonstruar fuqinë e tij, ai që mund të prekej mund të jetë ndonjë kandidat i liberalëve. Prandaj lëkundet kandidatja e Sllovenisë, Alenka Bratushek, e cila llogaritet e liberalëve dhe që nuk pas vetes një parti të madhe. Sllovenen e kritikojnë se si kryeministre në largim e Sllovenisë si të thuash e ka emëruar vetë veten. Dëgjimi i saj është parashikuar të bëhet të hënën.

A do të miratohen në fund të gjithë?

Pasi ka kaluar afërsisht gjysma e pyetjeve të nevojshme, një deputet me përvojë i tha DW se ai beson që do të miratohen të gjithë kandidatët dhe se parlamenti do ta miratojë në 22 tetor paketën e personelit të Presidentit të Komisionit, Jean-Claude Juncker. Junckeri bëri të ditur përmes zëdhënëses së tij se është shumë i kënaqur. Të gjithë kandidatët, deri tani kishin konfirmuar kompetencën e tyre.