1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Votime të rreme në Ukrainën Lindore

Bernd Johann3 Nëntor 2014

Separatistët në Ukrainën Lindore inskenuan një farsë. Në zgjedhjet e kontestuara votuesit nuk kishin se kë të zgjidhnin. Procesi i paqes i Minskut po bëhet i pavlerë, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1Dg47
Fotografi: AFP/Getty Images

Njerëzit në këtë vend qenkan të frikësuar dhe të trembur nga lufta. Për këtë arsye zgjedhjet nuk janë të vlefshme. Kështu i vlerësuan një javë më parë udhëheqësit e "Republikave popullore" të vetëshpallura të Donetskut dhe Luhanskut zgjedhjet parlamentare në Ukrainë, të pranuara ndërkombëtarisht. Në mënyrë cinike dhe hipokrite të njëjtët njerëz organizuan tani vetë votimet e tyre, në mesin e zonës së luftimeve, me kallashnikovë krah dhe me mbështetje nga Moska.

Ishin pseudozgjedhje sipas metodës së separatistëve. Fituesit diheshin që në fillim. Partitë dhe kandidatët proukrainas nuk u lejuan të marrin pjesë në të ashtuquajturat zgjedhje presidenciale dhe parlamentare. Në Donetsk nuk mundën të kandidonin as komunistët me orientim prorus. Partia e tyre deri para pak kohësh ka patur ndikim shumë të madh atje. Kështu në rajonin e Donetskut morën pjesë në zgjedhje vetëm dy grupime. Që të dyja "Republika e Donetskut" dhe "Donbasi i lirë" kanë në rradhë të parë një qëllim: ndarjen e Ukrainës. Dhe tani ata çimentojnë, ashtu si dhe grupet separatiste në Luhansk, orientimin e tyre, që nuk njeh kompromis.

Legjitimitet vetëm në dukje

Njerëzit në të dy rajonet e Ukrainës lindore nuk kishin se mes kujt të zgjidhnin. Aty nuk kishte konkurrencë politike. Separatistët ishin të vetmit. Me mbështetjen ruse këta njerëz erdhën para disa muajsh brenda natës në pushtet. Me votime të diskutueshme tani ata duan t'i japin legjitimitet veprimeve të tyre. Por në fakt këto zgjedhje ishin vetëm farsë.

Qindra mijëra vetë nuk kanë mundur të votojnë aspak. Ata janë dëbuar, ose kanë marrë arratinë nga luftimet. Për këtë arsye rezultati i zgjedhjeve nuk pasqyron raportet politike në rajon. Nuk ka patur lista të vlefshme elektorale. Kështu që votimet e përsëritura kanë qenë të lehta. Mundësi të tjera për manipulime ka ofruar edhe votimi në internet, i mundësuar prej disa ditësh, i cili po ashtu nuk mund të verifikohej.

Bernd Johann
Fotografi: DW/P. Henriksen

Frikësim dhe pasiguri

Shumë qytetarë, që kanë mbetur në Donetsk dhe Luhansk, kanë me vërtetë shpresa tek separatistët. Çfarë mund të bëjnë tjetër, në qoftë se nuk duan, apo nuk kanë mundësi të largohen? Dhe disa kanë shkuar për të votuar, sepse para vendvotimeve shpërndaheshin ushqime. Por shumica e njerëzve në rajon jetojnë në një klimë frike, kërcënimi dhe pasigurie.

Mësuesit, mjekët duhet t'u garantojnë pushtetarëve të rinj besnikërinë e tyre për të vazhduar të marrin rrogë. Dhe kush nuk ka dalë të votojë dhe këtë separatistët e kanë bërë të qartë para votimit, ai mund të llogarisë me pasoja personale dhe në vendin e punës.

Në plan ndërkombëtar këto zgjedhje të dyshimta dënohen. Por kjo nuk do të ndryshojë asgjë. Sepse separatistët kanë mbështetjen e Rusisë. Kremlini ua kishte dhënë që në fillim lejen për votimet e rreme. Por Moska dhe udhëheqësit e "Republikave popullore" e në këtë mënyrë në rrezik procesin e paqes. Sepse votimet bien ndesh me marrëveshjen e Minskut, që separatistët kanë nënshkruar para dy muajsh në kryeqytetin bjellorus me përfaqësuesit e qeverisë së Kievit në praninë e Rusisë dhe të BE-së. Në kuadrin e decentralizimit në rajon duhet të mbahen zgjedhje lokale sipas ligjit ukrainas. Por kjo s'ka për të ndodhur.

As separatistët dhe as Rusia nuk i përmbahen marrëveshjeve. Në vend të kësaj po vulohet ndarja e pjesëve të Ukrainës lindore. Procesi i paqes i Minsk po bëhet kështu i pavlerë. Në Evropë po vendosen kufij të rinj me forcën e armëve dhe me ndihmën e pseudozgjedhjeve.