1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Ukraina riafirmon orientimin e saj evropian

Bernd Johann27 Tetor 2014

Partitë proeuropiane kanë një shumicë të qartë në parlamentin e ri ukrainas. Por edhe elitat e vjetra dhe populistët janë të përfaqësuara. Sistemi i vjetër nuk është kapërcyer, por shansi ekziston, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1Dcbm
Fotografi: Getty Images

Ukrainasit kanë zgjedhur. Dhe këto ishin ndoshta zgjedhjet e tyre më të rëndësishme që prej pavarësisë së vendit. Sepse për herë të parë në parlament do të ketë një shumicë të gjerë properëndimore, e cila mund ta reformonte vendin dhe të çonte atë drejt Evropës. Dhe për herë të parë në Verhovna Rada hyjnë disa aktivistë të rinj, të cilët duan të ndryshojnë vendin me ide liberale dhe demokratike. Ata kandidatun në lista të sigurta dhe arritën në këtë mënyrë që të hyjnë në parlament.

Dimrin e kaluar së bashku me qindra e mijëra të tjerë ata dolën në rrugë për të përmbysur regjimin e korruptuar dhe autoritar të Janukoviçit. Tani ata marrin përgjegjësinë politike në parlament dhe duhet të tregojnë atje, nëse mund ta sfidojnë ndikimin e elitave të vjetra politike dhe të oligarkëve, biznesmenëve të pasur, të cilët ndjekin kryesisht interesat e tyre personale në politikë.

Shumicë proeuropiane në parlamentin e ri

Aktivistët e Maidanit janë fituesit e këtyre zgjedhjeve ashtu edhe partitë, që mbështeten në atë kohë ndryshimet politike, në rradhë të parë aleanca zgjedhore e presidentit "Blloku Petro Poroshenko" dhe partia "Fronti Popullor" e kryeministrit provizor Arsenij Jazenjuk. Të dy partitë së bashku kanë një shumicë në parlamentin e ri dhe mund ta modernizojnë tani vendin sipas modelit evropian.

Bernd Johann
Bernd JohannFotografi: DW/P. Henriksen

Edhe parti të tjera vijnë në konsideratë si partnerë koalicioni. Për të çuar përpara reformat e nevojshme dhe pjesërisht të dhimbshme ekonomike dhe sociale, do të ishte e nevojshme një aleancë e gjerë. Sidomos partia "Vetëndihma", që është e fortë në Ukrainën perëndimore dhe do të jetë për herë të parë e përfaqësuar në Verhovna Rada dhe ndoshta edhe partia e "Atdheut" e Julia Timoshenkos mund të ndihmojnë për t'i dhënë mbështetje kursit politik drejt perëndimit.

Edhe elitat e vjetra do të böjnë pjesë

Kjo nuk do të jetë e thjeshtë, edhe sepse forcat proevropiane vuajnë nga rivalitetet personale. Përveç kësaj në parlament, megjithëse ka shumë fytyra të reja, janë të përfaqësuara përsëri elitat e vjetra, në mesin e tyre edhe ish besnikë të Janukoviçit, të cilët kanë krijuar "Bllokun opozitar". Sistemi zgjedhor ukrainas i përzier me listat e mbyllura dhe zgjedhjen e kandidatëve të drejtpërdrejtë e ka bërë me sa duket edhe këtë herë të mundur, që mandatet në parlament të bliheshin nga njerëz me para dhe ndikim.

Edhe forcat populiste dhe të djathta mund të vështirësojnë punën konstruktive në parlament. Por ata kanë marrë shumë më pak vota nga sa pritej. "Sektori i djathtë", partia ekstreme e krahut të djathtë nuk mundi të hyjë në parlament. Edhe partia nacionaliste "Liria", si dhe partia populiste "Partia Radikale", janë në rënie. Për politikanët në skajin e djathtë të politikës ukrainasit nuk kanë simpati të madhe.

Zgjedhjet legjitimojnë ndërrimin e pushtetit

Prandaj këto zgjedhje janë një sukses i madh për demokracinë në Ukrainë. Ndërrimi i pushtetit është legjitimuar. Rusia, e cila deri tani mohonte legjitimitetin e qeverisë provizore dhe i paraqiste aktorët e Maidanit si fashistë, nuk mund të mbështetet më në këto argumente absurde. Ukrainasit ashtu si në zgjedhjet presidenciale në maj vendosën përsëri me shumicë dërrmuese për forcat demokratike dhe të moderuara.

Edhe fakti që shumë njerëz nuk mundën të votonin për shkak të luftës në lindje të Ukrainës, nuk ndryshon asgjë në legjitimitetin e votës. Mandatet e zonave të prekura mbeten vakante. Jo Kievi, por Moska me aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve dhe mercenarëve në Donbas ua ka hequr njerëzve, që jetojnë atje, mundësinë për të marrë pjesë në zgjedhje të ndershme dhe të lira.

Dhe këto zgjedhje e çojnë Ukrainën më tej në rrugën drejt Evropës. Njerëzit në Ukrainë e duan këtë perspektivë evropiane. Rezultati i qartë i zgjedhjeve ofron një shans të madh për këtë. Tani politikanët në Kiev duhet të punojnë. Dhe Bashkimi Evropian duhet ta mbështesë Ukrainën edhe me perspektivën e anëtarësimit në BE.