1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të kërkosh shumë apo pak

Christoph Hasselbach28 Prill 2015

Shpresat e Ukrainës për një afrim të shpejtë me BE janë shumë të larta. Por Brukseli as nuk duhet ta fyejë Ukrainën. Duhet gjetur balanca e duhur, mendon Christoph Hasselbach.

https://p.dw.com/p/1FFsX
Takim i nivelit te larte per Ukrainen
Fotografi: Reuters/G. Garanich

BE ndodhet përsa i përket mënyrës së trajtimit të Ukrainës përpara një dileme: ai do ta lidhë pas vetes Ukrainën, por të paktën në plan afatgjatë ajo duhet të gjejë edhe barazpeshimin në marrëdhënie me Rusinë. Një kurs i fortë antirus do të ishte i gabuar. Njëkohësisht Brukseli kërkon nga Kievi reforma politike-ekonomike, si kusht për përparime në afrim dhe praktikisht si kusht për ndihma të tjera financiare. Korrupsioni për shembull është një problem i përhapur në Ukrainë ose mungesa e pavarësisë së drejtësisë. Qeveria e Kievit duhet të nxisë privatizimet dhe liberalizimin dhe të konsolidojë sektorin bankar, të dyja padyshim jo lojë fëmijësh.

Ukraina ndodhet deri në grykë e zhytur në borxhe. Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesa e borxhit shtetëror të Ukrainës në Produktin social bruto midis 2013, pra pak para shpërthimit të konfrontimit me Rusinë dhe sot, është rritur nga 40 në gati 100 përqind. Shkalla e re e thellimit të borxhit vërtet që është vetëm pak më e lartë se mesatarja e borxhit në shtetet e BE. Por që këto shtete kanë vështirësi për ta ulur borxhin, dhe kjo PA luftë civile. Por pa paqe dhe stabilitet Ukraina është një fuçi pa taban. Paqja dhe stabiliteti janë parakusht për investime dhe për zhvillim ekonomik.

Jo shtet i njësuar ukrainas

Christoph Hasselbach
Christoph HasselbachFotografi: DW/M.Müller

Që Rusia ka një pjesë të konsiderueshme në këtë gjendje, që armëpushimi në lindje të vendit thyhet herë pas here, kjo natyrisht është e qartë për Brukselin. Por natyrisht që nuk është ndihmë, kur Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko flet për një "çlirim" të mundshëm të rajoneve të kontrolluara nga separatistët, kur gjuhën ukrainase ai synon ta mbajë si të vetmen gjuhë zyrtare edhe në rajonet lindore dhe do që ta fiksojë Ukrainën si shtet të njësuar. Nga pikëpamja e politikës së brendshme, deklarata të tilla mund të jenë të kuptueshme, por për të ardhmen ato nuk janë ndihmë. Këtu do të nevojitet një decentralizim më i fortë së bashku me një rol zyrtar edhe për gjuhën ruse.

BE e ka ngrirë deri në vitin 2016 Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Ukrainën, dhe kjo duhet t'i japë shans Moskës dhe Kievit që të flasin në ndërkohë për shqetësimin se Rusia do të jetë humbësi i madh i një marrëveshjeje të tillë. Ka rëndësi që të kuptohet: Bashkimi Evropian e merr në konsideratë Moskën jo nga dobësia, por në interes të gjetjes së një barazpeshimi midis Ukrainës dhe Rusisë, i cili është i domosdoshëm për Ukrainën.

Shpresa të zhgënjyera

Në kontaktin midis Ukrainës dhe BE në lojë janë shumë shpresa të zhgënjyera. Ukrainasit dëshirojnë për shembull një udhëtim pa viza në Evropën Perëndimore. Presidenti i Ukrainës e shqipton këtë dëshirë praktikisht në çdo takim me kolegët e tij në BE. Por ata ngurojnë që ta miratojnë. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për frikërat e Brukselit nga shpërdorimi i një rregulli të tillë. Bëhet fjalë për sistemin e nxitjes në vetvete. Vetëm kur realizohen vërtet objektiva të caktuara, atëherë jepet shpërblim. BE është djegur nga përvojat e mëparshme. Edhe nëse krahasimi çalon: anëtarësimi i parakohshëm i Rumanisë dhe Bullgarisë pa reforma të mjaftueshme shtetërore ose anëtarësimi me dredhi, por në fund me dijen e BE, në eurozonë i Greqisë, kanë treguar se bujaria e gabuar hakmerret.

Nxitje për ndryshime

Te Ukraina kemi të bëjmë me një akt balance, të cilin BE duhet ta zbatojë edhe në kontaktin me shtete të tjera që duan të anëtarësohen: BE ua mban para syve këtyre shteteve përparësitë e anëtarësimit, por si kusht për to kërkon reforma. Kur BE kërkon shumë pak, ai i shkakton vetes probleme të mëdha. Kur BE kërkon shumë, ai korr zhgënjim dhe në fund ndoshta refuzim. Ky reflektim sido që ta kthesh, është i vështirë. Në rastin e vendit të luftës civile Ukrainë, tek i cili varet raporti me Rusinë, kjo vlen edhe më fort.