1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Turqia bën autogola

Thomas Seibert27 Prill 2015

Me kërcënimet ndaj Gjermanisë dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë për shkak të vlerësimit të tyre në masakrën e Armenisë, Turqia ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm, mendon Thomas Seibert.

https://p.dw.com/p/1FFGw
Recep Tayyip Erdogan Präsident Türkei Rede
Fotografi: picture-alliance/AP Photo

Rrallë ka sulmuar në mënyrë retorike Turqia brenda një kohe kaq të shkurtër kaq shumë aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Papa mori pjesën e tij njësoj si Parlamenti i BE, pastaj e pati radhën Austria. Më pas u sulmuan në një seri deklaratash të publikuara me distancë thuajse minutash nga njëra-tjetra - Gjermania, Franca, Rusia dhe SHBA për shkak të pozicioneve të tyre në mosmarrëveshjen për vlerësimin e masakrës ndaj armenëve para njëqind vjetësh.

"Populli turk nuk do të harrojë dhe falë"

Në rastin e Gjermanisë, Ankaraja theksoi se populli turk nuk do t'i harrojë dhe nuk do t'i falë fjalët e Presidentit gjerman, Joachim Gauck për gjenocidin ndaj armenëve. Njëkohësisht, qeveria turke e paralajmëroi Bundestagun në Berlin që të mos miratojë një rezolutë të planifikuar, në të cilën gjithashtu bëhet fjalë për gjenocidin ndaj armenëve në vitet 1915 deri 1917.

Presidentët e SHBA, Rusisë dhe Francës, Barack Obama, Vladimir Putin dhe Francois Hollande e zemëruan Ankaranë, sepse edhe ata e kujtuan masakrën. Kjo në një kohë kur Obama, i kujdesshëm ndaj partnerit të rëndësishëm në NATO, nuk e përmendi fjalën gjenocid.

DW Korrespondent Thomas Seibert
Thomas SeibertFotografi: Thomas Seibert

Pasojat të diskutueshme

Brenda pak orësh, Ankaraja sulmoi verbalisht në këtë mënyrë tre nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe me Gjermaninë edhe partnerin e saj më të rëndësishëm tregtar. Pak javë para zgjedhjeve parlamentare turke nm 7 qershor, tek zgjedhësit me drejtim të djathtë kjo ndoshta mund të bëjë efekt të mirë. Ndoshta kjo është edhe një arsye për valën e deklaratave me tërbim.

Por në politikën e jashtme, Turqisë do t'i duhet të pranojë se këto shpërthime të tepruara zemërimi më tepër bëjnë dëm se sa dobi. Së pari, në vendet e prekura thuajse nuk gjen asnjë politikan qeveritar që t'i marrë seriozisht mësimet që u jep Ankaraja. Në të kaluarën Turqia ka shpallur me zhgënjim të madh kundërmasa politike dhe ekonomike kundër shteteve partnere, për të vazhduar pastaj heshturazi në pikat e tjera të rendit të ditës.

Izolim në politikën e jashtme

Së dyti, shpërthimet e tërbimit turk i përforcojnë dyshimet ndaj besueshmërisë së partnerit të rëndësishëm të Perëndimit. Që qeveria turke nuk e pranon kategorizimin e masakrës ndaj armenëve si gjenocid, kjo përballë dekadave të mohimit të krimeve dhe gjendjes në politikën e brendshme në vend, në njëfarë mënyre është e kuptueshme. Por që Ankaraja me gjeste spektakulare gati prish miqësinë me aleatë të rëndësishëm, vetëm sepse ata nuk duan të ndjekin pozicionin e Turqisë, kjo mund t'i verë në mendime disa politikanë dhe nëpunës në Perëndim.

Ka disa kohë që Turqisë i pëlqen të prezantohet si fuqi rajonale, ngjitja e pandalshme e së cilës thuhet se frenohet nga fuqi të huaja, sepse Evropa dhe SHBA kanë frikë nga një rival i ri. Ky botëkuptim i çuditshëm është pjesë e shkaqeve për çështjen e armenëve dhe ditët e fundit është përfaqësuar më me forcë nga shtypi proqeveritar dhe nga disa këshilltarë të Presidentit Rexhep Tayip Erdogan. Mundet që Erdogani dhe partia e tij për Drejtësi dhe Ripërtëritje (AKP) të mbledhin pikë në këtë mënyrë tek zgjedhësit nacionalistë. Në plan ndërkombëtar ky kurs çon në izolim.