1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Takimi Obama-Netanjahu: Grindje e vjetër, opcione të reja

Gero Schließ2 Tetor 2014

Marshimi i milicëve të IS mundte ta afronte më shumë presidentin Obama me kryeministrin izraelit. Por Nentanjahu nuk dha asnjë shenjë të zbutjes së pozicioneve të tij në takimin me Obamën në Uashington.

https://p.dw.com/p/1DOg4
Fotografi: Reuters/Kevin Lamarque

Shumë herë janë takuar presidenti amerikan Barack Obama dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, por këtë herë çdo gjë mund ishte ndryshe. Netanjahu është kreu i vetëm i një qeverie që është takuar më shpesh me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, por asnjëherë këto takime nuk kanë qenë takim harmonike e familjare, ku palët shkojnë përzemërsisht drejt njëri-tjetrit për të gjetur më pas një qëndrim të përbashkët për fatet e botës. Si në konfliktin shekullor mes izraelitëve dhe palestinezëve, apo në bisedimet atomare me Iranin - frontet mes këtyre dy burrave të shtetit kanë qenë të qarta: Në një kohë që Netanjahu nuk e heq dyshimin se presidenti amerikan ndjek një politikë shumë dorëlëshuar, dhe thellë vetes e mban atë për një president të dobët, - për presidentin Obama, Netanjahu është një kokëfortë, që me forcë dhe mungesë kompromisi pengon në fund të fundit marrëveshje që do të sillnin paqen.

Por këtë herë vërtet gjërat mund të ndryshonin. Sepse bota ka ndryshuar. Ajo është bërë më e rrezikshme, edhe për vetë Izraelin. Si asnjëherë më parë ky vend është i rrethuar nga dhuna dhe kaosi. Në Siri përmes Rripit të Gazës, Liban, në një Egjipt të pastabilizuar, gjithkund rreziqe. E të gjitha këto nuk janë asgjë, para një rreziku terrorist të përmasave të panjohura deri më tani, siç janë milicët e Shtetit Islamik (IS). Kjo e ka bërë botën të bashkohet - shtetet e Gjirit Persik dhe amerikanët. Nëse do ta afrojë më shumë Izraelin me SHBA, ende nuk dihet.

Interesa të përputhshme

Sidoqoftë këto kohë kanë sjellë ndryshime në konstelacionet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë prej shumë vitesh, presidenti Obama ia ka dalë që të bashkojë në një koalicion me SHBA pesë shtete arabe. Netanjahu aludoi në takimin me Obamën dhe me të drejtë ekzistojnë interesa të përbashkëta izraelito-arabe. Ato nuk prekin vetëm luftën kundër Shtetit Islamik, por edhe kundërshtarin- Iran, nga i cili Izraeli ndjehet dyfish i kërcënuar: Nga aleatët e Iranit, Hamasin që sundon në Rripin e Gazës, dhe programi nukelar, për të cilin po negociohet prej një viti me përfshirjen edhe të Gjermanisë.

Është e vërtetë: Interesat e përputhshme mes Izraelit dhe shteteve arabe mund të hapin opcione të reja strategjike. Por Netanjahu nuk donte ta thoshte këtë me sa duket me zë të lartë. Sepse për sa kohë që nuk ka ujdi me palestinezët për zgjidhjen me dy shtete, nuk ekziston hapësira politike për një afrim të Izraelit me aleatët potencialë arabë. Edhe presidenti Obama nuk mund të ndryshojë shumë gjë në faktin që pas luftës së përgjakshme të Gazës, perspektivat për këtë janë edhe më të errëta.

Kritika amerikane për mënyrën izraelite të veprimit që çoi në shumë viktima civile palestineze nuk pati ndonjë efekt. Me zgjedhjet e ndërmjetme në SHBA, shumë të rëndësishme në këtë vend, lobi hebre ka një mekanizëm shumë të fortë në dorë për t'i treguar vendin Obamës dhe për të dobësuar pozicionin e tij para Netanjahut. Kështu Obamës nuk i mbeti gjë tjetër veçse të paralajmërojë Netanjahun, të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme paqësore me palestinezët, përfshirë edhe ndryshimin e statusit. Por së paku Obama tregoi vendosmëri, me kërcënimin e mëpasshëm se vazhdimi i ndërtimit të ngulimeve izraelite, do ta largonte gjithnjë e më shumë Izraelin nga aleati i tij më i ngushtë.

Komenton Gero Schließ
Fotografi: DW/P.Henriksen

Situata në botë ka ndryshuar

Këtë herë çdo gjë mund të ishte ndryshe, por nuk ndodhi kështu. Netanjahu nuk dha ndonjë shenjë se do të zbusë qëndrimin ndaj palestinezëve. Kjo vlen edhe për Iranin. Me qëllim Netanjahu përdori artileri të rëndë verbale në fjalimin para Kombeve të Bashkuara dhe argumentoi fort se Shteti Islamik është më se i rrezikshëm, por Irani paraqet një rrezik edhe më të madh. Me këtë kryeministri izraelit rrit presionin ndaj presidentit Obama, që të mos lejojë kompromise me Iranin, të cilat Irani do t'i përdorte për ndërtimin e një bombe atomike në plan afatgjatë.

Por me sa duket Nentanjahu nuk mendon nga ana strategjike. Sepse ashtu si koalicioni i SHBA me shtetet arabe kundër IS hap shanse të reja, edhe një ujdi me Iranin do të ndryshonte situatën në botë. I gjithë rajoni do të përfitonte nga një pjesëmarrje e mundshme e Iranit në luftën kundër IS: Dhe aleatët e Iranit, fqinjët e drejtpërdrejt të Izraelit - Hamas dhe presidenti sirian, Asad do të humbisnin në plan afatmesëm potencialin kërcënues. Që të ndodhë kështu ka shumë pak gjasa Megjithaë shpresat nuk duhen humbur.