1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Spërkatje me piper në vend të demokracisë së vërtetë

Philipp Bilsky30 Shtator 2014

Në Hongkong dhjetëra mijëra demonstrojnë kundër reformës elektorale të planifikuar dhe kërkojnë të drejtën e bashkëvendosjes. Në çështjet parimore qeveria kineze do t'i përmbahet kursit rigoroz, mendon Philipp Bilsky

https://p.dw.com/p/1DNaq
Fotografi: Reuters/T. Siu

Janë pamje, që me këtë intensitet nuk janë parë deri më sot në Hongkong. Përleshje mes demonstruesve dhe policisë në zemër të qytetit. Dhjetëra mijëra protestues, që depërtojnë nëpër rrugë, të pajisur me gjyslykë noti për të mbrojtur sytë, të mbështjellë me plasmas dhe me parrulla në duar. Nga ana e policisë: gaz lotësjellës, spërkatës me piper dhe shkopinj gome. Këto janë trazirat më të rënda qysh prej dorëzimit të ish-kolonisë britanike Kinës në vitin 1997.

Shkak për trazirat është shpallja e reformës elektorale për vitin 2017. Reforma ndonëse parashikon zgjedhjet direkte, në fakt për zgjedhjet do të ketë vetëm kandidatë, të cilët janë përcaktuar paraprakisht. Nuk ka pra asnjë shenjë për demokraci të vërtetë. Kandidatura e kritikëve të regjimit me rregulla të tilla praktikisht është e pamundur. Si rrjedhojë është e qartë kërkesa e demonstruesve: zgjedhje, që ta meritojnë këtë emër. Organizatat studentore javën e kaluar shkuan edhe një hap më tej: në një manifest ato bëjnë thirrje që të kërkohet falje ndaj qytetarëve të Hongkongut. E nëse nuk respektohet kërkesa e tyre, ata kërkojnë dorëheqjen e kryesisë së udhëheqjes së Hongkongut.

Nëse ka ndryshime, atëherë vetëm në detaje

Udhëheqja e Hongkongut të dielën në sfondin e ashpërsisë së protestës reagoi e gatshme për bisedime. Qeveria së shpejti do të konsultohet sërish për reformën elektorale, u bë e ditur. Por detaje apo plan konkret kohor nuk ka. E për më tepër sinjalet nga Pekini tingëllojnë krejt ndryshe. Demonstruesit janë "ekstremistë" dhe "radikalë" dhe përfaqësojnë vetëm një pakicë. Ministria e Jashtme paralajmëron për çdo ndërhyrje nga jashtë. Gazeta e afërt me qeverinë "Global Times" shkruan, demonstruesit e dinë shumë mirë, që vendimet e komisionit të përhershëm në Kongresin Popullor për planin e reformave për Hongkongun nuk mund të ndryshohen. Në mediat sociale informacionet për Hongkongun bllokohen.

Ndaj një gjë është e qartë: ndryshimet, nëse do të bëhen, mund të mendohen vetëm në detaje. P.sh. është diskutuar paraprakisht mbi përbërjen konkrete të komitetit, që duhet të zgjedhë kandidatët, pra për madhësinë e këtij komiteti si dhe për çështjen, nëse të paktën një pjesë e anëtarëve të tij mund të zgjidhen direkt. E qartë është gjithashtu, se në çështjet parimore Pekini nuk do të tërhiqet aspak, pavarësisht se sa njerëz në Hongkong do të kërkojnë të drejtën e tyre për zgjedhje të vërteta.

Philipp Bilsky
Philipp BilskyFotografi: DW/M.Müller

Frika e Pekinit nga humbja e kontrollit

E kjo në radhë të parë për dy arsye: nga njëra anë Pekini ka frikë, se mund të humbasë kontrollin ndaj Hongkongut. Për Pekinin është e paimagjinueshme ekzistenca e një kryeministri të pavarur në Hongkong, që kufizohet me Kinën kontinentale. Një kryeministër i tillë do të vinte në pikëpyetje monopolin e pushtetit të partisë komuniste të Kinës. Në plan afatgjatë madje kjo do të nënkuptonte një pavarësi të plotë nga Republika Popullore e Kinës. Ndërsa Pekini druhet se "Modeli Hongkong" të shërbejë si mësim edhe për pjesë të tjera të Kinës. Njerëzit të frymëzuar prej demonstratave në Hongkong mund të përpiqen të arrijnë më shumë të drejta demokratike përmes protestave. Ndaj druaj, se demokraci të vërtetë në Hongkong s'mund të ketë në një të ardhme të afërt.