1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Shans historik

Daniel Scheschkewitz16 Shtator 2014

Të enjten katër milionë skocezë votojnë për pavarësinë e vendit. Të qenurit ndryshe si nga ana kulturore ashtu edhe politike e justifikojnë këtë eksperimet, komenton Daniel Scheschkewitz.

https://p.dw.com/p/1DCob
Schottisches Einhorn mit Wappen
Fotografi: picture-alliance/dpa/U. Gerig

Shumë vetëve në Europën Qendore dhe në Gjermani për një kohë të gjatë Skocia u ngjasonte me një rajon të largët në veriun malor të Britanisë së Madhe, një rajon që pa u menduar gjatë barazohej me Anglinë. Mirë, e dinim që është një rajon, ku bie shumë shi, që burrat skocezë veshin me dëshirë funde karakteristike, pinë uiski dhe që kopracia e tyre në përdorimin e fjalëve për shumë vetë ishte shkak për humor. Por fakti që Skocia deri në vitin 1707 ka qenë për shumë shekuj një komb i pavarur dhe krenar ishte sfumuar nga ndërgjegja e popujve të tjerë të Europës për shkak të historisë së re brenda mbretërisë së bashkuar britanike.

Por tani edhe ky fakt i përket së shkuarës: Më së voni me referendumin për pavarësinë, Skocia është rikthyer në hartën e Europës. Tani mund të kthehet në një episod të historisë, Britania e Madhe, ky konstrukt shtetëror i shekullit të 18-të, një vend që mund të përballet me pasoja politike, ekonomike pas referendumit. Kjo do të bëhej realitet, po qe se banorët skocezë nga mosha 16 vjeç thonë të enjten PO për pavarësinë. A do të ishte ky një kthim prapa? Anakronizëm dhe rënie në minishtete në një Europë moderne dhe pa kufij? Unë mendoj: Jo!

Skocia gjithmonë ka qenë ndryshe

Skocia gjithmonë ka qenë ndryshe nga fqinja e saj jugore, Anglia. Këtë fakt e dinin edhe romakët. Jo më kot ngriti një mur dheu perandori Adrian në shekullin e 2-të, një kufi për keltët "picti" të veriut. Edhe në shekujt e mëvonshëm keltët e veriut zhvilluan luftëra me fiset normane dhe anglosaksone në jug, dhe ushtritë skoceze ditën ta mbronin gjithmonë pavarësinë.

Kryeministri britanik Cameron u bën apel skocezëve që të mos shkëputen nga Mbretëria e Bashkuar
Kryeministri britanik Cameron u bën apel skocezëve që të mos shkëputen nga Mbretëria e BashkuarFotografi: Reuters/Dylan Martinez

Vetëm pas bashkimit të oborreve mbretërore në vitin 1603 dhe përpjekjen e dështuar të skocezëve për krjiimin e perandorisë së tyre bashkë me shoqërinë e Indisë Lindore, u vendos nga nevoja në vitin 1707 një union parlamentar me Anglinë. Me këtë u vu gurthemeli për ngjitjen e Britanisë së Madhe në një fuqi botërore. Skocezët dhe anglezët, bashkë me rajonin e pasur me qymyr të Wellsit krijuan një bashkësi resursesh, unike asokohe në botë, duke i ofruar ishullit fuqi politike në skenën botërore dhe mirëqenie për qytetarët. Dallimet kulturore dhe politike u rishfaqën në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të me të gjithë forcën e tyre.

Unioni me Anglinë nuk është më bashkëkohor

Margret Thatcher e modernizoi Britaninë e Madhe dhe i rimëkëmbi buxhetet e rrënuara shtetërore me arin e zi nga fushat veriore të Skocisë. Skocezët nuk i kushtuan fillimisht vëmendje këtij fakti, por kur vunë re se Aberdeen, ku ndodheshin fushat e naftës, jo vetëm që nuk mori pamjen e Abu-Dhabit, por shumë shtresa të popullsisë vazhduan të jetonin në varfëri dhe mizerje, atëherë u ngritën dyshimet. Dyshime që u forcuan, kur partia konservatore e Thatcher-it mori përgjegjësi qeverisëse në parlamentin britanik Westminster, të ndërprerë vetëm për pak kohë, kjo megjithëse skocezët në të gjitha votimet që nga viti 1997 në dhomën e ulët britanike dërgonin me mandat më së shumti një deputet të Tory-t. Në Skocinë, që e kishte humbur ndikimin politik dhe mundësitë ekonomike, u rrit influenca e nacionalistëve. Në vitet 90-të ata ia dolën t'i merrnin Londrës një parlament rajonal, ku skocezët kanë edhe qeverinë e tyre.

Rilindja skoceze

Skocia po përjeton prej disa dekadash një rilindje kulturore. Festivali kulturor i Edinburgut është një ndër pikëtakimet më të njohura të artistëve nga e gjithë bota. Muzika skoceze preferohet në të gjithë botën. Universitetet skoceze janë të hapur - pa tarifa- për studentët nga e gjithë bota. Akademikët skocezë gëzojnë një imazh të shkëlqyer në botë në shumë fusha studimore, jo vetëm me klonimin e deles Dolly.

Symbolbild Referendum Unabhängigkeit Schottland
Fotografi: Andy Buchanan/AFP/Getty Images

Në një kohë që në Angli arsimimi po kthehet në një privilegj për të pasurit dhe po mbijnë si kërpudhat pas shiut shkollat private, në Skoci arsimi i lartë është i arritshëm për të gjithë. Skocia e hapur ndaj botës është magnet për shumë emigrantë të shkolluar. Partia populiste euroskeptike UKIP nuk ka ndonjë ndikim në Skoci, ndërkohë që në Angli ajo korr suksese me politikën e armiqësisë ndaj të huajve dhe izolacionizmin.

Pasurim për BE-në

Një Skoci e pavarur do të kërkonte menjëherë anëtarësimin në BE, dhe nuk do të izolohej. Përkundër kësaj, kryeministri britanik David Cameron planifikon në vitin 2017 një referendum për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian. Me këtë hap ai mund të jetë i vonuar. Sepse shanset janë 50:50 që Skocia të kapë të enjten shansin historik dhe të rikthehet me një akt demokratik e paqësor tek shteti i pavarur. Edhe nga ana ekonomike skocezët nuk kanë nevojë të kenë frikë: Megjithë rezervat e kufizuara të naftës, një shtet skocez me pasuritë e mëdha të energjive të rigjenerueshme do të bënte pjesë ndër 20 vendet më të fuqishme ekonomike të botës. Dhe Europa vetëm mund të përfitonte nga kjo.