1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: revolucion i dinjitetit në Ukrainë

Bernd Johann21 Nëntor 2014

Ukrainasit e mundën një regjim autokratik. Ata zgjodhën demokracinë dhe duan shtetin juridik. Por fillimi i ri mund të dështojë- prej oligarkëve në vend dhe prej Moskës, mendon Bernd Johann.

https://p.dw.com/p/1Dqr4
Rubrikenbild Kommentar albanisch

1989 ishte një vit i kthesës në Evropë. Në Gjermani ra Muri i Berlinit. Dhe qytetarë të guximshëm, nga Talini në Varshavë deri në Bukuresht dhe Sofie u çliruan nga zgjedha sovjetike. Gati 25 vjet më vonë, njerëzit në Evropë luftuan sërish për liri dhe demokraci. Në Euromaidan në Ukrainë njerëzit u ngritën kundër një sundimi autoritar dhe të korruptuar. Synimi i tyre: një Ukrainë e re, me shtet juridik dhe demokraci.

Për muaj të tërë qindra mijëra qytetarë qendrojnë në Sheshin e Pavarësisë në Kiev dhe në qytete të tjera të Ukrainës. Në fund u arrit kthesa. Pushtetmbajtësit kapitullojnë dhe arratisen në Rusi, e cila e mbështeste regjimin dhe që deri sot i sheh protestat si grusht shteti. Kremlini sheh që ndikimi i tij në Ukrainë po zhduket dhe e konsideron zhvillimin kërcënim të pushtetit të vet. Por njerëzit në Ukrainë e quajnë atë "revolucion të dinjitetit", sepse nuk duan të poshtërohen dhe të vidhen më nga një regjim autokratik.

Lëvizje masive kundër një regjimi të dhunshëm

Bernd Johann
Bernd JohannFotografi: DW/P. Henriksen

Protestat i shkaktoi ish-presidenti Viktor Janukoviç. Po nën presionin e Rusisë ai e ndaloi në 21 nëntor 2013 papritur asociimin e planifikuar të Ukrainës me BE. Kjo në një kohë kur edhe qeveria e tij pati negociuar gjatë për të. "Ne do të shkojmë në Maidan, kush do të vijë?" shkruan njerëz të zhgënjyer në rrjetet sociale.

Shpejt u krijua një lëvizje masive tej për tej të gjitha shtresave shoqërore, e cila u bë më e fortë sa më shumë reagonte regjimi me shtypje dhe dhunë. Edhe grupime nacionaliste dhe ekstremiste morën pjesë në protesta. Por në zgjedhjet që pasuan për Presidentin dhe Parlamentin fituan forcat demokratike dhe të drejtuara nga reformat me shumicë dërmuese. Ukrainasit i thanë kështu "jo" radikalizmit, edhe atij antirus.

Oligarkët edhe më tej ruajnë kontroll

"Revolucioni i dinjitetit" nuk ka marrë fund. Zgjedhjet e legjitimuan në mënyrë demokratike ndryshimin e pushtetit. Por kërkesat nga mesi i shoqërisë nuk janë plotësuar në asnjë mënyrë. Forca e mirëfilltë në Ukrainë mbeten oligarkët, sipërmarrës shumë të pasur, që e kontrollojnë prej vitesh vendin. Madje edhe politikanë të diskutueshëm nga koha e Janukovicit janë ende aktivë.

Megjithatë ka shpresë. Ajo drejtohet para së gjithash te përfaqësues nga radhët e Euromaidanit. Shumë prej tyre kanë arritur të futen në Parlament. Së bashku me forcat e vjetra tani ata duhet të kujdesen që reformat e shpresuara të nisin.

Lufta për dinjitetin nuk është fituar ende

Këtu bëhet fjalë për pavarësinë e drejtësisë, për kontroll demokratik të milicëve kaq të gjithëfuqishëm dhe për fundin e korrupsionit. Duhet penguar edhe që elitat politike të pasurohen si në të kaluarën pa turp.

Po rreziku më i madh për Ukrainën kërcënon nga Rusia. Me të gjithë fuqinë përpiqet të pengojë Kremlini që të krijohet një Ukrainë e re. Aneksimi i Krimesë dhe lufta në Donbass e destabilizojnë vendin politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht. Me të drejtë e quajnë agresion ukrainasit mënyrën ruse të veprimit ndaj vendit të tyre. 25 vjet pas fundit të shtypjes sovjetike në Evropën Lindore në Evropë një popull lufton sërish për vetëvendosje. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për zona ndikimi, por edhe për dinjitetin e njerëzve.