1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Reaksionarët e thjeshtë amerikanë tallin Gjermaninë

Miodrag Soric27 Shkurt 2015

Nga disa qarqe të klasës politike amerikane hidhen dyshime mbi aftësitë e Gjermanisë në politikën e jashtme dhe konkretisht ndaj Angela Merkelit si person. Arsyet i komenton Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/1EicK
Deutschland Münchner Sicherheitskonferenz 2015 MSC Angela Merkel
Fotografi: AFP/Getty Images/C. Stache

Gjermanët nuk e bëjnë dot. Ata nuk kanë ditur ta bëjnë as në dekadat e fundit. Dhe as nuk kanë personel për këtë. Gjermanëve iu mungon përvoja, dhe aparati ushtarak për t'u marrë seriozisht në skenën botërore. Dhe kur Angela Merkel tani përpiqet ta bëjë këtë ajo shihet si kur e mbivlerëson më shumë se duhet veten. Këtë tonalitet kanë komentet e ndryshme në Uashington mbi përpjekjet e kancelares gjermane për të zgjidhur njëkohësisht dy kriza: kërcënimin për falimentim të Greqisë dhe paqëtimin e Ukrainës.

Tallja dhe dyshimi që i atribuohet Gjermanisë të habit akoma më shumë po të kujtosh që në kontinent SHBA nuk ka aleatë më besnikë se gjermanët. Për një rol udhëheqës në Europë për zgjidhjen e problemeve në politikën e jashtme i inkurajoi gjermanët edhe ish-presidenti, George Bush (senior). Tani një çerekshekulli më pas gjermanët po marrin më shumë përgjegjësi - dhe çfarë ndodh? Breshëri kritikash nga Uashingtoni!

Dyshim apo admirim i fshehtë?

Thumbat e hidhur vijnë më shumë nga kampi i intervencionistëve. Për këtë duket se ka disa arsye: Sidomos në këto kohë konflikti me Moskën, amerikanët nuk janë mësuar që fijet t'i ketë në dorë Berlini. Por kancelarja mban kontakt të ngushtë me partnerët europianë dhe amerikanë. Pas kësaj ajo vepron: Kështu kreu autoritar i Kremlinit nuk ia ka dalë deri më tani të vendosë një pykë përçarjeje në aleancën perëndimore.

Miodrag Soric
Miodrag Soric komentonFotografi: privat

Po pikërisht kësaj i tremben disa veteranë të Luftës së Ftohtë në Uashington: Gjermania mund të shkëputet nga aleanca perëndimore, dhe në plan afatgjatë mund të krijojë një partneritet me Rusinë. Ujdia e dikurshme mes mbretërisë gjermane dhe Sovjetëve revolucionarë rusë - lindi nga nevoja pas Luftës së Parë botërore - dhe qëndron një shekull pas në kohë. Asgjë nga politika e sotme nuk ka lidhje me parallelet e dikurshme. Nuk ka asnjë modernizim të këtij partneriteti, për sa kohë Rusia i mbështet separatistët në Ukrainë.

Por ndoshta dyshimet që hidhen mbi Angela Merkelin kanë ndoshta edhe një arsye tjetër: Zilinë, sepse Merkel ende vazhdon të dialogojë me Putinin, Obama me sa duket jo më. Sepse Frau Merkel nuk vuri një vijë të kuqe shpejt që ta fshijë më pas, kur i nevojitet. Amerikanët kanë më shumë përvojë me gjëra të tilla. Në Siri për shembull, ku Obama kërcënoi me ndërhyrje ushtarake, nëse Asad përdor armët kimike kundër kryengritësve; kur vërtet armët kimike u vunë në përdorim, Obama nuk ndërmori asnjë intervenim.

Merkel është për zgjidhje europiane

Sigurisht e parë nga këndvështrimi amerikan politika e Merkelit është e pazakontë. Angela Merkel duhet të bjerë fillimisht në ujdi brenda BE-së, para se të veprojë, qoftë kur bëhet fjalë për Ukrainën, qoftë për Greqinë. Kjo kërkon ditë, madje javë.

Amerika do zgjidhje të thjeshta. Merkeli nuk beson tek to. Le të marrim Greqinë: Ajo është kundër faljes pa kushte të borxheve të Greqisë, sepse këtë do ta kërkonin pastaj edhe shtetet e tjera. Kancelarja refuzon po ashtu furnizimin me armë të Ukrainës: Ajo e di se kjo do ta shtonte vuajtjen e njerëzve në lindje të Ukrainës. Por Putini nga ana e tij do të duhej të detyrohej pas kësaj për më shumë lëshime.

Pra para se amerikanët ta kritikojnë kaq shumë kancelaren gjermane, ata duhet të kenë njëherë parasysh rezultatet e politikës së tyre të jashtme: Në Afganistan, Irak apo Libi, SHBA ka fituar betejat, por në fund ka humbur luftën. Nuk ka asnjë garanci që Angela Merkel do të ketë sukses Greqi apo Ukrainë. Por është në interesin amerikan ta mbështesin atë. Talljet e atyre që jetojnë gjithmonë në të shkuarën Merkel nuk i ka merituar.