1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Avancimet ruse në Ballkan

Verica Spasovska18 Nëntor 2014

Ku marrin fund ambiciet e politikës së jashtme ruse? Me sa duket jo në skajet e hapësirës postsovjetike. Rusia po zë vend në Ballkan. Diplomatët perëndimorë e shohin me të drejtë me shqetësim, mendon Verica Spasovska.

https://p.dw.com/p/1Dp6S
Fotografi: AFP/Getty Images/Andrej Isakovic

Ajo që publikohet nga letrat konfidenciale të Ministrisë së Jashtme mbi politikën hegjemoniste së Rusisë, është shqetësuese. Në bazë të tyre thuhet se Rusia i kushton Ballkanit një rëndësi të madhe strategjike. Vëzhguesit konkludojnë se Moska po përpiqet ta lidhë më shumë pas vetes këtë rajon, për ta larguar nga ndikimi i Bashkimit Evropian.

Që Rusia prej kohësh i ka shtrirë antenat në Ballkan, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, kjo dihet. E reja është se me sa konsekuencë Rusia po ndjek pretendimet e saj hegjemoniste edhe jashtë hapësirës postsovjetike.

Ndikimi ekonomik i Rusisë

Strategjia e Putinit në Ballkan është e zgjuar dhe e thjeshtë: Në rradhë të parë Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnje-Hercegovinës (Republika Srpska) janë të lidhura tradicionalisht me Rusinë. Me furnizimet me gaz natyror, me projektet e infrastrukturës dhe investimet ruse në këto vende Rusia po e stabilizon ndikimin e saj në mënyrë konsekuente. Këtu Rusia përfiton sidomos nga gjendja katastrofike ekonomike e këtyre vendeve. Mesatarja e papunësisë këtu është 30 për qind, pothuajse një ndër dy vetë janë pa punë dhe investimet direkte perëndimore prej vitesh janë në nivel të ulët, sepse administratat e korruptuara i frikësojnë investitorët e mundshëm.

Rusia krijon këtu perspektiva: Në Serbi firmat ruse modernizojnë hekurudhat shtetërore, në Mal të Zi një e treta e sipërmarrjeve janë në duart e rusëve. Në Bosnjë-Hercegovine, që juridikisht është akoma një protektorat i Perëndimit, Rusia ushtron presion për të pakësuar ndikimin e Perëndimit. Për herë të parë Rusia votoi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së kundër zgjatjes së misionit të EUFOR-it. Me sa duket me synimin për ta mbajtur vendin larg nga BE. Madje edhe në shtetin anëtar të BE, Bullgari, që është i varur në mënyrë dramatike nga furnizimet nga nafta dhe gazi rus, Rusia po e forcon ndikimin e saj politik dhe ekonomik.

Verica Spasovska
Verica SpasovskaFotografi: DW/M. Müller

BE i lodhur nga zgjerimi

Me këtë strategji soft power Rusia hyn në një vakkum, që për fat të keq nuk plotësohet në mënyrë adekuate nga Perëndimi. Edhe pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftërave të Jugosllavisë Ballkani mbetet jo më shumë se oborri i pasëm i Evropës. Dhe në shumicën e vendeve të BE-së ekziston dëshira që të mbetet kështu. Që nga kriza e euros askush në klub nuk dëshiron të mendojë më për zgjerimin e BE-së. Përveç kësaj rriten shqetësimet përsa i përket shpenzimeve shtesë për kandidatët e dobët për pranim. Vetëm Sllovenia dhe Kroacia kanë arritur deri tani integrimin e dëshiruar në BE. Të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor rrinë prej vitesh në pritje.

Për këtë sigurisht nuk është fjator vetëm Perëndimi. Sepse shumë probleme vijnë nga këto vende: në shumë vende koncepti i demokracisë është i pazhvilluar, te partitë në pushtet ka një klientelizëm të shfrenuar, mendësia nacionale dominon dhe pengon reformat politike dhe ekonomike. Por ndërkohë një rol të madh luajnë edhe pritjet e zhgënjyera të njerëzve, të cilët nuk e kanë imagjinuar rrugën e tyre në BE kaq të gjatë dhe të vështirë: Sundon një atmosferë dëshpërimi, zhgënjimi dhe zemërimi Një ndjenjë antievropiane po përhapet.

Evropa duhet të ndërhyjë përsëri

Për të penguar që Rusia ta shfrytëzojë më shumë këtë atmosferë, dhe ta largojë më tej Ballkanin nga sfera e interesave perëndimore, BE duhet të ndërhyjë përsëri më shumë në Ballkan dhe të japë sinjale të qarta për perspektivën e pranimit. Njerëzve u duhet bërë e qartë se pranimi në BE është në avantazhin e tyre. Se ia vlen të bëhen përpjekje për ta bërë vendin gati për anëtarësim. BE-ja, dhe në veçanti Gjermania si motor i integrimit evropian, nuk kanë rrugë tjetër veçse të rinisin me të gjithë forcën detyrën diplomatike të Sizifit në Ballkan. Dhe Brukseli duhet t'i mbështesë këto vende më fort ekonomikisht për të vendosur një kundërpeshë ndaj taktikave të përqafimit rus.