1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Parti proteste si krijuese e shumicave?

Barbara Wesel15 Tetor 2014

UK Independence Party u ofrohet konservatorëve për zgjedhjet e vitit 2015 si krijuese e shumicave. Kushti: një referendum për anëtarësimin në BE. Një lojë e rrezikshme, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/1DVXG
Nigel Farage me mbeshtetes
Fotografi: Reuters

Që kur javën e kaluar, në një zgjedhje që u përsërit, UK Independence Party mori vendin e parë në Parlament, konservatorët britanikë kaluan përfundimisht në alarm. Që një deputet i pabindur nga radhët e veta ishte ai që e arriti këtë fitore, kjo e shtoi edhe më shumë dhimbjen. Që atëherë, Torie-t po bëhen gjithnjë e më nervozë dhe përpiqen që ta parakalojnë partinë e protestës nga e djathta dhe ta bëjnë atë për vete me lëshime. Kështu, shefi i UKIP, Nigel Farage, kryepopulist dhe orator i shkathët do të marrë tani pjesë madje edhe në një debat televiziv para zgjedhjeve të reja në pranverën e ardhshme.

Farage, një ish-bankier, i cili paraqitet si kundërshtar i politikanëve tipikë dhe njeri i rrugës me krikëll birre në dorë, nga ana tjetër ofroi edhe karemin, i cili mund të kthehet në kurth vdekjeprurës për konservatorët: ai u ofrua që të shërbejë në zgjedhje si sigurues i shumicave, me çmimin e një referendumi të BE që do të zhvillohet në vitin 2015. Sepse kërkesa kryesore e eurodeputetit është dalja e Britanisë së Madhe nga BE.

Para së gjithash kundër Evropës

Ngjitja e partisë së tij nga një trupë ngatërrestarësh në një forcë politike për t'u marrë seriozisht është në njëfarë mënyre një projekt për lëvizje të ngjashme në Evropë. Ukip është një parti që mbledh nostalgjikë në kërkim të kohës së shkuar, mbledh ata që urrejnë të huajt, të zhgënjyerit nga politika, të pakënaqurit në politikë dhe nga shoqëria të të gjitha nuancave. Politika e saj është para së gjithash kundër: anti-Evropë, anti-të huaj, anti-globalizim. E gjitha e shoqëruar me një porcion ekscentrik, si për shembull me kërkesën për ta kufizuar numrin e të huajve në klubet e futbollit në tre ose për të futur në kufi testin e SIDA-s për të huajt.

Por shtysën e vërtetë, lëvizjes së Farage-s të grindavecëve dhe të të kthyerve pas ia dha partia konservatore në pushtet: kjo parti nuk përmbahet nga shtimi i parrullave antievropiane. Krahu i djathtë u përpoq ta shpallte madje Ukip-in si partner të ardhshëm të koalicionit, ndërkohë janë edhe Torie-t që kërkojnë caktimin e një kuote për emigrantët nga BE.

Si duhen bërë punët

Kryeministri David Cameron ka vepruar në këtë kuadër si nuk duhet vepruar: ai i lejoi më parë krahut të djathtë të partisë së tij dhe pastaj Ukip-it që ta shtyjë përpara në çështjen e Evropës. Ai lejoi që partia e protestës të bëhet e pranueshme për publikun për shkak të vëmendjes së madhe ndaj saj dhe të arrijë që ta përcaktojë tani si të thuash e vetme debatin politik në Britaninë e Madhe. Kërkesat eventuale të zgjedhësve të Ukip-it janë kthyeer në një vijë orientimi të politikës. Para së gjithash në Berlin duhet të mësojnë në trajtimin e Alternativës për Gjermaninë nga gabimet e Londrës - shembulli britanik këtu shprehimisht nuk rekomandohet të imitohet.